Nishani për Zërin e Amerikës: &ldquoKrimi i organizuar sfidë reale dhe problem serioz&rdquo
Zëri i Amerikës
27 Shtator 2016
Presidenti i Shqipësirë Bujar Nishani po vazhdon vizitën në Shtetet e Bashkuara, pas pjesëmarrjes në Takimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork javën e kaluar. Zoti Nishani ishte i ftuar për një intervistë në studion e “Ditarit”.
ZERI I AMERIKES: Zoti President mirëserdhët!
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Faleminderit për ftesën. Kënaqësi që takohem me ju.
ZERI I AMERIKES: Zoti President, në fjalimin tuaj përpara Asamblesë së Kombëve të Bashkuara, ju folët edhe për përpjekjet e vendit tuaj për t’u integruar në Bashkimin Europian duke theksuar se reforma në drejtësi është një bazë solide për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Po kështu dhe qeveria shqiptare në Bruksel ka thënë se e meriton të marrë një rekomandim pozitiv. Ju çfarë prisni nga raport progresi i këtij viti?
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Unë dëshiroj të theksoj edhe një herë faktin që për Shqipërinë, procesi i anëtarësimit dhe integrimit në Bashkimin Evropian mbetet objektivi ynë madhor tashmë, pas atij të arritur me anëtarësimin tonë në NATO. Unë e kam shprehur në mënyrë të përsëritur, sa herë më është dhënë mundësia, sepse jo vetëm unë, por qytetarët shqiptare në shumicë dërrmuese janë të bindur se anëtarësimi dhe integrimi i Shqipërisë në familjen e Bashkimit Evropian është e vetmja alternativë që kemi ne në rrugën e begatisë dhe prosperitetit. Nuk ka alternative tjetër për Shqipërinë, prandaj ne do të vazhdojmë të ecim në procesin e integrimit. Pa dyshim, që procesi i integrimit do të thotë reforma. Janë një sërë reformash të cilat do ta çojnë Shqipërinë dhe shqiptarët drejt familjes evropiane edhe si anëtarë të denjë dhe me kontribute. Më së fundi, jemi fokusuar tek reforma në drejtësi, pasi ajo ka qenë pa dyshim një prioritet mes prioriteve që ne kemi në Shqipëri. Dhe unë kam përshëndetur maksimalisht angazhimin e të gjithë faktorëve që u përfshinë në përgatitjen, hartimin, diskutimin, debatin dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
ZERI I AMERIKES: Nëse mund t’u pyes për reformën në drejtësi, për atë që nisët të flisnit tani. Siç thatë edhe ju ka qënë dhe është një nga reformat më thelbësore të Shqipërisë. Vëmendja gjatë muajve të fundit është përqëndruar pikërisht tek kjo reformë. Madje javët e fundit, ju e kaluat në heshtje ligjin që lidhet me këtë reformë, atë për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra në një farë mënyrë, ju shprehët kundërshtimin tuaj në se mund ta quaj të tillë. Megjithatë, ju vendosët të mos të bëheni pengesë për miratimin e këtij ligji. A mund të na sqaroni më gjatë qëndrimin tuaj?
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Të rëndësishme në proçesin e nisjes së reformës, kanë qënë ndryshimet kushtetuese. Ne pothuajse kemi një kushtetutë të re, sepse u ndryshuan një numër i madh i neneve të kushtetutës, nene që janë shumë të rëndësishme, kolonat kryesore të shtetit, të funksionimit të shtetit, jo vetëm krijimi i parashikimit të mekanizmave në fushën e drejtësisë dhe jurisprudencës në tërësinë e vet, por edhe në çështjet e kontrollit, ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe institucioneve kushtetuese në vend. Për mua arritja e konsensusit mes palëve politike dhe aktorëve të cilët do të kenë përgjegjësinë për implementimin e kësaj reforme në ndryshimet kushtetuese ishte esenciale dhe një garanci e madhe për implementimin e neneve dhe ndryshimeve kushtetuese në të ardhmen. Përsa i takon ligjit më të fundit, padyshim që ajo nuk ishte një refuzim, por ishte shprehja e disa rezervave në lidhje me nenet dhe çështje të caktuara që ligji, i cili mendoj se po të ishte konsultuar qoftë edhe me zyrën e Presidentit më parë se të shkonte në parlament, mund të ishin korrigjuar. Së pari, ka të bëjë me çështjen e integritetit dhe respektit ndaj zyrës së Presidentit të Republikës. Unë mendoj se zyra e Presidentit të Republikës e cila përfaqëson kryetarin e shtetit shqiptar, duhet të trajtohet ashtu siç e parashikon kushtetuta, si një zyrë dhe si një institucion i cili prezanton, dinjitetin, integritetin e shtetit shqiptar dhe të qytetarëve dhe popullit shqiptar. Nuk mund të kthehet insitucioni i Presidentit të Republikës në një zyrë të rëndomtë administrative, e cila thjesht bën përgatitjen e materialeve proceduriale për institucionet që në hirarkinë e shtetit janë shumë më poshtë në kuptimin e piramidës shtetërore, sesa zyra e kreut të shtetit shqiptare. Pra, kushtetuta dhe në fakt edhe praktika botërore, parashikon që mekanizma të tjerë vihen në shërbim të përmbushjes së detyrave kushtetuese të zyrës më të lartë të shtetit shqiptar.
ZERI I AMERIKES: Por megjithatë ju nuk e çuat ligjin në Gjykatën Kushtetuese...
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Nga ana tjetër mund të them që janë disa çështje që kanë të bëjnë me besueshmërinë e procesit. Unë mendoj që përfshirja e disa institucioneve, që janë strikt pjesë e qeverisë, siç është shërbimi i kontrollit të brendshëm në ministrinë e Brendshme për policinë e shtetit, apo zyra për parandalimin e parave të pista, të cilat kanë realisht përgjegjësi për mjaft sfida të mëdha që ne po ndeshim, nuk mund të marrin besim për të kryer procese shumë të rëndësishme. Pra këtu ka një rrezikshmëri potenciale për të cënuar besimin e procesit, ndaj duke mos qënë dakort me disa prej këtyre neneve, natyrisht që unë nuk u bëra pjesë e miratimit të drejtpërdrejtë të atyre parashikimeve, por kjo kaloi në heshtje, si një nga parashikimet kushtetuese të Presidentit të Republikës.
ZERI I AMERIKES: Zoti President, reforma në drejtësi, duket se ka patur një shtytje të fortë nga Uashingtoni dhe Brukseli, madje këmbëngulja e diplomatëve amerikanë dhe evropianë, ka qënë e tillë, që ka ngjallur edhe debate në vend për tejkalim kompetencash të diplomatëve të huaj. Cili është mendimi tuaj?
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Unë mendoj që roli i tyre, ekspertiza që kanë ofruar, dëshira dhe këmbëngulja kanë qenë mjaft pozitive. Unë e kam vlerësuar çdo angazhim që ka ardhur nga partnerët tanë ndërkombëtar, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ne prej kohësh kemi misione që asistojnë në fushën e ligjit, të hartimit të legjislacionit por edhe të funksionimit të agjencive ligjzbatuese, qoftë atë siç është OBDATI nga Shetet e Bashkuara të Amerikës dhe EURALIUS nga Bashkimi Evropian, ashtu siç besoj që kanë ndihmuar deri më tash gjatë këtyre dy dekadave të fundit edhe në rastin konkret ndihma e tyre ka qenë mjaft profesioniste dhe padyshim e mirëpritur dhe e tillë do të mbetet.
ZERI I AMERIKES: Zoti Nishani, gjatë ditëve që ju keni qenë në SHBA, në Shqipëri u njoftua se kryeprokurori Adriatik Llalla ka marrë kërcënime për jetën aq sa është detyruar të largojë familjen nga Shqipëria. Kërcënimet kanë ndodhur pak kohë më parë. A keni qënë ju në dijeni të tyre dhe a mendoni se ka vend për shqetësim, se krimi i organizuar është bërë kaq i forte sa të detyrojë kryeprokurorin të largojë familjen e tij?
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Në lidhje me rastin specifik, kjo është një pyetje për vetë zotin Llalla. Padyshim që unë kam diskutuar dhe diskutoj çëshje të shumta me Prokurorin e Përgjithshëm. Natyrisht, jo të gjitha çështjet që unë diskutoj me të, duke kërkuar mirëkuptimin tuaj të plotë, kanë nevojë për të mbetuar brenda kuadrit të trajtimit institucional të tyre. Krimi i organizuar në Shqipëri është një sfidë reale, problematike dhe krimi i organizuar kërkon një qasje dhe një përballje shumë dimensionale, të organizuar, të përbashkët. Mbi të gjitha, lufta kundër krimit të organizuar duhet të fillojë me një akt, i cili nuk është vetëm retorik ose legjislativ, por është një akt veprimi për të shkëputur çdo lidhje, qofshin ato edhe të izoluara, të politikës me botën e krimit. Nëse ne nuk do të jemi të suksesshëm në shkëputjen politikës nga bota e krimit, çdo hap i mëtejshëm do të jetë i infektuar dhe do të ketë goxha problem për t’u realizuar dhe për të arritur atë që ne duhet të kemi në goditjen ndaj krimit të organizuar. Unë u bëj thirrje të gjitha institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri, qeverisë shqiptare dhe çdo agjencie, që të luftojnë pa u lëkundur dhe të jenë të angazhuara, por edhe të përfshijnë të gjithë institucionet e tjera, të gjithë aktorët e shoqërisë, për të përballur krimin e organizuar. Sepse krimi i organizuar është një e keqe për këdo, për çdo individ, për çdo komunitet, për çdo agjenci, për çdo aktor, për çdo faktor në shoqërinë shqiptare. Eshtë një problem serioz dhe unë kërkoj që ne ta trajtojmë, dhe që të gjithë ta trajtojnë me seriozitet.
ZERI I AMERIKES: Një debat i ashpër po zhvillohet këtë ditë në Shqipëri lidhur me një ligj të ri, atë të mbetjeve, që u miratua javën e kaluar, pasi ishte shfuqizuar tre vjet më parë nga e njëjta qeveri. A do ta miratoni ju këtë ligj?
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Unë do ta shoh, padyshim do ta shoh ligjin, sapo të kthehem së bashku me këshilltarët dhe ndihmësit e mij, sepse të jem i sinqertë nuk e kam parë ende ligjin në tërësinë e vet dhe çfarë ligji parashikon dhe çfarë ai thotë në nene të caktuara të tij. Por ajo që unë kam dashur deri tash këto ditë, madje duke qenë edhe në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, ka qenë një reagim shqetësues që vjen nga qytetarët. Unë kam takuar mjaft qytetarë edhe në Nju Jork, të cilët më kanë folur pikërisht për këtë ligj, më kanë folur me shqetësim për këtë ligj. Kam ndjekur përmes medias reagimet e qytetarëve në Tiranë. Sensibiliteti i qytetarëve është baza e sjelljes institucionale. Por natyrisht, që në kontekstin kushtetues, unë do ta shoh ligjin sapo të kthehem në Tiranë.
ZERI I AMERIKES: Zoti President, brenda muajve të mbetur të këtij viti ju duhet të vendosni datën për zgjedhjet e ardhshme politike, por ndërkohë reforma zgjedhore ka mbetur në vend. A mendoni se po vonohet miratimi i kësaj reforme?
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Kjo është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e forcave politike dhe e parlamentit në tërësi. Kanë rekomandime mjaft të qarta të OSBE, të ODIHR-it në lidhje me reformën zgjedhore, në lidhje me ndërhyrjet në ligjin përkatës, në infrastrukturën zgjedhore. Ka mjaft problematika me të cilat jemi ndeshur dhe janë evidente, veçanërisht besueshmëria ndaj proceseve zgjedhore që lidhen me blerjen e votës, apo me përfshirjen e individëve në veprimtari kriminale në procese zgjedhore, në fushata elektorale apo në frikësimin e zgjedhësve, të cilat janë probleme shumë serioze që lidhen jo thjeshtë me një proces zgjedhor, por lidhen me demokracinë funksionale, me shtetin e së drejtës dhe liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri. Ndaj unë besoj se ky është një proces, i cili duhet t’i thërrasë menjëherë palët të ulen në tryezën e diskutimit dhe të adresojnë të gjitha shqetësimet që kanë ngritur, qoftë OSBE-ja, ODIHR apo Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian, Departamenti i Shtetit, vëzhguesit vendorë, forcat politike- Eshtë një proces, i cili duhet menjëherë jo vetëm të nisë, por edhe të ketë një diskutim dhe një debat shumë të gjërë, sepse lidhet me një nga çështjet më fondamentale të lirisë dhe demokracisë. Ne flasim për demokraci funksionale, nëse ne nuk do të kemi një proces zgjedhor tërësisht të lirë, të drejtë dhe të paanshëm në kuptimin e ndikimit të aktorëve, dhe faktorëve të tjerë që s’kanë lidhje me proceset zgjedhore, atëherë do të dëmtohet shumë jo vetëm thjesht imazhi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, por do të dëmtohet prosperiteti dhe ecuria e mëtejshme e reformave në Shqipëri.
ZERI I AMERIKES: Zoti President, gjatë qëndrimit në Nju Jork ju patët takime të shumta me diasporën, e komunitetin shqiptaro-amerikan atje. Shpeshherë flitet në Shqipëri për ndihmën që duhet të japë diaspora për zhvillimin e vendit, por pak ndihet ndihma në drejtim të kundërt. Pra çfarë po bën shteti shqiptar për këtë disaporë, që ajo të ndihmojë shtetin? Bie në sy, që partitë politike shpenzojnë qindra mijëra dollarç për lobizëm për interesat e udhëheqësve të tyre, por nuk vihet re një përpjekje serioze nga shtetit shqiptar për të patur konmunikime të vazhdueshme me diasporën. A mendoni se ka shpresë për një lëvizje e tillë në të ardhmen?
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Së pari do të desha të thoja se kam konstatuar, sa herë që kam patur rastin të vizitoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe shtete të ndryshme, të kontaktoj me diasporën shqiptare dhe kam parë që qasja e saj, niveli i funksionimit dhe i organizimit të saj ka qenë gjithmonë më i mirë dhe më i arrirë. Kemi potenciale të jashtëzakonshme brenda diasporës shqiptare. Kështuqë që komunikimi me diasporën unë mendoj që duhet të vijë në dy drejtime: së pari në ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të elementit që ka të bëjë me identitetin kombëtar; ka një gatishmëri dhe një ofrim të aktivitetit dhe të dinamikës së diasporës, jo vetëm për ta ruajtur dhe për ta mbajtur gjallë çështjen e identitetit kombëtar shqiptar, por edhe për ta pasuruar dhe për ta promovuar këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga SHBA në ambiente dhe hapësira të tjera. Së dyti, është përfitimi nga kapacitetet që ne kemi. Kemi kapacitete intelektuale, por edhe ekonomike dhe financiare në diasporën shqiptare. Prandaj unë mendoj që ka ardhur koha që ne t’i ikim retorikës. T’u ikim deklaratave. Unë nuk vë në dyshim vullnetin dhe dëshirën që ekziston tek çdo aktor në Shqipëri për të qenë bashkëpunues dhe për ta anagzhuar diasporën, por ka ardhur koha për të folur për platforma konkrete. Ne duhet të krijojmë institucione dhe mekanizma. Nuk e kthen diasporën që të investojë në Shqipëri vetëm me konferenca, apo vetëm me deklarata, apo me takime, qofshin ato edhe shumë mirë të organizuara. Ne duhet të shikojmë se çfarë kapëacitetesh ekonomike apo financiare të diasporës shqiptare duhet të jenë prezent në fushën e investimeve ekonomike dhe cilat duhet të jenë kapacitetet që duhet të pëfshihen në menaxhimin e resurseve që ne kemi në Shqipëri. Unë mendoj që ne kemi një problem shumë të madh në Shqipëri, i trashëguar në vite dhe dekadat, i cili ka të bëjë jo thjesht me problemet e korrupsionit dhe të burokracisë në funksionimin e shtetit dhe të mekanizmave; ne kemi një problem shumë të madh, me nivelin e mënyrës dhe të mjeshtërisë, apo “skilleve” siç thuhet në SHBA të resurseve që kemi: ne kem mjaft resurse, por vuajmë nga mënyra e menaxhimit të tyre. Dhe unë mendoj se diaspora shqiptare, me kapacitetet që ka krijuar, mund të ndihmojë mjaft mirë në krijimin e një identiteti dhe një kulture të re menaxheriale të këtyre potencialeve dhe resurseve që ne kemi.
ZERI I AMERIKES: Zoti President, edhe një pyetje e fundit, sot zhvillohet debati i parë, i tre të tillëve në SHBA, mes kandidatëve Trump dhe Klinton. Ky debat pritet që të ndiqet si asnjëherë më parë, sipas disa vlerësimeve, nga 100 milionë vetë. Ne do të ishim të interesuar për mendimin tuaj për zgjedhjet e këtij viti në Shtetet e Bashkuara. Kryeministri i vendit tuaj, është shprehur disa herë për kandidatin republikan, se zgjedhja e zotit Trump do të ishte fatkeqësi për Amerikën. Ju, si i shikoni zgjedhjet këtu në Amerikë?
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Ne duhet të jemi të sinqertë dhe të vërtetë. Zgjedhjet në Amerikë janë shumë të rëndësishme për mbarë botën, pasi lidershipi amerikan është evidentuar mjaft qartë në çështjet madhore që ka sot globi për të përballuar sfida të mëdha dhe rreziqe. Kudo lidershsipi amerikan dhe SHBA janë në pararojë për të ndihmuar të gjithë njerëzimin dhe planetin në përgjithësi për të përballuar sfidat që kemi; ndaj, zgjedhjet në SHBA marrin një dimension global dhe pa dyshim, për Shqipërinë ato janë shumë të rëndësishme: SHBA përbëjnë aleatin tonë kryesor strategjik, përbëjnë mikun tonë më të madh, përbëjnë partnerin tonë kryesor në rrugëtimin e zhvillimit dhe të prosperitetit dhe të integrimit euroatlantik të Shqipërisë. Për ne shqiptarët, ka qenë historikisht SHBA, populli amerikan, një aset i vyer dhe ne nuk i kemi ndarë dhe nuk i ndajmë në demokratë dhe republikanë kur vjen puna tek miqësia dhe bashkëpunimi me SHBA. Unë jam i bindur, se cilido që të jetë presidenti i SHBA, do të jetë një mik i mirë i afërt i Shqipërisë dhe i shqiptarëve kudo ku ata janë, sepse kemi interesa të përbashkëta strategjike dhe nuk na ndajnë çështje të tilla; përderisa kemi interesa të përbashkëta strategjike, është garancia më e madhe, që kushdo që do të jetë presidenti do të jetë një mik i mirë i yni.
ZERI I AMERIKES: Zoti President ju faleminderit.
PRESIDENT BUJAR NISHANI: Ju faleminderit juve.
Ndaje me miqte