PS mbyll fushatën elektorale në Tiranë Rama: E vetmja skuadër fituesish që mund të ndërtojë Shqipërinë
ATSH
23 Qershor 2017
Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten, në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, se “Partia Socialiste është e vetmja skuadër fituesish që mund ta ndërtojë Shqipërinë”.
Kryeministri Rama kërkoi një votë kuqezi në 25 qershor, në mënyrë që siç tha ai, “qytetarët pa dallim bindje partiake të bëjnë një zgjedhje shumë të qartë, duke shkuar në votim për të ngritur flamurin kombëtar në lartësinë që meriton”.
Rama bëri një ekspoze të situatës ku ishte Shqipëria 4 vjet më parë, duke vënë në dukje historitë e suksesit të kësaj qeverisje.
“4 vjet më parë, ekonomia rritej me më pak se 1 për qind dhe kërcënohej të binte në gropën thithëse të sektorit të energjisë elektrike. Arsimi profesional në Shqipëri ishte një shkretëtirë, ndërsa arsimi parauniversitar ishte një torturë. 4 vite më parë, Shqipëria ishte në krizë ekonomike. Tirana dhe gjithë Shqipëria ishte në një kaos në çdo rrugë dhe ngjyra e semaforit varej nga statusi i personit. 4 vjet më parë pihej duhan në çdo mjedis publik, ndërkohë që figura e policit të shtetit ishte bërë figura më qesharake. Bregdeti i Shqipërisë ishte i mbushur me plehra dhe qytetet e Shqipërisë lëngonin në agoninë e errësirës”, tha Rama.
Kur ne morëm mandatin, vijoi kryeministri, “gjetëm një mal të fshehur me borxhe, 720 milionë dollarë borxhe të papaguara për rrugët dhe deri edhe për darkat e drekat e 100- vjetorit të pavarësisë”. “4 vjet më parë, shqiptarët që fitonin më pak, vuanin asfiksinë e lakut të taksës së sheshtë. Pastruesja e kryeministrisë paguante taksë më të lartë se kryeministri. Një furrë buke, një biznes i vogël, një sipërmarrje e thjeshtë, paguante më shumë taksa se 15-katëshi, Rogneri apo Sheratoni. 4 vjet më parë nuk kishte ilaçe, batanije, çarçaf, por vetëm njerëz të dëshpëruar që vinin vërdallë me receta në duar. Tirana ishte 4 vjet më parë rrëmujë, plot gropa dhe kudo mund të dëgjoje gërhimën e gjumit të zhegut që vazhdonte në pranverë e vjeshtë, verë e dimër. Kjo ishte me shumë pak fjalë Shqipëria që kishim 4 vjet më parë, kur njerëzit mund të niseshin për në protesta, por nuk dihej nëse do të ktheheshin apo jo në shtëpi”, shtoi Rama.
PS është në këtë betejë, tha Rama, “sepse Shqipërinë që kishim e lamë pas dhe Shqipërinë që duam, jemi të vetmit që mund ta ndërtojmë”. “Policia e Shtetit, institucioni më qesharak, më i pabesueshëm bashkë me gjykatat dhe prokuroritë, sot është institucioni më i besueshëm i shqiptarëve falë Sajmir Tahirit dhe Fatmir Xhafaj. Partia Socialiste nuk është një njeri, por është një skuadër fituesish. Në këto 44 muaj Shqipëria ka numrin më të ulët mesatar të vrasjeve dhe plagosjeve në 27 vjet”, shtoi Rama, duke renditur disa nga arritjet në fushën e sigurisë.
Siç bëmë me Policinë e Shtetit, tha Rama, ashtu duam të bëjmë edhe me administratën shtetërore në vitet që vijnë, duke i prerë rrugën influencave të të gjitha partive të pushtetit”.
Sipas Ramës, “Shqipëria sot ka 47 mijë biznese më shumë se 44 muaj më parë”. “Vetëm nga ulja e taksës kanë përfituar një rrogë më shumë në vit të gjithë punonjësit dhe falë rritjes më të madhe të rrogave brenda 1 viti, sot 97 për qind e shqiptarëve i gëzohen një situate krejt ndryshe në raport me 44 muaj më parë. Por 4 vite më pas do të jetë shumë ndryshe. Shqiptarët që kanë hapur një biznes të vogël, 44 muaj më parë paguanin më shumë taksë se bizneset e mëdha. Sot janë 83 familje në biznes të vogël që e kanë taksën zero dhe 15 mijë të tjera e kanë taksën vetëm 5 për qind, ndërkohë që bizneset e mëdha paguajnë më shumë se 44 muaj më parë, sepse ne e kemi thënë se kush fiton më shumë do të paguajë më shumë”, tha Rama.
Lidhur me punësimin, Rama tha se “Shërbimi Kombëtar i Punësimit paguante më shumë njerëz që rrinin në zyra për të hapur vende pune, se sa hapnin vende pune”. “Janë 80 mijë vende pune vetëm përmes Shërbimit Kombëtar të Punësimit. “Nuk ka ulje taksash dhe rritje shpenzimesh që sjellin zhvillim, po nuk pati shtet. Nuk ka rritje të qëndrueshme të ekonomisë dhe punësimit, po nuk pati arsim profesional për fëmijët. Ata kanë një përgjegjësi historike për brezin që tani i qajnë hallin, sepse një gjeneratë të tërë e përvëluan me diplomat e Kristalit, Vitrinat, dhe nuk u dhanë një zanat të vetëm. Ndërsa ne, në 44 muaj kemi sot 27 mijë vetë që po marrin zanate”, tha Rama.
Duke u ndalur edhe te kontestimi që i bënë opozita reformës në arsim, Rama tha se “ata që janë kundër reformës së arsim, kanë humbur pushtetin mbi shpirtërat e të rinjve”. “Nuk mundet më t’i sundojnë të rinjtë duke u dhënë bankën e universitetit pa meritë. Sot asnjë djalë politikani apo biznesmeni nuk e parakalon dot djalin e një fermeri në majë të Dajtit, nëse ka pikë më shumë”, tha Rama.
Sipas tij, ka ende shumë punë për të bërë në arsim e shëndetësi, por të gjitha këto mund t’i bëjë vetëm PS.
Sa i takon zhvillimit infrastrukturor të vendit, Rama tha se “janë hapur 641 kantiere të Rilindjes Urbane nga Tropoja deri në Konispol”. “Thonë se nuk kemi bërë 1 km rrugë. Qeveria e kaluar ka bërë shumë më shumë tendera rrugësh, por 44 muaj më parë nuk la një rrugë të mbaruar dhe të gjitha rrugët ‘i la rrugëve’ me projekte dhe kontrata skandaloze. Nëse numërojmë km e shtruara dhe paguara, duke hequr Rrugën e Kombit, në 44 muaj kemi bërë më shumë km rrugë se sa ka bërë Saliu në 8 vjet. Kemi punësuar në kantieret e Rilindjes Urbane 41 mijë e 326 shqiptarë. Rilindja Urbane nuk është zbukurim, por është qytetërim; nuk është prioritet i gabuar, por prioriteti i munguar për çerek shekulli”, tha Rama.
Ai komentoi edhe debatet e fundit mes koalicionit qeverisës për reformat, duke shtuar se “kemi të drejtë të mendojmë që ato vota na i kanë dhënë vetëm për të mos u larguar nga tepsia e pushtetit”. “Ne nuk duam të bëjmë replika, polemika, konflikte më askënd, sepse ne jemi në këtë betejë për të bërë Shqipërinë që duam. Që porta e drejtësisë, të cilën e hapi vetëm PS, të mos mbyllet, që Vettingu të zbatohet deri në fund, që gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar të shkojnë para drejtësisë, ndërsa ata që do të kalojnë Vettingun të merren me hapjen e kapakut të zullumeve çerek shekullore të politikanëve”, tha Rama në përfundim të fjalës së tij.
Ndaje me miqte