0030 210 33 18 483

Përtej një kronike për &ldquoKohën e djegur&rdquo të shkrimtarit Thanas Medi

Robert GORO 01 Korrik 2017

Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Greqi, “Liter-Art” ka vazhduar traditën e bukur të promovimit të krijimtarisë së bashkatdhetarëve që ndodhen jashtë Shqipërisë. Kësaj here shkaku për t’u mbledhur ishte romani i fundit i shkrimtarit Thanas Medi, “Kohë e djegur”, që qarkulloi pak muaj më parë nga shtëpia botuese “Onufri”. Në sallën e ambasadës së Shqipërisë në Athinë u mblodhën një grusht njerëzish, që siç rezultoi ishin me të vërtetë të interesuar për të qenë pjesë esenciale - e jo thjesht spektatorë apo konsumues koktejesh- në veprimtari të tilla. “Dollibashi” Miho Gjini, kryetar i “Liter-Art”-it, theksoi në fjalën e tij se ky roman pasqyron “një periudhë kohore që nuk duhet të vijë më: fundin e një diktature të egër dhe fillimin e një tranzicioni të dhimbshëm, por kaq të egër. Kësaj periudhe i vë flakën dhe e djeg në faqet e një romani tronditës, e po kaq tërheqës, që endet nga ana e stilit ndërmjet prozës poetike dhe një vepre dramatike”. Ndër ata që kishin të gjithë një fjalë të mirë për krijimtarinë e Thanas Medit, ishin shumë prej penave të respektuara jo vetëm në emigracion, por edhe më gjerë. Shkrimtari Telemak Koça, poeti Stefan Martiko, poetesha Brikena Qama, shkrimtari Novruz Abilekaj, poeti e studiuesi Arqile Gjata, nën drejtimin e moderatorit mjaft të aftë, Festim Zaçe, u ndalën tek veçoritë kryesore që ata kanë shquajtur në krijimtarinë e Medit. Me vlerësime nga më të maturat e deri tek superlativet, që, për mendimin tim personal, Thanas Medi i meriton të gjitha. Eshtë një personalitet i veçantë në aradhën e numëruar të “ustallarëve” të letrave shqipe. *** Me Thanas Medin “u njoha” në 2011, kur në zyrën time mbërriti një kopje e romanit të parë, “Hija e mallkuar”, dërguar prej vetë autorit, që unë nuk e dija se ku ndodhej, mirëpo prej leximit supozova se ishte diku në Greqi, emigrant. Mbetja që atëherë në kujtesën time e “Hijes”, por edhe fitimi ndërkohë i mimit të Madh për Romanin e vitit 2013, ishte arsyeja që pranova me kënaqësi ftesën e tij për një kafe, në fillim të janarit 2016. Në sheshin Syntagma në Athinë, qëndruam e folëm gjatë atë mbrëmje të ftohtë, që Thanasi e përballoi me stoicizëm, pse unë, si duhanpirës, nuk mund të rrija veçse jashtë... Aty më dha romanin fitues, “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, që e përpiva dhe u binda plotësisht se mimin Thanas Medi e kishte marrë me shpatën - penën e vet. Nuk u pamë më, veçse në fillim të 2017-s, kësaj here me “sebepin” e romanit të tij të tretë, “Kohë e djegur”, që për mua është vepra më e mirë e Medit deri tani. Ashtu si dhe dy librat tjerë, (e sidomos “Sokrat Bubën”), edhe “Kohën e djegur” e lexova me një frymë dhe sa më shumë i afrohesha fundit, aq më tepër brengosesha që romani po mbaronte. Kaherë, kjo ndjesi e imja aktivizohet kur lexoj një libër që ia vlen vërtetë dhe duhet të pranoj se me letërsinë shqipe, nuk më ndodh shpesh... Sapo fillon leximin e “Kohës së djegur”, të ngjan se ndodhesh në “limere” të njohura, në mjedise që Medi i ka zbërthyer mjeshtërisht, më shumë te “Sokrat Buba” dhe më pak te “Hija e mallkuar” (ngjarjet e të cilit zhvillohen tërësisht jashtë Shqipërisë). Mirëpo nuk gjen te “Koha” asnjë përsëritje, asnjë përsëdytje fabulash e karakteresh, pavarësisht që në pamje të parë të mashtrojnë disi - dhe kjo për mendimin tim shpjegohet pikërisht me veçoritë e laboratorit krijues të shkrimtarit. Thënë më mirë, i vetmi emërues i përbashkët i karaktereve dhe ngjarjeve është se ato kanë për “demiurg” Thanas Medin. I cili vazhdon të mbajë si armë me efekt të plotë në arsenalin e tij krijues gjuhën poetike, plot kolorit e mbi të gjitha konçize, që kulmon dhe sendërton rrëfimin e tij kaq të rrjedhshëm e intrigues, i cili ta mban frymën deri në rreshtin e fundit. Me dy fjalë, subjekti i romanit të fundit të Medit është ky: Azis Korbit i është shkruajtur fati qysh në lindje, prej “nuseve të qiellit” - tri fative me një shenjë “sa një thua i vrarë majë hundës”; një fat që gjyshja e vet e përcaktoi me gjashtë fjalë: “’do të heqë i shkreti djalë, ç’do të heqë”... Ndërkaq, përmbi fatalizmin e “nuseve të qiellit”, qëndron grushti i hekurt i sistemit totalitarist që shkatërron çdo ëndërr, madje edhe ku ajo ëndërr nis e bëhet realitet. Kjo është “Koha e djegur”, hiri i të cilës e shoqëron Azisin kudo, madje edhe në emigracion, aty ku ndërrimi i emrit në Ilia, nuk është një gjest praktik që bënë shumë e shumë shqiptarë në Greqi, por më tepër shënon një përpjekje për të nisur një kohë të re, e cila nuk ka për të ardhur. Një temë kaq universale si fati i njeriut - që Thanas Medi duket se e ka monopolizuar në këto tre romanet e tij të parë-, do të mund ta tërhiqte shumëkënd në kurthin e përshkrimit proliks, sajesave naive dhe deklamacionit. Medi e ka shmangur -dreqërisht do të thoja- këtë grackë dhe rrëfimi i tij, pavarësisht se në vetë të parë e mban lexuesin të ngërthyer në një ndjesi të përhershme sikur është vetë ai (pra lexuesi) që po i përjeton e vuan gjithë situatat e romanit. Dhe kjo dihet se është shenjë e një letërsie me të vërtetë dimensionale. *** Një letërsi e cila, ashtu si çdo ngjarje e mirë ka shkaktuar vëmendje - pavarësisht se Thanas Medi vazhdon të jetë i “ngujuar” në kullën e vetmisë krijuese, larg metropolit dhe mënjanë klaneve e sekserëve të letërsisë. Falë internetit, qëmtova disa nga vlerësimet, prej njerëzve që unë i çmoj veçanërisht: Agron TUFA në një akt të rrallë fisnikërie -për kushtet e vendit tonë, ku zakonisht shkrimtarët e thonë fjalën e mirë vetëm për t’i shërbyer tarafit- ka shkruar: “Lexova tash së fundi dy romane të Thanas Medit. Nuk njihem me autorin. Kam bindjen se është një ndër penat më të plota, mjeshtërore në stil, konceptim, gjuhë e kompozicion. “Kohë e djegur” paraqet një rritje edhe më të madhe, krahasuar me “Fjalën e fundit...”... Eshtë një autor që jua rekomandoj dhe do të mbeteni të shpërblyer nga leximi i tij. Edhe pse nuk e kam njohur më parë autorin, pata kënaqësinë e njohjes esenciale përmes këtyre dy romaneve dhe çka më ngroh më së shumti, është se proza bashkëkohore shqipe po lëviz. Thanas Medi jam i bindur se është në ballë të kësaj letërsie”. Agim BAI: “Medi në këtë roman ka mundur të dalë nga pushteti i romanit të tij të mëparshëm “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” (fitues i “mimit të Madh Kombëtar për Letërsinë”, për romanin më të mirë të vitit 2013) dhe të rindërtojë pëlhurën e tij të rrëfimit. Ka stilin e tij dhe kërkon të na ftojë në ndërtimin e botës plot befasi e zhgënjime, por gjithnjë plot dëshirë për t’i ndjekur. Dhe duket se kërkon të lërë lexuesin të bëhet pjesë e dilemave të tij, rritjes dhe kujtimeve, duke mos dashur vetë “ta djegë kohën”. Stavri DAJO, (Për “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”): “U befasova si nga vlerat njohëse, ashtu dhe nga brendia estetike e tij. Libri gjithashtu më ka befasuar me karakteret e gjallë, (në shumë raste të kujtojnë prozën e Mitrush Kutelit) me gjuhën e pasur dhe me stilin elegant... Më bëri përshtypjeje puna mjeshtërore e autorit, dialogu i gjallë i personazheve, fjala bindëse e tij dhe mungesa totale e artificeve. Plotësisht i merituar çmimi i marrë!”. Josif PAPAGJONI: “Thanas Medi jeton në Greqi si emigrant, nuk ka as kohën dhe as mundësinë për të bërë “zhurmë” nëpër mediat. Ai s’është fytyrë që shihet e stërshihet andej-këndej; masha e vatrës së tij është e shkurtër dhe vështirë t’i trazojë ato gaca e prushe që flaka të duket e të të rrëmbejë sytë. Medi është një romancier pa zhurmë, sepse nuk ka nevojë për të... Vërtetësia, kjo është vetia përçuese e shkrimtarisë së Medit, ajo që mua më ka përthithur. Por një vërtetësi që hyn në vaskën e artit e përshkënditet aty, prarohet me elegancën, hirin, sqimën estetike”. *** Nëse më kërkohej të karakterizoja me pak fjalë letërsinë e Thanas Medit, do të përdorja pa mëdyshje një shprehje të nobelistit Thomas Stearns Elliot, duke zëvendësuar nga origjinali fjalën “poezi” me “letërsi”: Letërsia nuk është çlirimi i emocioneve, por arratisja nga emocionet. Nuk është shprehja e personalitetit, por arratisja nga personaliteti. Mirëpo, vetëm ata që kanë personalitet dhe emocione e dinë se ç’do të thotë të arratisesh prej tyre”. Thanas Medi vazhdon të shkruajë me të njëjtin ritëm si deri më tani; si pas një zgjimi nga gjumi letargjik (që zgjati gati tre dekada), ai duket se po kërkon të fitojë kohën e humbur. Progresioni i krijimtarisë na jep ndjesinë e lumtur se shkrimtari ende nuk e ka thënë “Fjalën e fundit të Thanas Medit”; pra normalisht, romani i tij i ri mbi të cilin po punon, do të jetë edhe më i mirë se tre të mëparshmit. Robert GORO

Ndaje me miqte