Një grup i armatosur turk thotë se ka marrë pushtetin në Turqi
TRIBUNA
15 Korrik 2016
Një spiker i televizionit shtetëror turk, TRT, lexoi para pak në transmetim të drejtpërdrejtë një komunikatë, duke thënë qysh në fillim se ai po zbatonte një urdhër të ushtrisë turke.
Spikeri tha se do të hartohet kushtetutë e re, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ai shtoi se rendi demokratik dhe karakteri sekular i shtetit turk ndodhen të rrezikuara nga qeveria e sotme.
Spikeri tha se pushtetin në Turqi e ka marrë një “këshill i paqes”, i cili do të garantojë sigurinë e qytetarëve.
Spikeri tha se “këshilli i paqes” nuk do të lejojë prishjen e rendit publik. Liria e qytetarëve është e garantuar nga “këshilli i paqes”, pavarësisht besimit fetar, racës dhe gjuhës.
Ai shtoi se në të gjithë vendin është vendosur ligji ushtarak.
Erdogan, mesazh me Skype
Presidenti i Turqisë, Recep Taypp Erdogan u ka drejtuar një mesazh nëpërmjet Skype-s qytetarëve turq, duke kërkuar prej tyre që t’u përgjigjet puçistëve. Erdogan deklaroi se ata do të ndëshkohen.
Ndërkaq, një burim pranë presidentit u deklaroi agjencive të huaja se Erdogan dhe qeveria turke ndodhen ende në pushtet dhe se nuk do të tolerojnë asnjë tentativë për të minuar demokracinë.
Ndërpriten transmetimet e TRT
40 minuta pas mesnate, sipas agjencisë Reuters, televizioni shtetëror turk, TRT i ndërpreu transmetimet.
Turqi, në zhvillim një tentativë për grusht shteti
Kryeministri i Turqisë ka denoncuar një “aksion të paligjshëm” nga një “grup” ushtarakësh, me ura të mbyllura në Stamboll dhe avionë që fluturojnë ulët mbi Ankara.
Kryeministri Yildirim citohet nga BBC të ketë thënë se aksionet ushtarake nuk ishin të autorizuara, por kjo nuk ishte një grusht shteti. Ai tha se qeveria ishte në krye të detyrës.
Trafiku është ndaluar në urën e Stambollit dhe atë Fatih Sulltan Mehmet.
Ka raportime për të shtëna në kryeqytetin Ankara.
U tha gjithashtu se tanbkle janë dislokuar jashtë aeroportit të Stambollit.
Yildirim i tha televizionit NTV me telefon: “Ne jemi duke punuar mbi mundësinë e një tentative. Nuk do ta lejojmë këtë”. Ai nuk dha detaje.
“Ata që janë pjesë e këtij akti të paligjshëm do të paguajnë çmimin më të lartë”, shtoi Yildirim, duke thënë se nuk do të ishte e drejtë ta përshkruajë lëvizjen si një “grusht shteti”.
Ndaje me miqte