0030 210 33 18 483

Poetja Armela Hysi cikël poetik në revistën letrare greke &ldquoMandragora&rdquo

Tribuna 27 Korrik 2017

Me një cikël poetik ku përfshihen disa poezi nga libra të ndryshëm të autores, si dhe dy poezi të botuara për herë të parë të poetes Armela Hysi, me përkthimin nga origjinali të studentes Xhoi Keliraqi, paraqitet para lexuesit të këtij zhanri të dashur, poetja shqiptare me banim në Greqi, në revistën e njohur letrare “Mandragora”, në edicionin e 56-të të saj. Revista letrare “Mandragora”, që sivjet gëzon rreth një çerek shekulli jetë të suksesshme në botën e Letrave Greke, është një revistë katër mujore, periodike, “për Artin dhe Jetën”, siç shprehet vetë në siglën e saj dhe përfshin në botimet e veta emra në zë të artit, në të gjitha fushat e tij, kryesisht letrare, por po ashtu dhe vizive. Në rubrikën e përkthimeve, një nga rubrikat e shumta të kësaj reviste voluminoze dhe cilësore të saj, “Mandragora” mirëpret letraren Armela Hysi, krahas katër poetëve të tjerë nga Rusia dhe Bullgaria, me një cikël të bollshëm dhe një biografi të shkurtër të poetes shqiptare, duke e prezantuar atë për herë të parë me lexuesin helen. Për tu përmendur është dhe paraqitja për herë të parë në rolin e përkthyeses, të studentes së re Xhoi Keliraqi, prurëses së këtyre poezive në gjuhën greke, që e ka kaluar në mënyrë të kënaqshme dhe premtuese këtë provë, që urojmë urojmë të ndiqet edhe nga përkthime të tjera. Duke besuar gjithmonë se arti dhe letërsia në veçanti janë pikësynime ideale për vlerat e përbashkëta të njerëzve dhe kombeve, pika kyçe në njohjen e kulturës dhe këndvështrimit të botës së secilit nga ne dhe të përgjithësisë, nuk kemi si të mos interesohemi për të tilla ndërmarrje dhe t'i përshëndesim me gëzim. Urime, Armela Hysi!

Ndaje me miqte