PD: Kërkojmë referendum të ri për importimin e mbetjeve
TRIBUNA
30 Shtator 2016
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në seancën parlamentare ka kerkuar qe te mbahet nje referendum për ligjin e importit të mbetjeve.
Paloka në fjalën e tij në Kuvend tha se “Kjo kërkesë për referendum duhet të futet dhe të votohet sot në seancën parlamentare, pra një kërkese për t’u futur në rend të ditës sot në seancën parlamentare. Lejimi i futjes së mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë cënon interesin publik për shkak se rrezikon jetën dhe shëndetin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm, krijon premisë të qartë të zhvillimit të këtij aktiviteti me grupet kriminale ndërkombëtare të importimit të mbetjeve të rrezikshme, bie ndesh me prioritetet e zhvillimeve ekonomike kombëtare. Ky fakt nënkupton se lejimi ose jo i importimit të llojëve të caktura të mbetjeve është çeshtje me interes publik dhe për pasojë, konsiderohet një çeshtje me rëndësi të vecantë në konceptin e nenit 150/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
“Importi i mbetjeve ka qenë temë e debatit publik dhe më parë dhe opinioni publik është shprehur edhe më parë në mënyrë masive kundër importimit të mbetjeve dhe kete e tregon mbledhja e 64 mijë firmave kundër lejimit të importit të mbetjeve në kuadër të kërkesës për zhvillimin e një referendumi për këtë çeshtje. Kjo kërkesë e nënshkruar nga më shumë se 64 mijë qytetarë është konsideruar e ligjshme dhe për pasoje, me dekretin Nr. 80/93, datë 08.04 2013 për caktimin e datës për referendum, data 22 dhjetor 2013, në kushtet kur ligjvënësi ndaloi me ligj importin e mbetjeve, ateherë referendumi i dekretuar nga Presidenti i Republikës nuk u zhvillua”, tha Paloka
Paloka theksoi se “Në mbështetje të pikes 2, të nenit 150 të Kushtetutës, ku specifikohet se Kuvendi me propozimin e jo më pak se 1/5 e deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendose që per një ceshtje apo një projekt-ligj i një rëndësi të vecantë të shkohet në referendum. Kërkojmë nga Kuvendit paranimin e kërkesës për zhvillimin e një referendumi, konkretisht: “A duhet të lejohet importi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë”.
Ndaje me miqte