0030 210 33 18 483

Pas leximit të romanit &ldquoSkizofrenia&rdquo të autores Eliona Gjergo Tanka

20 Janar 2016

Gjithmonë më shtyn kurreshtja të meditoj se si lind në mendjen e një artisti, formohet e kompletohet, deri në paraqitjen e fundit, historia e një vepre. Ndoshta pse edhe nga vetë përvoja ime personale, nuk kam ende një formulë të përcaktuar, prandaj më duket se kështu mund t'iu ndodh edhe të tjerëve - pa qenë asnjëherë e sigurt. Disa histori, qoftë edhe nga më të pabesueshmet, mund të jenë krye-fund reale. Të tjera po kështu po kaq imagjinare; por me qenë se praktikisht nuk mund të fantazojmë diçka që nuk e kemi parë kurrë, besoj se dhe fantazimet më të skajshme, kanë vegimet reale në jetën tonë. Të jenë pra të ndodhura, t'i kemi provuar si personazhe aktive, a si dëshmitarë të rrethanave, qoftë të afërt, qoftë të largët, si një koncentrim triumfal që artisti bën për botën, që kjo e fundit të bëhet më e perceptueshme, e dritësuar, e krahasueshme dhe kësisoj ngushëlluese, për ngjashmërinë me të jetuarin e secilit. Libri i fundit që lexova këtë fillim viti, kishte fuqinë dhe mundësinë, të më risillte në mendje këto “dilema” të këndëshme për atë pjesë esenciale të trurit që ruan me fanatizëm ende, dëshirën për t’u zhytur në faqet e shkruara nga koshienca, të frymëzuara e delikate, por që përbëjnë boshtin më të sigurt, të pathyeshëm e gjurmëtregues, në koklavitien mëdyshëse të jetës. E kam fjalën kësaj rradhe për romanin e dytë të autores së re Eliona Gjergo Tanka, ardhur në dorën e lexuesve nga Botimet Dudaj. Bëhet fjalë për një botim cilësor që tërheq vëmendjen nga ana vizuale, me autoren simpatike të paraqitet duke pasuruar në mënyrë artistike e me shije, pjesën e pasme të kopertinës joshëse të librit. Titullohet “Skizofrenia”, titull që deri diku të vendos në subjekt herët, por që në vazhdim e kupton se është një shprehje ironike, nga ato që njerëzit përdorin përbuzshëm në të përditshmen, përderisa nuk kemi vërtetë të bëjmë me këtë lloj çrregullimi mendor, apo diagnostikim, edhe pse personazhi kryesor -Kamelia-, frekuenton një klinikë të rehabilitimit psiqik, gjatë trajtimit të ngjarjeve, në vazhdimësinë e historisë së përshkruar. I gjithë libri dëftohet në vetën e parë, një figurim artistik i gjetur sepse, përveç se i shkon shumë mënyrës së gjuhës që përdor autorja, një përhumbje idilike e përgjithëshme që ka një përshkrim mjeshtëror një pjesë të mirë të librit, nuk mund të përshkruhet kaq me kaq ndjenjë deri në hollësi, përveçse duke e trajtuar si një rrëfim intim. Kjo qe për mua dhe pjesa më e dashur e librit. E mbushur me fraza të gjalla, me zhdërvjelltësi spikatëse e të ndezur. Autorja Gjergo ka elokuencë moderne, plotë vitalitet dhe vërtetësi, ka ngjyrime të një palete të pasur që të mbështjell me frekuenca të larmishme, duke të vënë si lexues të ndjehesh gati-gati shikues, por një shikues njëherësh i dy botëve: atë brenda syve dhe mendjes së Kamelias dhe atë jashtë tyre, në botën që jeton si individ. Nuk humbet në gjithë këtë dyvizionim përshkrimi të besueshëm, asnjëherë, as edhe balancimin instiktiv ndërmjet tragjedisë dhe humorit perceptiv të përshkrimit. Ajo gjithashtu as nuk mënon që që në fillimet e tekstit të "harrohet" në hollësira e detaje që luajnë me kohën subjektive të ngjarjes duke sjellë stigmën e një vallëzimi koreografik hapor, emocional, që funksionon njëkohësisht edhe si pasurim informativ për personazhet e botën e tyre emocionale, a narrative, edhe si shplodhje në përshkrimin e ngjeshur produktiv. Por përveç këtyre qëllimeve për të cilat duket se autorja është plotësisht e ndërgjegjshme në mënyrën e vet stilistike, ajo si një krijuese e mirëfilltë ka gjasa të bëjë edhe instiktivisht, pasi lexuesi e ndjen shumë origjinale e aspak "të ngucur", një tjetër "shërbim" për heroinën e vet, e në përputhje bashkjetike me të, të gjithë romanit. Gjuha intime dhe e sinqertë që përdor heroina e bëjnë lexuesin të "miqësohet" me të, ?i veshë përfytyrime të vetat, a dikujt që do dhe ndjen pranë, kështu që "fal" dhe kalon shkarazi edhe ndonjë dobësi të subjektit të librit. Them kështu sepse nëse personalisht e ndjej si paradoks ribashkimin për pak të Kamelias me të dashurin e vet të jashtëligjshëm, pas "zgjimit" të saj të brendshëm në nivele perceptimi objektiv të, jo vetëm jetës së saj dhe qëllimeve të saj primare, por dhe karakterit të tij të zhveshur tashmë nga idealizimi i verbër prej të dashuruare, justifikuese, që kishte me të drejtë deri në atë cak në mendje, - por që ndoshta, nga një prizëm tjetër do të mund gjithashtu të them se është i arsyetueshëm, le të themi, përveçse me qëllimin e hakmarrjes së përgjithshme ndaj çiftit edhe me shpirtin e mjegulluar të njeriut që shpesh vazhdon për inercinë e pavetëdijë edhe ndonjë dozë tjetër nga veprimet e mëparëshme, - rëndimi me aktivitet në linja të ndryshme, shpërqëndron pak fundin e romanit. Ndoshta edhe sepse pjesa e parë e tij flet kaq bukur dhe shkoqur në intelektin psiqik të njeriut, veçanërisht feminile dhe shprehëse, sa dashurohesh më shumë me idetë, se sa me veprimet. Duhet të mos anashkalohet gjithashtu lehtësia përçuese e gjendjeve emocionale të secilit prej personazheve, që ruajnë individualitetin pa sforco dhe "Skizofrenia" është një moment këmbëngulës i autores për të vendosur një drejtësi kënaqëse dhe origjinale dëfryese, në botën aspak të sheqerosur të lexuesit. Nuk mund të mos përmend në këto radhë se emri i shkrimtares së re Eliona Gjergo Tanka u lakua muajt e fundit të vitit që sapo kaloi nga mediat e qarqet letrare, edhe sepse dorëshkrimi i romanit më të ri, i treti i saj, me titullin grishës "Gjashtë gishta e gjysëm", u zgjodh në kulmin garues të 9 librave në prozë, nga rrethi 150 tituj të paraqitur gjithsej, si kandidate për mimin Kadare 2015. Ky është një ogur i mirë për autoren, si krijuese të frytëshme e cilësore, por gjithashtu edhe për gjithë sa ajo përfaqëson me vendin e saj në shoqëri, si një krijuse e re në moshë e në mendim, emigrante, bashëkshorte dhe nënë, por dhe nga ai brez emigrantësh që ndryshimet politike të viteve '90, i gjetën në shkolla dhe, pa mbaruar akoma, apo me të mbaruar, u larguan me familjet e tyre nga atdheu. Prandaj dhe lidhjet e ngushta me të, veçanërisht të kësaj natyre, janë për t’u vënë edhe më tepër në dukje, e për t’u lavdëruar, në pritje të sukseseve të saj të reja, për kënaqësinë e lexuesit të romanit shqiptar. Armela Hysi, poete

Ndaje me miqte