Përurohet në Tropojë shtatorja e Azem Hajdarit
ATSH
29 Tetor 2017
Shtatorja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit është përuruar të premten në Tropojë ku merrnin pjesë kryedemokrati Lulzim Basha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi por edhe përfaqësues të trupave diplomatikë.
Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur përurimin e shtatores së udhëheqësit të Lëvizjes Studentore Shqiptare të Dhjetorit 1991, Heroit të Demokracisë dhe ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Azem Hajdari në Tropojë.
Në vijim, mesazhi i Presidentit Meta iu përcoll të pranishmëve të shumtë në ceremoninë e përurimit të shtatores, që u zhvillua në qendrën e qytetit të Bajram Currit, nga Këshilltari Ushtarak i Tij, Gjeneral Brigade Piro Ahmetaj.
Në mesazhin e Presidentit Meta ndër të tjera thuhet se, vendosja e monumentit të Azemit në vendlindjen e tij të shtrenjtë është një gjest fisnik mirënjohje, jo vetëm për kontributin e tij të pazakontë por edhe për vlerat shoqërore e kombëtare që kjo vatër e patriotizmit ka mbajtur në shekuj.
Në fjalën e tij, kreu i PD, Lulzim Basha tha se ka ardhur me gëzim dhe dëshirë të madhe në këtë festë të bukur, kthimin e Azem Hajdarit në Tropojën e tij të shtrenjtë.
“Këto male janë plot me heroizëm dhe lavdi. Azem Hajdari ju përket ju, i përket Tropojës dhe ju jeni krenar për birin tuaj”, iu drejtua ai qytetarëve të mbledhur në qendër të qytetit.
“Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdarit i detyrohemi shumë për ç’ka bëri për lirinë e gjithëve ne”, nënvizoi Basha, duke shtuar se, “kjo është vetëm njëra prej përmendoreve që ngrihen për të.
Në fakt, theksoi Basha, “përmendoren më të madhe, Azem Hajdari e ka në mendjet dhe zemrat tona. Ai vazhdon të na ndriçojë rrugën”.
“Në mendjen dhe zemrat time, të mbarë rinisë shqiptare, kujtimi i Azem Hajdarit na shërben të kujtojmë se liria është gjëja më e çmuar në jetë. Tropoja sot është shumë e bukur me përmendoren e Azem Hajdari”, u shpreh kreu i PD .
Berisha: Azem Hajdari do të kthehej e do të shndërrohej në legjendën e vërtetë
Në përurimin e shtatores mori pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në fjalën e tij theksoi se, “Azem Hajdari do të kthehej e do të shndërrohej në legjendën e vërtetë. Do të ngrihej si luan mbi mitrolozët, përballë autoblindave, përballë një diktature më të rëndat e Evropës, do të brohoriste. Do të shkallmonte dyert e mbyllura të lirisë dhe dinjitetit për shqiptarët, që shqiptarët të ngrihen kudo si njerëz me besim dhe krenarë”.
Kryebashkiaku Dushaj: Djalin tonë e përcollëm të ri, dhe na u kthye në bronx
Ndërsa kryebashkiaku i Tropojës, Besnik Dushaj në fjalën e tij u shpreh se, “djalin tonë të bukur e përcollëm të ri, dhe na u kthye në bronx. Azem, ti je gjallë dhe faleminderit që na dha mundësitë të ëndërrojmë”.
Ndaje me miqte