0030 210 33 18 483

Për librin e poetes Brikena Qama: &ldquoTitulli i kujtimeve të mia&rdquo

25 Shkurt 2016

Më duhet të pranoj që në fillim se nuk më qe e lehtë të shkruaj për këtë libër, megjithë dëshirën e mirë që mund të kisha të shkruaja për poeten dhe njeriun Brikena. Dhe arsyet janë të shumta dhe të ndryshme. Kryesorja është se një libër i tretë për një autor është një libër shumë, shumë i rëndësishëm sipas mendimit tim. Një libër ku, njerëzit që të duan të mirën duhet të marrin lupën; dhe vetë krijuesi a krijuesja, të mendohet mirë, gjatë, qetë dhe me përgjegjësi përse shkruan. Kështu mendoj unë dhe në krijimtarinë time, ky ishte një stacion që do e mbaj mend me mirënjohje, por të tilla filozofi e ballafaqime ndoshta i shkojnë për shtat më tepër ndonjë seminari mbi këndvështrimin ideal të poezisë nga secili ne dhe filtrat tona perceptuese. Në fund të fundit gjithësekush flet më tepër se me zemër, nëpërmjet tyre, ( ndërkohë që poezia, vetëm me zemër mund të kuptohet, vetëm me zemër mund të shkruhet dhe vetëm për dhe prej, ndjenjave ekziston). Kështu që, e vërteta është, që ashtu siç vetë jeta, këto filtra s’duhen marrë dhe aq seriozisht. Pastaj dhe vetë koha është tërësisht një fuqi e madhësi reciproke për secilin, dhe kësisoj ndoshta, asnjëherë s’ do të binim në një mendje. Prandaj vendosa përfundimisht, të “konvertoj” në fjalë përçuese, ndjenjat që më zgjoi kjo krijesë e re poetike, duke hedhur tej lupat dhe lapsin e kuq, që na bën aq narcisian. “Titulli i kujtimeve të mija” vjen plot “premtime” që në kopertinë, për lexuesin, has në një terren të dyzuar për rolin e përgjithshëm të poezisë sot dhe në fund e kupton se ndoshta të ka dhënë më shumë seç ishte qëllimi i një pasditeje poetike. Të ka dhënë lirinë për të gjykuar konceptin mbi realitetin e gjithësecilit, por dhe mbi realitetin konfuz e të bukur jetik të vetë autores, që po të duam ndonjë herë të perifrazojmë botën, të bukurën dhe artin, kështu, hedhim vështrimin në një dritare më shumë, nga dhomëza jonë shumekëndëshe, e ndjejmë të nevojshme të pajisemi edhe me vetëdijen e tjetrit, edhe të Brikenës, për angazhimin personal në shpjegimin tonë filozofik e artistik të secilit, për Të Plotën. Ky është roli i poezisë në prioritet, ky është kulti i saj që e bënë aq joshëse për sytë e artistit, sipas vizionit tim. Libri kalon sprovën e “përmirësimit të dorës, së mjeshtrit” në lidhje me krijimtarinë e më parëshme të Qamës dhe poetja me përzgjedhjet e saj grafike të minimalizimit të shenjave të pikësimit, të ndarjes së vargjeve në fund të rreshtave dhe mos përdorimi i gërmave kapitale (çuditërisht as në emrat e përvetshëm) me titujt në poezitë e saj përgjithësisht të avancuar mentalisht, por dhe të rinjë në lidhje me penën e saj të deritanishme sidomos kur bëhen varg i munguar i vetë poezisë si dhe me gjuhën stilistike e figurative vazhdon të njëjtën mënyrë identifikimi që ka gjetur për t’ju bashkangjitur poezisë e afrohet më pranë lirikës moderne të ushtruar dhe mëtimeve që kishte nisur në libin e saj të dytë, megjithese ende luhatet në valezimin e një poezie në krijim, që s’ kemi pse e pagëzojmë në mënyra strikte, a rendisim përveç se me lirinë karakteristike të të këndshmes, në sens, apo vetë harmonisë që poetja ka krijuar me lirinë. Në këtë kuadër vjen dhe pasurimi vizual i një misioni simbolik dhe përforcues, por për fatin e mirë, poezia e Brikenës ka më pak vendosmëri dhe më shumë ngatërresë feminile që të ngjan me naze filozofike, kështu që loz me lexuesit në fasadat e mendimit, paçka se ndonjëherë përsëritet, apo stimulon. E sigurt, ama, është që nuk përgjumesh, pasi merr e jep ngjyrime e shtjellime interesante që nuk treten në ftillimet e harresës edhe kohë më pas. Fluturim të mbarë krijesës së re artistike që na erdhi në duar, secili nga ne gjen një pjesë të bukur të vetes brenda dhe i gëzohet frymëzimit që ka përçuar. Armela HYSI Një cikël poetik nga vëllimi “E kish fajin hëna” Në s’do të ishte kështu qielli, deri para pak i dukshëm për sytë nuk do ti ngjante një kavalete vendosur me përpikmëri mbi kokat tona. Nuk do të ishte as ajo “mollë e plotë” që trupat i bëri njësh me hijet dhe pendimin e la të priste ndanë rrugës zgërlaqur prej kripës e jodit. E, ç’t’i bësh kujtimit, futur në guaskë fjetur xhepit të fshehtë që prej verës së shkuar. Keni shkuar në Prishtinë? -ku shiu nuk harron të lëmojë vragat e kohës, -ku njerëzit ecin me kokën lart e vështrimin e hedhin tej qiellit, -ku poetët u këndojnë heronjve e vashave, -ku loti ka të njëjtën peshë në hare e hidhërim, -ku gjithkush të thotë Mirëserdhe në Prishtinë! Përtej vrimës së çelësit Ndër gishta, akoma mbante përdredhur rruzaren e perltë, dhuratë e një tjetër patosi të saposhterur. Ju desh kohë të përzërë dremitjen e të gjejë rrugën drejt rubinetit zhurmues që s’ndalte së pikuari. Para se të hapte kanatat e drunjta të grilave, tërhoqi shkaraz cepin e këmishës (mbërthyer vëngër) e mbuloi instiktivisht pubisin. Në kthim vendosi me kujdes rruzaren në sendukun ku mbante kyçur hiret e saj. Klinikisht i vdekur do mendim i imi ka qënë një profeci. Këtij të fundit, ia kam frikën. Eshtë ai tis bulëzash ndërmjet nesh që lag vështrimin e i zmadhon tmerrshëm largësitë. Veç të tjerash Kur të nisesh për në parajsë të të jap dua me vete një kutizë ëndrrash tokësore. Atë që nuk pata guximin ta hap sa të kisha pranë. -livadhet e pyjet që kurrë nuk i shkelëm. -detet që kurrë nuk i lundruam. -strehëzat ku mendoja të fshihnim puthjet prej shiut. -rënqethjet e përmbajtura prej ankthit të ikjes (orës një pas mesnate). -marrosjen e shpirtit endacak në kërkim të aromës tënde... ’gjallesë e rëndomtë! Akoma besoj se do të të mungoj. Si është të biesh nga kati i 36-të “Llampa magjike” kësaj radhe vajoset se jashtëmi, rrëshqet duarve pa arritur të them dëshirën prej së cilës jam mbarsur që në lindje. Thërrmohet në këmbët e mia me tingull që tremb britmën e habisë. Nuk arrita të ndjehem Aladin As xhindin nuk munda ta liroj. Nga ky çast do kem të merrem e ciflat majemprehta, pasqyrimet e mia mikroskopike. Duke të pritur Vetmia depërton vrimave të kafkës. Përjashtet me zhurmë mureve që më zënë frymën. Mos t’u duket çudi! Ajo ka tingull, tik - takun e orës, lëviz, në dridhjen e neonit, fërshëllen, daljes së ibrikut, vjen në duart e mia të akullta, përdridhet gishtrinjve me rradhitje të papërcaktuar. Së fundmi, e shushatur, rrumullakoset kufijve së dhomës nga ku nisi. E pa arsye edhe këtë herë. Erdhe! Nuk e mbaj mënd si ishte Kur s’ishe (Erotokritos) Sa më merr malli të të puth cepin e syrit nga ku më vështron tinëz sa herë të afrohem me krahët e hapur për të të mbështjellë të tërin. Dhe kur bën sikur s’më sheh, kinse të tërheq vëmëndjen më tepër “supërnjeriu” në ekranin e TV, injoroj gjithçka përreth.... E ndërmjetme Paralajmërimi i fundit para mbylljes hermetike të burimit të dritës. Diagrama e mendimit lëshon dihatjen përcjellëse. Përsëri kjo shtëpizë! E vogël për strehim ëndrrash. E huaj për të mirëpritur shpresën... Thur përditë një ëndërr Nuk është se i marrem shpërthimit të sekrecioneve, mbledhur enkas për mua. Mbartjes së gjenetikës tënde poreve, mbufatur prej dëshirës. Por erosi nuk konservohet zarfeve! Ai, është epshor i pabesë! Harrohet ishujve të lëngëzuar rrugës për te unë. E unë, vejusha, pres ngadhënjyeshëm rrëshqitjen e prekjes së pabesë lakimeve të siluetës sime. Pranverë Një tjetër përrallë... Veshur, një fustan të purpurt. Në flokë, një kordele rozë. Në sy, sekretin e natës së shkuar. Në duar, kukullën e fëmijërisë (që ndërron emër çdo ditë) Centrifugoj këtë përzierje poshtë bajames së lulëzuar e shiut të petaleve pas lojës me erën çapkëne. Sipër saj, hëna rrumbullakoset ngadalë. Endrra ime ishe gjithmonë ti Me këtë trup e hije. Me këta sy e vështrim. Me këto buzë e puthje. Me këto duar e prekje. Me këto këmbë e hapa të ngadaltë që shkelin butë renë time roz. E nëse më sheh gjithmonë të përgjumur, Eshtë se hapja e syve do të më kushtojë shtrenjtë.

Ndaje me miqte