0030 210 33 18 483

Përplasje opozitë qeveri për qendrat e ndalimit të emigrantëve të paligjshëm

04 Mars 2015

“Pjella të fantazisë së sëmurë”, i ka cilësuar ministria e mbrojtjes së qytetarit publikimet që i referohen një urdhëri nga drejtoria e përgjithshme e policisë greke, sipas të cilit nga dita e mërkurë hapen qendrat e ndalimit dhe lihen të lirë gjithë emigrantët e paligjshëm që mbahen aty, gjë që shkaktoi edhe ndërhyrjen e kryetarit të Demokracisë së Re, Antonis Samaras. Samaras deklaroi se, siç ka zbuluar televizioni SKAI, hapen të mërkurën gjithë qendrat e ndalimit dhe lihen gjithë emigrantët e pëaligjshëm lihen të lirë të qarkullojnë në qendrat e qyteteve. “Bashkëqeverisja Tsipras-Kamenos po e shndërron Greqinë në një magnet për thithjen e emigrantëve të paligjshëm drejt vendit tonë”, theksoi Samaras, duke nënvizuar se pasojat për kohezionin social, sigurinë e qytetarëve, ekonominë dhe turizmin do të jenë katastrofale dhe për më tepër do të ketë pasoja edhe në marrëdhëniet tona me Europën. I ftojmë ta tërheqin menjëherë këtë vendim të papërgjegjshëm”, përfundon Samaras. Qeveria ka reaguar fuqishëm ndaj deklaratës së ish kryeministrit dhe Demokracisë së Re, duke i ftuar që “të ndalojnë më në fund lojërat e rrezikshme që kapërcejnë çdo fantazi të sëmurë... Papërgjegjshmëria e zotit Samaras është e njohur, përndryshe të gjithë e dimë se ku e çoi vendin me politikat e tij”, theksojnë burime qeveritare të cituara nga agjencia ANA-MPA, duke theksuar se “mbi çështjen do të hidhet dritë e plotë”. Ministri i mbrojtjes së qytetarit anullon urdhërin Ministri alternat i mbrojtjes së qytetarit, Janis Panusis dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë Greke, kanë kërkuar dorëheqjen e hartuesit të urdhërit që qarkulloi të mërkurën në mbrëmje lidhur me lirimin e emigrantëve të paligjshëm nga qendrat e mbajtjes. Gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp, ministri alternat Panusi deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për urdhërin, të cilin e anulloi të mërkurën në mëngjes dhe ka urdhëruar të hetohet se si ndodhi, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë Greke kërkoi dorëheqjet e zyrtarëve të implikuar.

Ndaje me miqte