Politika shqiptare uron zgjedhjen e Trump
ATSH
10 Nentor 2016
Politika shqiptare ka uruar zgjedhjen e Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës , Donald Trump.
Të pranishëm në “Mëngjesin Zgjedhor, organizuar nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ata ndanë me Ambasadorin Donald Lu mesazhet e urimit por edhe rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.
Nishani: Miqësia e amerikanëve me shqiptarët është një miqësi e konsoliduar
Nga “Mëngjesi Zgjedhor”, presidenti Bujar Nishani uroi zgjedhjen e Donald Trump si President i SHBA.nishani-lu-foto-florian-abazaj
“Urimet më të mira popullit amerikan për demonstrimin e formës më të lartë të demokracisë dhe njëkohësisht rikonfirmim e një vije tradicionale të konsoliduar mes shqiptarëve dhe popullit amerikan”, u shpreh Nishani.
Nishani tha se tashmë për SHBA-në nis një erë e re dhe një dimensioni të ri mes bashkëpunimit të SHBA dhe partnerëve të tyre dhe normalisht forcimin e bashkëpunimit edhe me Shqipërinë.
“Miqësia e amerikanëve me shqiptarët është një miqësi e konsoliduar tashmë. Sfida është si do të qasemi drejt modelit të demokracisë dhe ajo që na përputh me njëri-tjetrin”, tha Nishani.
Meta: Me Trump, marrëdhëniet Shqipëri-SHBA do të njohin lulëzim të mëtejshëm
Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e sheh zgjedhjen e Donald Trump President të SHBA, si një mundësi për të lulëzuar më tej raportet me SHBA-në.
I pyetur lidhur me deklaratën e kryeministrit Rama për Trump, Meta deklaron se nuk do kenë ndikim në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Nuk besoj se do të ketë ndikim. Eshtë marrëdhënie solide mes dy vendeve, e konsoliduar gjatë ndërtimit të SHBA dhe Shqipërisë nga forca të alternuara politike. Eshtë një partner strategjik dhe s;do ketë ndonjë ndryshim të rëndësishëm. mund të ketë një mundësi për një lulëzim të mëtejshëm të raporteve shqiptaro-amerikane. Marrëdhëniet mes dy vendeve nuk ndikohen nga raportet apo qëndrimet e cilitdo. Janë marrëdhënie të cilat kanë një perspektivë tjetër, shumë më strategjike sa e mendojmë ne”, nënvizoi Meta.
Rama uron Trump: Marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, do të vijojë të forcohet
Kryeministri Edi Rama uroi sot presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump.
Përmes një statusi në facebook, Rama shkruan se “populli amerikan bëri sot zgjedhjen e tij. Një mike e madhe e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, Hillary Clinton, nuk i’a doli dot të bëhet Presidentja e parë grua në historinë e Shteteve të Bashkuara”.
Kundërshtari i saj, Donald Trump, u zgjodh Presidenti i dyzetepestë i SHBA, vijon ai, duke e bindur Sovranin të votojë alternativen e tij, pas një debati të pazakonshëm brenda e jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke i uruar Presidentit Trump fitoren dhe të gjithë suksesin që amerikanët dhe miqtë e partnerët e SHBA, i urojnë atij vendi të madh, kryeministri Rama shpreh bindjen se “marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, do të vijojë të forcohet në funksion të vlerave e të interesave të përbashkëta, të cilat e bëjnë Shqipërinë një mik e aleat të çmuar të popullit e të qeverisë amerikane”.
Ndaje me miqte