0030 210 33 18 483

Për shpirtin e kryeveprës polifonisë

Kristo ÇIPA 19 Gusht 2016

Brenda Kombit Shqiptar gjuha dhe polifonia kanë qenë përballë rrezikut për ekzistencën e vet, e para se nuk shkruhej dhe e dyta nuk pentagramizohej. Të dyja e kanë një mit, atë të prejardhjes prej Perëndive. Sot, gjuha është ulur në fronin e saj (shkolla, universitete, akademi); e dyta rron e sëmurë nëpër shpirtrat e njerëzve që e mbartin duke bërë lëvizje kaotike si vetë ata. Thonë se polifonia po tretet si vesa mbi fijet e barit. A duhet besuar!? Nuk na rezulton e vërtetë. Ndoshta se është e jona apo ka diçka më thelbësore të lidhur me ekzistencën tonë dhe nuk mund të na lëshojë edhe në këtë maratonë globalizimi?! Nga ana tjetër ka edhe diçka mistike dhe të pashpjegueshme që ndodhet mes reales e surreales, tokësores dhe qiellores, trupit dhe shpirtit. Thonë se ajo ka lindur një vakt para zjarrit dhe tenton perjetësinë! Pa akorde, dirigjent, muzikë, ajo mbështjell mijëravjeçarët me mjegullimin bekues nëpër trojet e lëngatës që kurrë s’gjetën prehje, por me dashje apo padashje unifikon një të tërën shpirtërore edhe pse të ndarë gjeopolitikisht. Ajo është histori, dritë, besim dhe frymë. Koha punon për ta tretur, por e shkuara nuk e lejon.Misioni i saj hyjnor po e ngre nga lëngimi për të ekzistuar. E sëmurë por kurrë e plakur.Sa herë e dëgjojmë na duket se kalojmë portën e botës mistike dhe e kërkojmë ta kapim megjithëse është brenda nesh, në mish e në shpirt. E gjitha e jona. Bëhet fjalë për një kryevepër të njerëzimit, POLIFONINE! Thënë ndryshe, kënga e vendit me shumë zëra. E kemi të gjallë nëpër duar dhe nuk e kuptoj pse i hedhim sytë nëpër imazhet e rreme, artificiale për kulturën tonë kombëtare. Vetë e nëpërkëmbim, të tjerët na e lavdërojnë dhe e kërkojnë. Kur i shikon se si e dëgjojnë, shijojnë dhe e vlerësojnë, thua: a ekziston mes nesh apo bëhet fjalë për një vlerë të ndonjë planeti tjetër? Por kur e përkëdhel nëpër duar shumë shpejt i dallon plagët që ka. Dhe nuk kërkon mjekim të gjatë e të kushtueshëm. Më shumë vëmëndje dhe respekt. Ky “himn njerëzor” lindi nga dëshira popullore me një harmoni perfekte dhe unitet muzikor e shpirtëror unikal dhe është po kjo dëshirë që e mbart nëpër shekuj së bashku me ekzistencën e vet. Edhe pse armë s’kish në vetvete, ka qenë arma më e fuqishme që s’ka lejuar asimilimin. Ndoshta se lindi larg instrumentave, apo më saktë përpara instrumentave muzikorë, qëndron e madhërishme në fronin e saj, Labërinë, midis njerëzve dhe perëndive. Ndonse ka marrë një pasaportë kryediplomati në UNESCO, ajo e kërkon mbrojtjen dhe institucionin atje ku lindi dhe rron, në mëmëdheun e saj. Por gjatë viteve të vështira të tranzicionit e ka patur një ëngjëll mbrojtës që e shikonte jo vetëm nëpër skena e festivale por edhe kur pushonte në gjumin e saj nanuritës. Bujar Leskaj ka qenë i dashuruar i marrosur i kësaj magjie dhe i ka qendruar si kalorësi Princeshës në çdo hall dhe lëngatë të saj. Nuk ka këngëtar, krijues, interpretues të iso-polifonisë që nuk ka ndier ndihmën e madhe këmbëngulëse të Bujarit dhe përkujdesjen pa kusht për gjithçka që i duhet këngës dhe këngëtarëve. Kur është midis tyre, ai ka një dehje polifonike si në vargjet Homeriane. Kënga Polifonike është e shenjtë dhe kush e ndihmon dhe e dashuron atë shenjtërohet edhe vetë. Që kjo këngë mos t’i lihet spontaneitetit dhe përkujdesjes së të dashuruarve, duhet patjetër të mbrohet me Institucion. Qëllimi i këtij shkrimi është nxitja e një debati se si mund ta ruajmë, zhvillojmë e transmetojmë këtë vlerë universale që në procesin e europianizmimit t’ja çojmë të kristaltë botës së vlerave. - Mendoj se ka ardhur koha që Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Akademinë e Shkencave të planifikojnë që në programet mësimore në shkollat 9-vjeçare, brenda orës së muzikës të bëhet mësimi i këngës iso-polifonike në trevat ku ajo këndohet. Për trevat e tjera ajo pjesë e folklorit që trashëgohet. Duke marrë shembuj nga vendet fqinje mëson se pikërisht në bangat e shkollës merret vallja dhe kënga e popullit tënd. Për fatin e mirë, sot ende jetojnë bartës të kësaj kënge iso-polifonike që kanë mundësi fizike për t’ua transmetuar këtë këngë brezave duke siguruar vazhdimësinë e saj, ngulitjen në gjoks dhe mendjen e fëmijëve. Duke punuar kështu, shekulli që jemi ka të garantuar këtë vlerë. Dhënien e këtij mësimi UNESCO dhe BE mund ta financojnë me projektet e tyre. - Qëndra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike duhet të jetë një institucion me buxhet të pavarur dhe të ketë ekskluzivitetin e organizimit të veprimtarive folklorike, të përgatisë projekte specifike për iso-polifoninë. Në këto projekte kam parasysh edhe vetë programin mësimor në shkolla, organizimin e festivaleve të veçuara rajonale të iso-polifonisë dhe polifonisë. Vlerësimin e krijuesve dhe interpretuesve të kësaj mrekullie. Me këtë rast gjej momentin t’i drejtoj një falenderim të veçatë Presidentit Nishani për vlerësimin e herëpashershëm që u ka bërë interpretuesve të polifonisë dhe njohjen e thellë që ka për iso-polifoninë - Në kuadrin e ruajtjes dhe zhvillimit të kësaj kryevepre të njerëzimit, përgatitja e një ligji të veçantë për të disiplinuar fenomenin e rrezikshëm të imitimit dhe huazimit të motiveve e karakterit specifk nga njëra trevë në tjetrën, duke patur parasysh aspektin burimor dhe elementët përbërës karakteristikë të saj, do të ishte me shumë interes. Që kjo këngë të mos mbetet relikë arkaike, por të jetë bashkëkohore, ligji duhet të ndërtohet mbi kritere shkencore rreptësisht të kontrolluara nga Akademia e Shkencave, me qëllim që e nesërmja e Polifonisë të jetë më e shndritshme se e sotmja. - Ka ndodhur shpesh që frytet e mrekullueshme të kësaj kënge t’i vjelin “xhambazë e matrapazë” që kurrë nuk kanë patur lidhje me polifoninë; që s’kanë bërë këngë e s’kanë ndërtuar një tekst. Gjithashtu janë zhvilluar festivale e janë dhënë tituj me emra që s’kanë patur lidhje me iso polifoninë. Për këtë mendoj se njerëzit që duhet të merren me gatitjen e brumit folklorik të jenë këta krijues që ndjeshmërinë për këngën e kanë në shkallën sipërore dhe çdo deformim të saj nuk do ta lejojnë. Pikërisht këta njerëz duhet të përzgjidhen nga institucioni përkatës. Sugjerime e mendime që mund ta pasurojnë organizimin në institucion të këngës iso-polifonike, janë të mirëpritura e të debatueshme në çdo moment. Shpesh floriri mbahet i fshehur nëpër errësirat e tokës dhe skuta të kohës, ndërsa ari i polifonisë është i ekspozuar nga qielli në tokë në formë të ylbertë që vetëm mbi tokën shqiptare e ka kaq të shndritshem shkëlqimin dhe shumë të pakët fitimin. Sot është herët, nesër do të jetë vonë për të të mos e lejuar tretjen e të përjetshmes.

Ndaje me miqte