0030 210 33 18 483

Pezullohet Superliga greke urdhër arresti për presidentin e PAOKut

Tribuna 12 Mars 2018

Qeveria greke ka vendosur pezullimin pa afat të ligës superiore të futbollit, pas incidenteve të së dielës në derbin PAOK-AEK, në Selanik. Vendimi u komunikua nga zëvendësministri i sporteve, Jorgos Vasiliadis, menjëherë pasi ky doli nga takimi me kryeministrin Tsipras. “Do të ndërpresim kampionatin për të vendosur rregulla që vlejnë për të gjithë dhe kundrejt të gjithëve”, deklaroi zëvendësministri i sporteve. Vasiliadis shtoi se në orët e ardhshme do të fillojë një seri takimesh me përfaqësues të Superligës. I pyetur mbi mundësinë e përjashtimit të futbollit grek nga veprimtaritë europiane, ai u përgjigj se “gjithë opsionet janë mbi tavolinë”. “Nuk do të zbrapsemi, vazhdojmë betejën për transparencë dhe një futboll më të mirë”, deklaroi qeveritari grek. Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, vetë kryeministri Tsipras është shprehur i vendosur që t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. “Nuk më intereson kostoja politike. Kjo histori duhet të mbarojë dhe të gjithë do të gjenden para përgjegjësisë”, citohet të ketë thënë shefi i qeverisë. Fjalia e fundit shënjestron presidentin e PAOK-ut, biznesmenin Ivan Savidis, që konsiderohet si i favorizuar nga qeveria Tsipas. Mbrëmjen e të dielës Savidis u fut i armatosur në fushën e lojës. Në në brez i dukej revolveri personal dhe e kërcënoi gjyqtarin duke i thënë se “Je i vdekur”. Prokuroria ka lëshuar një urdhër arresti për biznesmenin dhe katër truprojat e tij, por urdhëri nuk është ekzekutuar ende, pas ata nuk janë gjendur. Ivan Savidis, një biznesmen rus me origjinë greke, konsiderohet nga opozita se ka pasur mbrojtjen e qeverisë Tsipras, në këmbim të mbështetjes që i ofron me dy mediat që bleu tash së fundi, një televizion dhe një të përditshme të madhe.

Ndaje me miqte