0030 210 33 18 483

Një zgjidhje gjysmake: Shtyhen deri më 30 qershor lejet e skaduara

Robert GORO 02 Shkurt 2018

Qeveria greke ka vendosur të shtyjë për një periudhë pesë mujore një numër të madh leje qëndrimi të emigrantëve. Bëhet fjalë për lejet e qëndrimit që kanë skaduar pas 18 dhjetorit të vitit të kaluar, si dhe ato që do të skadojnë deri më 28 shkurt. Kjo masë u vendos të merret pas një defekti të rëndë që ka nxjerrë jashtë funksionimit sistemin kompjuterik të ministrisë së emigracionit. Ky zhvillim që ndodhi më 18 janar, paralizoi shërbimet e emigracionit në gjithë Greqinë, pasi aty nuk mund të bëhej asnjë veprim. Por vetë emigrantët që nuk mundnin të rinovonin lejet e qëndrimit rrezikoheshin të përballeshin me probleme më të mëdha, pasi kalonin automatikisht në një gjendje ilegaliteti. Vendimi i publikuar të premten në orët e vona të pasdites, është një zgjidhje gjysmake që ofron ministria e emigracionit. Themi gjysmake, pasi emigrantët e shumtë që përfshin kjo masë, konsiderohen vërtet se kanë qëndrim të ligjshëm në Greqi. Por ata nuk mund të udhëtojnë jashtë Greqisë, bie fjala të shkojnë në Shqipëri, derisa leja e tyre e qëndrimit të rinovohet normalisht. Siç vinim në dukje edhe para disa ditësh, në fillim të vitit 2018, na u rikthyen situatat e fillimit të shekullit, që thuajse i kishin harruar tashmë. Megjithatë, bashketdhetarët tanë, të mësuar me vështirësi dhe probleme, mund të ngushëllohen duke thënë “kur nuk ke pulën, ha sorrën” apo “nga Hiçja, mirë dhe Birçja”... Qarkorja e Ministrisë së Emigracionit Me një shkresë urgjente ministria e emigracionit njoftoi të premten në mbrëmje se i ka dërguar parlamentit një amendament. “Lejet e qëndrimit që skaduan në periudhën nga 18 dhjetori i vitit të kaluar deri më 17 janar, si dhe ato që skadojnë nga 18 janari deri më 28 shkurt, kanë afat që të rinovohen deri më 30 qershor 2018”, përcakton amendamenti i paraqitur. Amendamenti gjithashtu sqaron se “Për periudhën nga data e skadimit deri në ditën e aplikimit për rinovim, këto leje konsiderohet se janë shtyrë automatikisht. Vlefshmëria e këtyre leje qëndrimi fillon të nesërmen e datës së skadimit të tyre”. Amendamenti gjithashtu sqaron se, gjithë emigrantët që trajtohen nga ky amendament, konsiderohet se kanë qëndrim të ligjshëm në Greqi për gjithë periudhën deri kur të aplikojnë për rinovimin e lejes së qëndrimit. Ministria e emigracionit njofton gjithashtu se sistemi kompjuterik do të rivihet në funksionim të hënën, më 5 shkurt. Qarkorja e përkthyer JASHTEZAKONISHT URGJENTE Athinë, 2 shkurt 2018 Gjithë administratave të decentralizuara Drejtorive të shtetasve të huaj dhe emigracionit Në vazhdim të komunikimit tonë, ju bëjmë me dije që Sistemi Informatik i Emigracionit dhe Nënshtetësisë do të rivihet në funksionim të hënën e ardhshme, më 5 shkurt 2018. Ju bëjmë gjithashtu me dije që Ministria e Politikës së Emigracionit po dërgon në parlament një amendament me përmbajtjen që vijon: “Lejet e qëndrimit që skaduan në periudhën nga 18 dhjetori i vitit të kaluar deri më 17 janar, si dhe ato që skadojnë nga 18 janari deri më 28 shkurt, kanë afat që të rinovohen deri më 30 qershor 2018. Për periudhën nga data e skadimit deri në ditën e aplikimit për rinovim, këto leje konsiderohet se janë shtyrë automatikisht. Vlefshmëria e këtyre leje qëndrimi fillon të nesërmen e datës së skadimit të tyre”. Për sa më sipër, luteni të informohen shërbimet tuaja me qëllim që të kryejnë veprimet e nevojshme me qytetarët e vendeve të treta. Me këtë amendament, qytetarët e vendeve të treta që posedojnë leje qëndrimi të cilat skadojnë në periudhën nga 18 janari 2018 deri më 28 shkurt 2018, konsiderohet se kanë qëndrim të ligjshëm në Greqi dhe mund të kryejnë çdo veprim që do t’u mundësonte leja e tyre e qëndrimit, pasi pasi leja e skaduar konsiderohet e shtyrë automatikisht. Rrjedhimisht, ofrohet mundësia që të pranohet më shpejt aplikimi për rinovim apo marrjen e lejes së qëndrimit kur kjo është e mundur, si dhe në rastet kur rezulton një arsye serioze për këtë përshpejtim. Drejtoria e përgjithshme e Policisë Greke informohet që qytetarët e mësipërm të vendeve të treta konsiderohen si banorë të ligjshëm në Greqi dhe për periudhën në fjalë nuk do të duhet që kundër tyre të dalin vendime për largim nga vendi për shkak të skadimit të lejes së qëndrimit. Eshtë e qartë se sa më sipër nuk zbatohet nëse ka arsye madhore që imponojnë marrjen e vendimit për largim. Gjithashtu qytetarët e vendeve të treta që erdhën në Greqi me vizë hyrëse kombëtare apo me çfarëdo vizë hyrëse, që u mundëson aplikimin për leje qëndrimi dhe nuk e bënë aplikimin për arsye të prishjes së sistemit kompjuterik, do të duhet që shërbimet e emigracionit t’i pranojnë aplikimet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur nga data e rifunksionimit të sistemit. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Politikës së Emigracionit, Miltiadhis Klapas".

Ndaje me miqte