Obama shpreh mbështetjen ndaj Greqisë por thekson rëndësinë e reformave
Robert GORO
16 Nentor 2016
Presidenti amerikan, Barack Obama ka deklaruar gjatë vizitës së tij në Athinë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Greqinë në përpjekjet për kapërcimin e krizës ekonomike dhe financiare. Por presidenti Obama ka theksuar edhe nevojën e vazhdimit të reformave, si të vetmen rrugë për t’u rikthyer në ritme pozitive të rritjes ekonomike.
“Shpresojmë që kjo rritje e cila po vërehet, të jetë elementi mbi të cilin do të ndërtojmë dhe bashkë me reformat do të mbërrijmë në një situatë normale”, ka deklaruar Obama gjatë takimit me kryeministrin Tsipras.
“Paralelisht, ne nga ana jonë do të vazhdojmë të insistojmë dhe të mbrojmë tezat tona se vetëm me masat shtrënguese nuk arrihet prosperiteti dhe se do të duhet të ketë një lehtësim të borxhit (grek), me qëllim që të ketë një zhvillim ekonomik”, ka deklaruar Obama.
“Do të vazhdoj të inkurajoj kreditorët e Greqisë që të bëjnë çfarë kërkohet për t’u rimëkëmbur vendi”, tha presidenti amerikan, duke shtuar se masat shtrënguese nuk janë recetë që e ndihmon ekonominë dhe se grekët duhet të shohin përmirsime në jetën e tyre të përditshme.
Më pas, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin grek, presidenti Obama shprehu një optimizëm të përmbajtur se vendet më të pasura të Veriut të Europës do të pranojnë që të jepet një zgjidhje për borxhin grek. Presidenti amerikan sqaroi se qeveritë e tyre vendeve kanë politikat e tyre dhe elektoratin e tyre. Mirëpo, theksoi, duke parë gjithë ndryshimet në Greqi dhe gjithë sa ka kaluar populli grek, atëherë të dy palët mund të konkludojnë një zgjidhje brenda vitit të ardhshëm.
“Tani që ekonomia greke ndodhet në një kurs zhvillimi, është momenti më i mirë për një zgjidhje në çështjen e borxhit”, tha presidenti Obama.
Presidenti amerikan ndërkaq, nuk sqaroi nëse do ta diskutonte këtë me kancelaren gjermane Angela Merkel, me të cilën do të takohet në Berlin, pas largimit nga Athina.
Ndërkaq, kryeministri grek, Aleksis Tsipras ishte më optimist se presidenti Obama për këtë çështje. Ai tha se kancelarja Merkel do të pranojë lehtësimin e borxhit, pasi sipas zotit Tsipras kjo gjë parashikohet në marrëveshjen e vitit të kaluar.
Në këtë sens, tha kryeministri grek, e konsideroj si tepër esenciale praninë e Barack Obamas në Athinë, por edhe në Berlin, në këtë moment krucial, kur priten vendime që nuk kanë të bëjnë vetëm me Greqinë, por kanë të bëjnë me gjithë Europën dhe rrjedhimissht ekonominë botërore në tërësi.
Krahas çështjeve globale, si ajo e sigurisë apo kriza e refugjatëve, Tsipras tha se me presidentin Obama u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike, me theks në perspektivat për investime amerikane në Greqi. Gjithashtu gazsjellësi TAP dhe ai që do të lidhë Bullgarinë me Greqinë dhe Italinë, si dhe projekte për platforma detare të depozitimit të gazit të lëngshëm.
Pvarësisht masave drakoniane të sigurisë, në orët e mbrëmjes u shënuan trazira gjatë protetave të organizuara kundër vizitës së presidentit Obama. Policia përdori gazin lotsjellës në qendër të Athinës me qëllim që të pengonte protestuesit t’i drejtoheshin selisë së ambasadës amerikane.
Në mbyllje të vizitës së tij në Greqi, Barack Obama do të mbajë të mërkurën edhe fjalimin e fundit në tokën europiane.
Sipas burimeve nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Obama do të nënvizojë rëndësinë e qeverisjes demokratike dhe do t’u referohet sfidave të globalizmit, dobive që ka sjellë, por edhe pabarazive që ka shkaktuar dhe që kërkohet të korrigjohen.
Obama pritet të flasë edhe për zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA dhe referendumin në Britani që rezultoi me vendimin për largimin e vendit nga Bashkimi Europian.
Pas fjalimit, që konsiderohet si testamenti politik i Barack Obamas, presidenti amerikan do të largohet nga Athina, me destinacion kryeqytetin gjerman, Berlin.
Ndaje me miqte