Presidenti Obama vizitë në Athinë më 15 nëntor
TRIBUNA
27 Tetor 2016
Presidenti amerikan Barack Obama do të vizitojë Athinën më 15 nëntor.
Vizita është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, ku zbardhet edhe axhenda e takimeve që do të zhvillojë në kryeqytetin grek.
Sipas njoftimit, Obama do të takohet me presidentin e Republikës Pavlopulos dhe kryeministrin Tsipras.
“Presidenti do të konfirmojë mbështetjen tonë në përpjekjet e vazhdueshme për t’u vënë ekonomia greke në kursin e normalitetit dhe do të rikthehet prosperiteti”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Më tej, presidenti do të shfaqë vlerësimin tonë për fisnikërinë impresionuese që tregoi qeveria greke dhe populli grek ndaj refugjatëve dhe emigrantëve”, thuhet më tej në njoftim.
Edhe pse kjo vizitë do të kryhet kur presidenti Obama ndodhet në përfundimin e mandatit të vet, qeveria greke pret një mbështetje të fuqishme nga Uashingtoni në përpjekjet për lehtësimin e borxhit.
theksojnë mediat duke e ndërlidhur me takimin që do të ketë më pas presidenti Obama me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Athina shpreson në mbështetjen e Uashingtonit, edhe pse presidenti Obama do të ndodhet në javët e fundit të mandatit të tij.
Berlini vazhdon të kundërshtojë në mënyrë konstante çdo vendim për borxhin grek. Ministri i financave Wolfgang Schauble tha të hënën se për këtë nuk mund të diskutohet para përfundimit të programit të tretë të shpëtimit të Greqisë, në vitin 2018.
Ndërkaq, Barack Obama, në një intervistë të publikuar në të përditshmen italiane, La Repubblica, ka theksuar se “masat shtrënguese bllokojnë zhvillimin ekonomik të Europës”.
“Unë besoj se masat shtrënguese kanë kontribuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike në Europë. Në disa vende ne kemi parë një stagnacion disavjeçar, që ka ushqyer frustrimet ekonomike dhe shqetësimet që po vërejmë në gjithë kontinentin. Sidomos në mesin e të rinjve, të cilët kanë më shumë gjasa të jenë të papunë”.
Qeveria Tsipras po e shfrytëzon këtë vizitë edhe për të përfituar kapital politik. Burime qeveritare citohen nga shtypi grek të kenë thënë se vizita është veç të tjerash, edhe rezultat i kontakteve intensive, pa precedent, që kryeministri Tsipras ka realizuar me liderët botërorë.
kjo do të jetë vizita e parë e Barack Obama-s në Greqi, dhe e para e një presidenti amerikan pas plot 17 vjetësh. I fundit kishte qenë presidenti i atëhershëm, Bill Clinton, në 17 nëntor 1999, qëndrimi i të cilit ishte shoqëruar nga protesta të fuqishme antiamerikane.
Ndaje me miqte