Përfundon procesi zyrtar i votimit për kreun e Partisë Demokratike
ATSH
22 Korrik 2017
Procesi zyrtar i votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike u mbyll në orën 19.00.
Anëtarët e Partisë Demokratike u ftuan të votojnë këtë të shtunë prej orës 8:00 deri në 19:00, dhe të shprehin verdiktin e tyre se kush duhet ta drejtojë Partinë Demokratike në 4 vitet në vijim, në 68 qendra votimi.
Zgjedhja e kryetarit të PD, mbi parimin një anëtar një vote u zhvilluan pas një fushate intensive të dy kandidatëve Lulzim Basha dhe Eduard Selami, në çdo degë të PD në gjithë vendin.
Lulzim Basha, aktualisht kryetari i ngrirë i PD-së votoi paraditen e sotme në qendrën e votimit të ngritur në selinë qendrore të PD-së në Tiranë.
Në një prononcim për median pas votimit Basha u shpreh i bindur se demokratët do të dalin më të fortë pas këtij procesi.
Kandidati përballë Lulzim Bashës për postin e kryetarit të PD-së, Eduard Selami votoi rreth orës 10:00 në qendrën e votimit që ishte ngritur në selinë qendrore të PD-së. Selami e quajti proces të rëndësishëm votimin.
Ish kryeministri Sali Berisha pas votimit në selinë e PD-së gjatë mesditës së të shtunës e quajti procesin “në përputhje me statutin e PD-së”. Duke pranuar se në PD situata është e vështirë, Berisha beson se situata mund të tejkalohet
Ndërkohë kundërshtarët e Bashës, një grup ish-drejtuesish të kryesuar nga Astrit Patozi e kanë quajtur farsë garën ndërsa kanë ndërmarrë edhe një lëvizjeje për të ndalur garën elektorale në PD. Patozi përmes një postimi në facebook e quajti farsë garën dhe nënvizoi se lëvizja nuk ndalet.
“Demokratët nuk pajtohen me farsën. vetëm gara e drejtë e shpëton Partinë Demokratike”, shkruan ai.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, në orën 19, kutitë me materialet zgjedhore do të dorëzohen pranë selisë së PD, ku do të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave.
Ndaje me miqte