0030 210 33 18 483

Pakti Detar dhe Ligji i Luftës: çfarë deklaruan të dy ministrat në Athinë

21 Mars 2016

Pas takimit me homologun e vet grek Nikos Kotzias, ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, deklaroi për mediat se zgjidhja e problemeve midis të dy vendeve konsiston në të drejtën ndërkombëtare dhe frymën europiane. “Besoj se po ecim drejt finalizimit të mekanizmit me të cilin do të përpiqemi t’i zgjidhom këto çështje, jo thjesht përmes kontakteve të shpeshta në nivel ministrash, sekretarësh të përgjithshëm dhe komisioneve vartëse, por edhe përmes rinovimit të një skeme të përbashkët të institucionalizuar. Angazhohemi ta krijojmë këtë mekanizëm sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim që çdo pengesë në rrugën tonë të përbashkët, - qoftë nga e kaluara, qoftë nga e tashmja-, ta trajtojmë me vështrimin drejt të ardhmes, dhe t’i zgjidhim një nga një, deri sa të konkludojmë në një marrëveshje paketë... Mund të them se nuk ekzistojnë tabu në marrëdhëniet tona... Edhe sikur t’i shqyrtojmë çështjet nga këndvështrime të ndryshme, e kuptojmë se të gjitha problemet duhet të zgjidhen, jo vetëm ato që kanë peshë historike, por edhe ato aktualet. Duhet të zgjidhen, me qëllim që të çlirojmë energji pozitive midis Greqisë dhe Shqipërisë”. Të dy ministrat u pyetën edhe për ato që konsiderohen si “çështje kyçe” për marrëdhëniet shqiptaro-greke, pra Paktin e Detit dhe Ligjin e Luftës. Ja përgjigjet e tyre... PYETJE: A mund të na thoni diçka konkrete për marrëveshjen e detit? A ka ndonjë progres? DITMIR BUSHATI: Pa dyshim, ashtu siç ka çështje për të cilat ka pajtim të plotë, ka edhe çështje për të cilat ne jemi në fazën e konturimit të zgjidhjes. Një zgjidhjeje që bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe në dobinë reciproke. Shpeshherë opinioni publik diskuton për ato çështje për të cilat ende nuk kemi arritur të gjejmë zgjidhje. Por nuk bëhet shumë fjalë për gjërat që na bashkojnë. Sa i përket pyetjes tuaj, është e vërtetë se kjo çështje është pjesë e një diskutimi mbi parimet se si mund të avancohet dhe cili është mekanizmi që duhet të gjejmë, në mënyrë që t’i zgjidhim këto çështje sipas rregullave të institucionalizuara të së drejtës ndërkombëtare. Eshtë edhe në interesin tonë, edhe të Greqisë, që të vihet kjo çështje në rrugën e zgjidhjes. Eshtë një çështje që ka të bëjë me të ardhmen tonë, një çështje që inkuadrohet në gamën e gjerë të projekteve të rëndësishme që do të konkretizohen nga ana e Bashkimit Europian në rajonin e Adriatikut dhe Jonit, në gushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e energjisë. ?ështja e Zonave Ekonomike Ekskluzive do të ishte një shans i mirë për të çliruar energji pozitive, me qëllim që të promovojmë konkretizimin e këtyre projektve europiane. Në këtë sallë kam folur edhe më përpara për detin si një shans, si një pikë afrimi dhe jo si një zonë që na largon. Për gjithë gamën e çështjeve që diskutuam sot, ne diskutuam në këtë frymë. Të gjejmë këtë mekanizëm, pa iu imponuar njeri-tjetrit, me mirëkuptim të plotë. Dhe besoj se në momentin që do të kemi gjetur zgjidhjen, pa dyshim këtë do t’ia bëjmë të ditur opinionit publik. NIKOS KOTZIAS: ministrat e jashtëm janë që të zgjidhin probleme dhe për të bërë publike mendimet e tyre. Disa e keqkuptojnë këtë, sepse besojnë se ministrat e jashtëm janë që të bëjnë deklarata në media nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ajo për të cilën ramë dakord është se ekziston mekanizmi, ekziston metoda për t’u zgjidhur me një mënyrë që u shërben interesave tona, të gjitha problemet që kanë rezultuar. Kjo metodë, ky mekanizëm, na bëjnë optimistë. PYETJE: Zoti ministër i jashtëm i Greqisë, doja të pyes nëse do të çoni në Parlament abrogimin e gjendjes së luftës midis të dy vendeve. NIKOS KOTZIAS: Greqia nuk është në gjendje lufte me Shqipërinë. Këtë e dëshmon edhe deklarata e Këshillit të Ministrave të Greqisë në vitin 1987, e dëshmon anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, e dëshmon traktati i Miqësisë i vitit 1996. Nëse ka çështje juridike që sipas palës shqiptare kanë nevojë për më shumë interpretimn, siç thashë, për të gjitha çështjet ekziston mekanizmi dhe metoda që të zgjidhen. (Përkthyer sipas transkriptimit nga ministria e jashtme Greke). Tribuna

Ndaje me miqte