0030 210 33 18 483

Operacion i gjerë kundër mafias kalabreze 116 anëtarë të Ndranghetas të arrestuar

AFP 04 Korrik 2017

Më shumë se 1 000 karabinierë morën pjesë në një operacion të gjerë kundër Ndranghetas, mafia më e fuqishme kalabreze, duke arrestuar 116 anëtarë mes të cilëve krerë të rëndësishëm të organizatës, njoftuan sot autoritetet. Karabinierët u mbështetën nga helikopterët, njësitë policore dhe specialistët në kërkimin e bunkerëve që mendohet se shërbejnë për fshehjen e krerëve të mafias. Akuzat kryesore që rëndojnë ndaj tyre janë konspiracione kriminale të tipit mafioz, grabitje, mashtrime dhe armëmbajtje pa leje. Rreth 24 familje mafioze të Kalabrisë, në jug të Italisë, ishin objektiv i këtij operacioni që mundësoi gjetjen e strukturave të tjera të Ndranghetas, si disa lloj “gjykatash” të supozuara për zgjidhjen e konflikteve të brendshme mes klaneve të ndryshme. “Ne kemi goditur krerët e familjeve më të rëndësishme, të gjithë drejtuesit”, deklaroi për shtypin, Federico Cafiero de Raho, prokuror i Reggio de Calabre, kryeqyteti i rajonit. “Ne kemi goditur zemrën e Ndranghetas në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo zemër e Ndraghetas drejton një kompani të vërtetë”, theksoi gjenerali i karabinierëve, Giuseppe Governale. Ndrangheta, që derivon nga greqishtja e vjetër dhe ka kuptimin “kurajo”, mendohet se e ka tejkaluar mafian siçiliane dhe napolitane në sajë të trafikut të kokainës në Amerikën Latine. Bazuar në një strukturë shumë familjare, ajo është e vendosur kryesisht në Kalabri, por arrestimet e fundit kanë treguar se ajo ka qenë gjithashtu shumë influente në veri të gadishullit madje dhe në vende të tjera evropiane. Ndrangheta dyshohet se numëron disa qindra klane dhe është aktive në 30 vende. Në një prej regjistrimeve të bisedave telefonike realizuar nga karabinierët, dëgjohet një “boss” që deklaron: “Shteti këtu jam unë”. “Këto përgjime tregojnë një presion të vazhdueshëm në kuadër të shantazhit kundë disa bashkive dhe vendosjen e një lloj takse prej 10 për qind në trgjet publike”, theksojnë hetuesit. “Këto arrestime tregojnë edhe një herë angazhimin e jashtëzakonshëm që forcat e sigurisë dhe magjistraturës ndërmarrin çdo ditë për të luftuar kundër çdo forme kriminaliteti”, theksoi ministri i Brendshëm, Marco Minniti.

Ndaje me miqte