Optimizëm në rifillimin e negociatave për Qipron
TRIBUNA
09 Janar 2017
Liderët e komuniteteve qiprioto-grek dhe qiprioto-turk do të rifillojnë të hënën në Gjenevë bisedimet për paqe, parë si një mundësi historike për t’i dhënë fund më shumë se 40 viteve ndarje të ishullit të Mesdheut, por fundi i tyre mbetet i pasigurtë.
“Ekziston një mundësi reale që 2017 të jetë viti kur qipriotët do të vendosin vetë për të kthyer faqen e Historisë”, deklaroi i dërguari i OKB-së për Qipron, Espen Barth Eide, në urimin e tij për Vitin e Ri.
Presidenti i Republikës së Qipros, Nikos Anastasiadis u shpreh optimist para se të nisej drejt Zvicrës.
“Ne do të shkojmë në Gjenevë me një ndjenjë pozitive”, theksoi nga ana e tij lideri qiprioto-turk, Mustafa Akinci.
OKB-ja nuk ka bërë shumë përpjekje për t’i dhënë një drejtim procesit të negociatave të nisura 19 muaj më parë, në maj 2015 dhe që u bllokuan më 22 nëntor. Të mbledhur në atë kohë në Zvicër, Anastasiadis dhe Akinci kishin mendime të ndara për një mosmarrëvshje ekzistuese.
Edhe pse ata pranuan të rifillojnë bisedimet, dy kampet shfaqën mosmarrëveshje të thella për çështjet vendimtare që duhen zgjidhur për t’i dhënë fund një prej konflikteve më të vjetra në botë që ka të bëjë me mosmarrëveshjet territoriale dhe të sigurisë dhe kthimin e pronës së grabitur.
“Do isha i çuditur nëse do të kishte një marrëveshje globale duke parë vështirësitë”, theksoi Andreas Theophanous, drejtor i qendrës për çështjet evropiane dhe ndërkombëtare në Nikozi.
Qipro, që numëron rreth një milionë banorë, është ndarë që prej vitit 1974, kur ushtria turke pushtoi pjesën veriore të ishullit në reagim të një grushti shteti që parashikonte bashkimin e Qipros me Greqinë, gjë që shqetësoi minoritetin turkofon të ishullit. Ky pushtim u pasua nga zhvendosje të konsiderueshme të popullsisë.
Ndaje me miqte