Presidenti francez Emmanuel Macron viziton Athinën
Tribuna
07 Shtator 2017
Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të vizitojë të enjten Athinën, “për të përcjellë një mesazh besimi ndaj rimëkëmbjes së vendit”. Kështu kanë deklaruar për AFP-në burime nga Pallati Elize, duke shtuar se “duhet ta shoqërojmë Greqinë në këtë fazë më pozitive që po fillon dhe që, siç shpresojmë, simbolizon një fazë të re edhe për Eurozonën”.
Pritshmëritë e Athinës nga kjo vizitë janë tepër të mëdha dhe shkojnë shumë më tej se një mbështetje e fuqishme politike.
Kryeministri Tsipras dëshiron që prania e presidentit francez të shërbejë si prelud për një tregim suksesi.
Dhe kjo, sipas vlerësimit të Athinës, mund të arrihet vetëm nëse vizita konkludon me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme, jo detyrimisht ndërshtetërore.
Sipas gazetës franceze “Le Figaro”, Emmanuel Macron-in do ta shoqërojnë në vizitën e tij disa prej biznesmenëve më të fuqishëm të vendit, me rrezatim po aq të fuqishëm ndërkombëtar.
Total, Suez, EDF, Sanofi, Orpea, Bpinfrance, Engie; janë emrat e parë të ekonomisë franceze, shënon Figaro. “Ata duan të dërgojnë mesazhin se Franca do që ta shoqërojë Greqinë në rrugën e zhvillimit dhe të daljes nga varfëria”, shton gazeta e madhe franceze.
Janë disa sektorët për të cilët biznesi francez ka shprehur interesim të madhe, duke filluar nga privatizimi i portit të Selanikut. Vijojnë energjia, industria ushqimore, turizmi dhe informatika.
Përveç investimeve në Greqi, francezët kërkojnë të largohen nga Athina me marrëveshje të mbyllura për shitje vagonash metroje, tramvaji, por edhe avionash. Dhe mbi të gjitha, të nënshkruajnë kontratën për modernizimin e avionave luftarakë Mirage-2000, një çështje që po zvarritet prej vitesh, për shkak se Athina i konsideron si tepër të ekzagjeruara kostot e këtij operacioni.
Gjatë qëndrimit 24 orësh në Athinë, presidenti francez do të takohet me homologun e tij grek, Pavlopulos, dhe me kryeministrin Tsipras, me të cilin, pas takimit do të kenë edhe konferencën e përbashkët për shtyp.
Të dy së bashku do të ndjekin edhe forumin greko-francez të biznesit të premten.
Të enjten në mbrëmje, presidenti francez do të mbajë një fjalim që konsiderohet tepër i rëndësishëm.
Me gjithë kundërshtimin e zyrtarëve të sigurisë, Macron ka insistuar që fjalimi të mbahet në kodrën e Pnikas, përballë Akropolit. Në vendin ku predikuan gjithë filozofët e Athinës antike, Emmaneul Macron do të flasë për të ardhmen e Europës, por akoma më shumë për atë të Francës, për rivlerësimin e rolit të vendit të tij në Ballkan dhe zhvillimin e industrisë franceze të mbrojtjes.
Masat e sigurisë që do të zbatohen që nga e mërkura në Athinë, janë të ngjashme me ato që ishin marrë në nëntor të vitit të kaluar, për vizitën re presidentit amerikan, Barack Obama.
Më shumë se 2000 forca policore janë në shërbim të këtij operacioni, dhe është përforcuar sidomos ruajtja e ambasadës franceze dhe institutit francez, por edhe selitë e bizneseve nga vendi që Greqia e konsideron tradicionalisht si aleatin më të ngushtë në Europë.
Rrugët nga do të kalojë presidenti francez dhe eskorta e tij do të bllokohen që më përpara për qarkullimin e mjeteve të tjera, ndërsa qindra agjentë civilë do të ndodhen kudo që do të shkojë Emmanuel Macron, nga e enjtja në mesditë e deri të premten, kur do të largohet.
Ndaje me miqte