0030 210 33 18 483

Përfundon ankandi i licencave televizive. Katër TV kombëtare detyrohen të ndërpresin transmetimet

Tribuna 06 Shtator 2016

Në Greqi ka përfunduar ankandi i katër licencave televizive, një proces nga i cili shteti grek do të inkasojë të ardhura me vlerë 246 milionë euro. Ndër fituesit përfshihen dy prej televizioneve ekzistuese, ndërsa katër prej televizioneve kryesorë të vendit do të duhet që brenda tre muajve të ndërpresin transmetimet, pasi nuk morën pjesë, ose nuk fituan në tenderin përkatës. Pjesëmarrësit në ankand, të cilët që prej të martës paradite jetonin në kushte izolimi të plotë në mjediset e sekretariatit të informacionit, deklaruan kur dolën, se ata kishin jetuar si në një reality të tipit Big Brother, ndërsa e gjithë atmosfera u kujtonte filmat plot agoni të regjisorit Alfred Hitchcock. Rezultatet e ankandit, që kishte filluar të martën paradite, u komunikuan të premten, tri orë pas mesit të natës. Më lirë i kushtoi licenca televizionit SKAI, që pagoi 43,6 milionë euro. mimin më të shtrenjtë, 75,9 milionë euro, e pagoi televizioni Antena. Fitues janë edhe dy përfaqësues nga fusha e biznesit: një sipërmarrës ndërtimesh që përflitet se ka lidhje të ngushta me qeverinë aktuale, si dhe pronari i anijeve çisternë, Vangelis Marinakis, njëherazi bos i klubit më popullor në Greqi, Olympiakos. Këta paguan respektivisht 52,6 dhe 73,9 milionë euro. mimi fillestar i licencave ishte caktuar 3 milionë euro, por të ardhurat që do të inkasojë nga shitja e licencave buxheti i shtetit, arrijnë në 246 milionë euro. “Nuk e prisnim që çmimet të shkonin kaq lart”, deklaroi pas përfundimit ministri i shtetit Nikos Pappas, që shtoi se i gjithë procesi ishte tepër i suksesshën”. Qeveria e kryeministrit Tsipras ka thënë se lëvizja e tanishme do të ndihmojë në rregullimin e tregut televiziv. Por vetë mediat si dhe partitë e opozitës kundërpërgjigjen se zhvillimet e fundit do të kufizojnë lirinë e shprehjes dhe do të detyrojnë disa prej kanaleve që të mbyllen, duke flakur në rrugë qindra gazetarë dhe teknikë, të cilët do t’i shtohen listës së gjatë prej mijëra të papunësh në sektorin e mediave. Televizioni më i vjetër privat në vend, Mega Channel nuk arriti as të merrte pjesë në ankand. Ndërsa tre prej televizioneve të tjerë kombëtarë, Alpha, Star dhe Epsilon, nuk arritën të merrnin licencë. Sipas zëdhënëses së qeverisë, të katër këto televizione nuk do të mund të transmetojnë më pasi të kalojnë 90 ditë nga data e sotme. E vetmja shpresë e televizioneve të skualifikuara ndodhet në ankimimet që ata kanë paraqitur dhe që do të shqyrtohen më vonë nga gjykata administrative, për të gjykuar nëse vendimi i qeverisë greke përputhet ose jo me Kushtetutën.

Ndaje me miqte