Opozita Tsiprasit: &ldquoMblidhja rripat&rdquo kryetares së Parlamentit!
18 Qershor 2015
Tri parti opozitare, Demokracia e Re, To Potami dhe PASOK, kanë kërkuar ndërhyrjen e kryeministrit Aleksis Tsipras, pas sulmit që ndërmori kryetarja e parlamentit Zoi Konstantopulu, ndaj guvernatorit të bankës së Greqisë, Janis Sturnaras.
Konstantopulu nuk pranoi të merrte në dorëzim Raportin Vjetor të Politikës Monetare të Bankës së Greqisë, një raport që i dorëzohet rregullisht Parlamentit. Fillimisht, Konstantopulu tha se raporti duhej dorëzuar i shtypur në letër dhe jo në trajtë elektronike në një stik USB, siç është bërë gjithë vitet e fundit.
Por më pas, kryetarja e parlëamentit kaloi në një sulm personal ndaj zotit Sturnaras, që ka qenë ministër i financave në qeverinë Samaras, nga qershori 2012 deri në qershor 2014.
“Zoti Sturnaras ka qenë i rreshtuar me politikën e memorandumeve dhe ka shkelur detyrimet e tij si guvernator i Bankës së Greqisë”, tha Konstantopulu duke iu referuar konstatimit që përmbahet te Raporti se “dështimi në negociata do të jetë fillimi i një rruge të dhimshme që do të shpjerë fillimisht në falimentim dhe përfundimisht në daljen e vendit nga zona e euros”. Kryetarja e parlamentit e cilësoi si “të papranueshëm” Raportin dhe e ktheu mbrapa.
Që nga ai moment, SYRIZA nisi një sulm frontal kundër guvernatorit, ndërsa një nga deputetet kontraversale të kësaj partie, Rakel Makri, bëri të ditur se po përgatit një kallzim penal kundër zotit Sturnaras.
Incidenti i kryetares së Parlamentit kundër guvernatorit të Bankës, shkaktoi një valë reagimesh mediatike dhe politike.
Zëdhënësi i shtypit i Demokracisë së Re, Kostas Karagunis, e cilëson si “delirante” sjelljen e zonjës Konstantopulu, që sipas tij diskrediton institucionet. “Deri kur zoti Tsipras do të heshtë ndaj banalizimit të parlamentit dhe diskreditimit të institucioneve, të cilat madje dhe ministra të qeverisë së tij i kanë kritikuar?”.
Nga ana e vet, To Potami, e cilëson si të paprecedentë sulmin kundër guvernatorit të Bankës së Greqisë, dhe u referohet “recetave nga e kaluara e errët”. “Loja e gjetjes së armiqve të brendshëm dhe komploteve ndërkombëtare është sporti i preferuar i kuadrove të SYRIZA-s dhe ANEL-it, të cilët kopjojnë praktika të së kaluarës së errët. Në këto momente kritike, z.Tsipras do të duhej të gjente guximin dhe t’u tregojë “njerëzve të tij” se vendi ka nevojë për aleatë dhe mirëkuptim kombëtar”.
PASOK-u nënvizon se kryetarja e Parlamentit “harron përsëri rolin e saj institucional”. Dhe shton: “Sjellja e saj nuk ka asnjë lidhje me detyrën e saj dhe respektin që duhet të ketë ndaj postit. Zoti Tsipras duhet ta ndajë pozicionin e tij dhe mos të mbështesë sjelljen e papranueshme të saj, që i bën dëm të madh vendit, në një periudhë kritike për të ardhmen e Greqisë”.
Tribuna
Ndaje me miqte