Përfundon takimi MetaRamaBasha. Rinisin negociatat për reformën në drejtësi
18 Korrik 2016
Në Shqipëri duket se ka ende disa shkëndija shprese për mundësinë e një marrëveshjeje mes forcave politike për Reformën në Drejtësi. Në përfundim të takimit të sotëm mes kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, i cili zgjati pak më shumë se një orë e gjysmë, palët kanë rënë dakort të rinisin bisedimet.
Pas takimit, drejtuesi i opozitës Lulzim Basha njoftoi se është rënë dakort “për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”
Në pamje të parë duket se opozita ka bërë një hap të lehtë pas, duke pranuar që bisedimet të mbështeten te propozimi i bërë nga Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, më 10 korrik në Tiranë, ndonëse zoti Basha përsëriti se “ne kemi paraqitur një zgjidhje dhe kontributi ynë për ta sjellë propozimin hibrid tërësisht brenda paramatrave të Komisionit të Venecias është dëshmia e përkushtimit dhe sinqeritetit të PD”.
Praktikisht zoti Basha nënvizon se sipas tij propozimi hibrid nuk është në përputhje me rekomandimet e Venecias, ndërkohë që si ambasadori amerikan Donald Lu dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian Romana Vlahutin, por edhe vetë zonja Nuland, mbështesin të kundërtën, duke deklaruar se propozimi është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ndaje me miqte