0030 210 33 18 483

Një lexim i shpejtë i tentativës për grusht shteti në Turqi

Robert GORO 15 Korrik 2016

1.Tentativa për grusht shteti duket se po shkon drejt dështimit në rreth 4 orë që nga momenti i shfaqjes. Si kujtim i hidhur do të mbetet për shumë kohë numri i viktimave, që mbetet të verfikohet e të shpallet. 2. Në rast se tentativa përfundimisht dështon, atëherë ka dy mundësi për sjelljen e presidentit Erdogan: a) Ose do të rrisë edhe më shumë autoritarizmin e vet, ose b) do të tregojë shenja të qarta moderimi. Eshtë vështirë të paragjykosh se cila nga dy mundësitë do të zotërojë. (Erdogan, armiku i betuar i rrjeteve sociale dhe internetit, ndoshta tash e tutje do të ndryshojë qëndrim në këtë pikë, pasi e vetmja mundësi që t’u drejtohej qytetarëve ishte -për ironi të fatit të tij- pikërisht interneti...) 3. Dalja masive e qytetarëve në rrugët e qyteteve kryesore, mendoj se ka ndikuar që puçistëve t’u pakësohet vrulli. Kjo, veç të tjerash, dëshmon se në atë Turqi me probleme të shumta të funksionimit të demokracisë, ka -megjithatë-, një shoqëri civile energjike dhe aktive - gjë që, përndryshe është dëshmuar edhe herë të tjera këto vitet e fundit. 4. Organizatorët e puçit, sipas njoftimeve të para të agjencive të lajmeve, janë disa ushtarakë e ish ushtarakë të rangjeve të ulëta. Kjo mund të ketë sjellë si rezultat distancimin e gjithë komandantëve madhorë të armatave të ushtrisë turke. 5. Lideri i opozitës turke, Qemal Kiliçdaroglu, mbajti që në momentin e parë një qëndrim tepër konstruktiv, duke u distancuar edhe ai nga tentativa për grusht shteti: “Ky vend ka vuajtur kaq shumë nga grushtet e shtetit. Nuk duam që vendi të përjetojë të njëjtat vështirësi. Ruajmë në mënyrë të plotë besimin tonë në demokracinë. Partia Republikanë mbështetet në vullnetin e lirë të qytetarëve, që është i domosdoshëm për demokracinë tonë parlamentare”. Kaq, për sonte; ora është 02,32. Me gjasat më të shumta që pas pak tentativa të deklarohet edhe faktikisht e dështuar, ajo që mund të thuhet me siguri të plotë, është se e shtuna në Turqi do të gdhihet si një ditë krejtësisht tjetër...

Ndaje me miqte