Policia: Sulmi në Dallas i paramenduar dhe i parapërgatitur
09 Korrik 2016
Policia në Dallas thotë se të paktën një person i armatosur ishte i përfshirë në incidentin e përgjakshëm të së enjtes në mbrëmje, që la të vrarë pesë policë dhe plagosi nëntë persona të tjerë.
Sipas deklaratave të Shefit të Policisë së Dallasit David Brown, policia e rrethoi të dyshuarin dhe u përpoq të hynte në tratativa, gjatë të cilave ai u tha autoriteteve se “donte të vriste oficerë të bardhë” se kishte vepruar pa bashkëpunëtorë dhe se nuk kishte lidhje me grupe specifike.
Ai u vra më pas nga policia nga një mjet eksploziv. Një robot i komanduar nga policia, i pajisur me një mjet plasës, u dërgua pranë të dyshuarit, shpjegoi shefi i policisë.
Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch tha se Departamenti i Drejtësisë është i gatshëm të mbështesë procesin hetimor në Dallas me çdo ndihmë të nevojshme.
Media amerikane citon zyrtarë të rendit në Teksas, të cilët e kanë identifikuar të dyshuarin e vrarë si një 25-vjeçar që jetonte në një lagje pranë Dallasit. Ai kishte shërbyer më parë në Forcat Rezervë të ushtrisë.
Një person që ndodhej aty në kohën e të shtënave me armë e përshkroi skenën e së enjtes në darkë si "kaos i plotë."
Shefi i policisë në Dallas tha të premten në mëngjes se tre të dyshuar janë arrestuar, ndërsa i dyshuari i katërt është vrarë. Në një deklaratë për gazetarët, Shefi i Policisë, David Brown tha se i dyshuari kishte aluduar se do të ketë vdekje të tjera nga mjete plasëse të vëna në qytet. Autoritetet në Dallas kanë dërguar ekipe speciale për zbulimin dhe detonimin e bombave, por nuk kanë gjetur gjë.
Në komentet për shtyp sot në mëngjes, Kryebashkiaku i Dallasit Mike Rawlings u shpreh se ishte një ditë e dëshpëruar.
“Kur themi se policët tanë vënë jetën në rrezik çdo ditë nuk është ekzagjerim, është në fakt realitet”.
Në komentet që bëri në Varshavë, Presidenti Barak Obama i dënoi sulmet, duke i cilësuar një kujtesë e dhimbshme e sakrificave që bëjnë përditë policët për të garantuar sigurinë e popullatës:
“U bëj thirrje të gjithë amerikanëve të luten për këta policë dhe familjet e tyre, t’i mbajnë në mendjet e tyre. Si komb, të shprehim të gjithë mirënjohjen tonë të thellë për djemtë e vajzat tona në uniforma blu, jo vetëm sot, por çdo ditë”.
Policia thotë se policët u qëlluan gjatë demonstratës që po zhvillohej të premten për të protestuar vrasjet e dy afrikano-amerikanëve këtë javë nga forcat e rendit, një në Minesota dhe një në Luiziana.
Dy vrasjet janë incidentet më të fundit në vrasje të bujshme të afrikano-amerikanëve nga policë, që shihen si shembuj të përdorimit të tepruar të forcës policore ndaj pakicave.
"Kur ndodhin incidente të tilla, një pjesë e madhe e bashkëqytetarëve tanë e ndiejnë se për shkak të ngjyrës së lëkurës ata nuk trajtohen njësoj. Dhe kjo dhemb," tha Presidenti Obama.
Ndaje me miqte