PE projektrezoluta për Shqipërinë: Polarizimi politik rrezikon integrimin
14 Prill 2015
Ndër 192 amendamente të grumbulluara gjithsej mbi project-rezolutën për Shqipërinë, propozuar nga raportuesi Knut Fleckenstein, grupimet kryesore politike të Parlamentit Europian janë pajtuar për të përmbledhur pjesën dërrmuese të tyre në 16 amendamente kompromisi, duke rrëzuar kryesisht disa propozime të liberalëve lidhur me gjakmarrjen dhe median, e veçanërisht amendamentet e ekstremistëve të djathtë kundër integrimit, sipas projekt-rezolutës të siguruar nga kanali televiziv “Top Chanel” dhe qe citohet nga Agjencia telegrafike Shqiptare (ATSH).
“Hapja e negociatave të anëtarësimit do të ishte një nxitje dhe do të zhvillonte më tej reformat, duke ofruar një perspektivë të besueshme dhe të prekshme të BE-së”, nënvizohet në këtë dokument.
“Por, suksesi i agjendës së reformave varet fuqishëm nga ekzistenca e një mjedisi politik demokratik”, thuhet më tej, “duke kërkuar nga mazhoranca dhe opozita që të ushtrojnë plotësisht përgjegjësitë e tyre politike dhe të jenë në gjendje për të pranuar kompromise, çfarë do të rriste besimin e qytetarëve tek institucionet publike”.
“PE është i shqetësuar për polarizimin e vazhdueshëm politik që vijon në Shqipëri, i cili do të mund të rrezikojë përpjekjet e mëtejshme të integrimit në BE”, teksa kujton koalicionin qeverisës dhe opozitën “mbi përgjegjësinë e tyre të përbashkët ndaj qytetarëve për një dialog të qëndrueshëm, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik që lejon miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe”.
Një administratë e pavarur dhe profesionale kërkohet në nivel qëndror, lokal, por dhe për organet zgjedhore. Legjislativi europian kujton përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR në prag të zgjedhjeve të 21 Qershorit.
“Mirëpret nisjen e zbatimit të ligjit për Shërbimin Civil dhe bën thirrje për zbatimin e duhur të tij që të rrisë kapacitetet administrative, depolitizimin e administratës dhe për të luftuar korrupsionin në shërbimin civil, për të forcuar meritokracinë për emërimet, promovimet e shkarkimet, për të rritur eficencën, transparencën dhe llogaridhënien”, vijon dokumenti.
Sundimi i ligjit dhe reforma e gjyqësorit mbeten të rëndësishme.
“Theksohet nevoja për të forcuar sundimin e ligjit dhe reformën e gjyqësorit, për të siguruar besimin e qytetarëve dhe të biznesit në sistemin e drejtësisë; përshëndet angazhimin e Shqipërisë ndaj reformave gjyqësore, por ende shpreh keqardhjen për mangësi të vazhdueshme në funksionimin e sistemit gjyqësor, të tilla si politizimi dhe llogaridhënia e kufizuar, niveli i lartë i korrupsionit, burimet e pamjaftueshme dhe prapambetjet”, nënvizohet në dokument.
Vlerësohen masat e marra të sigurisë për trajtimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj, kundër terrorizmit e radikalizimit, por mbetet sfida për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e droges.
“Ndërsa njeh suksesin e operacioneve të fundit të policisë, fton Shqipërinë të zhvillojë një qasje strategjike gjithëpërfshirëse dhe të marrë masa për të hequr barrierat ndaj rendimentit të hetimeve, në mënyrë që të krijojë një dëshmi provash për hetime, ndjekje dhe dënime në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet”.
Në kompromiset e eurodeputetëve përmendet dhe pavarësia e medias, e autoritetit rregullator të saj, si dhe mjedisi i lirë i punës për gazetarët. Vendit i kërkohet të përpilojë një strategji kombëtare për energjinë dhe PE mendon se Shqipëria duhet të investojë më shumë në projektet e energjisë së rinovueshme e të infrastrukturës. Vendi ftohet të përshtasë Direktivën e BE-së që synon ekologji dhe gjendje të mirë kimike për të gjitha sipërfaqet ujore natyrale.
Amendamenti i fundit i arritur me kompromis flet për rolin ndikues të Shqipërisë në rajon, veçanërisht për Kosovën e Maqedoninë, por Tirana “ftohet të marrë pjesë në mënyrë aktive për të zbatuar strategjinë adriatiko-joniane të BE-së”. Draft-rezoluta pritet të pësojë disa ndryshime, pas debatit të së hënës në Komitetin e Jashtëm euro-parlamentar.
Ndërkaq, siç raporton korrespondetja e ABC NEWS në Bruksel, Erisa Zyka, deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama për bashkimin me Kosovën, ishin shqetësimi kryesor i disa eurodeputetëve. Deklarata të tilla janë të papranueshme, sipas 3 eurodeputetëve, të cilët permendën në fjalën e tyre togfjalëshin “Shqipëria e Madhe”. Eurodeputetja, Tanja Fajon madje i kërkoi raportuesit Flenkenshtajn, t’i përcillte kryeministrit Rama sugjerimet, për t’u kursyer në deklarata të tilla, të cilat sipas Fajon, provokojnë situata të pakëndshme.
Ndaje me miqte