0030 210 33 18 483

Parlamenti Europian: Rezolutë për të drejtat e grave emigrante

03 Maj 2016

Ndihmëset shtëpiake dhe kujdestaret e të moshuarve, shumica e të cilave janë emigrante, duhet të fitojnë një status zyrtar brenda Bashkimit Europian. Njohja e punës së tyre do të ndihmojë në luftimin e shfrytëzimit, të punës së detyruar dhe të trafikut të qenieve njerëzore. Kështu kanë argumentuar deputetë të parlamentit europian, në një rezolutë të inicuar nga eurodeputetja e Greqisë, Konstantina Kuneva. Ligjvënësit europianë kanë propozuar adoptimin e modeleve të përshtatshme në menaxhim për raportet ligjore punëdhënës-punonjës, duke paraqitur shembujt e Francës dhe të Belgjikës, për dhënien fund të pasigurisë dhe të punës së padeklaruar të ndihmëseve shtëpiake. “Ndihmëset shtëpiake dhe personeli kujdestar ne japin mundësinë të vazhdojmë karrierën tonë dhe të gëzojmë jetën tonë sociale. Mundemi t’u besojmë shtëpitë tona, fëmijtë tanë, prindërit tanë, mirëpo ata janë të padukshëm, të padeklaruar, viktima të pasigurisë dhe të izolimit shoqëror. Shumica e tyre janë gra që punojnë për shumë orë dhe pa asnjë ditë pushimi, pa siguracion shëndetësor dhe të drejtë pensioni”, deklaroi zonja Kuneva, ideatore e rezolutës. “Plakja e popullsisë dhe fakti se gratë po hyjnë në tregun e punës do të thotë se nevojet tona për gratë gjithmonë shtohen. Ndërkaq, vendet anëtare të BE-së, vazhdojnë t’u lejojnë punën e zezë”, shtoi Kuneva. Rezoluta u miratua me 279 vota pro, 105 kundër dhe 2014 abstenime. Kuneva, simboli i grave emigrante Konstantina Kuneva është shndërruar në një simbol të luftës së grave emigrante për të drejtat e tyre. Kuneva emigroi nga atdheu i saj Bullgaria, në Greqi në vitin 2001 dhe punonte në një kompani të madhe pastrimi, ku zhvilloi një aktivitet të fuqishëm sindikalist. Për këtë arsye, më 22 dhjetor 2008, dy persona të panjohur e sulmuan, i hodhën acid sulfurik dhe pastaj e detyruan ta pinte, duke i shkaktuar humbjen e shikimit nga njeri sy dhe dëmtime të rënda në organet e brendshme. U desh të qëndronte një vit rresht në spital dhe t’u nënshtrohej pesë operacioneve të njëpasnjëshme me qëllim që shëndeti i saj të rehabilitohej pjesërisht, ndërsa ezofagu mbeti i shkatërruar. Më pas bëri edhe katër ndërhyrje kirurgjikale në spitale të specializuara të Francës. Në 2013, gjykata e Pireut shpalli fajtore kompaninë dhe e detyronte t’i paguante Kunevës si dëmshpërblim 250.000 euro. Mirëpo gjykata e apelit e rrëzoi vendimin, duke konkluduar se nuk vërtetohet përgjegjësia e kompanisë. Kuneva deklaroi se do ta vazhdonte betejën gjyqësore. Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian (maj 2014), Kuneva u zgjodh eurodeputete me listën e SYRIZA-s. Tribuna

Ndaje me miqte