0030 210 33 18 483

Prezantohen lejet e reja të qëndrimit. Sa do të kushtojnë

Tribuna 11 Tetor 2017

Gjashtë muaj pas fillimit të procesit, ministria e politikës së emigracionit ka prezantuar zyrtarisht lejet e reja të qëndrimit. Ato tashmë quhen “leje elektronike”, por në fakt janë lejet biometrike që nisën t’u jepen emigrantëve që në muajin prill 2017. Lejet biometrike apo elektronike (merreni si të doni), përbëjnë një detyrim komunitar të Greqisë, bazuar në rregulloren europiane 1030/2002. Lejet u paraqitën në një takim ku merrte pjesë gjithë udhëheqja e ministrisë së emigracionit, përfshi ministrin Janis Muzalas. Leja e re është projektuar si një dokument me standarde të larta sigurie, që përjashton falsifikimin apo mashtrimin. Ajo ka trajtën e një karte bankare, me përmasa 85,6 mm x 53,98 mm. Karta e lejes përmban: 1. Elementët e identitetit 2. Elementët që përcaktojnë statusin e qëndrimit (tipi i lejes së qëndrimitl, aksesi në tregun e punës) 3. Të dhënat biometrike për identifikimin e personit (fotografia, shenjat e dy gishtrinjve dhe nënshkrimi). Të gjithë të dhënat printohen në lejen e qëndrimit (me përjashtim të shenjave të gishtrinjve) dhe arkivohen në një qark elektronik radiofrekuencash (RF chip), ashtu siç parashikon rregullorja europiane. Leja përmban të dhënat biografike të poseduesit, si dhe fotografinë e portretit. Shenjat e gishtrinjve janë arkivuar me mënyrat më moderne të kriptografisë, të siguruara edhe në një mikroçip. Te shenjat e gishtrinjve kanë akses të kufizuar vetëm stacionet e çertifikuara të mekanizmave kompetente të kontrollit. Lejet e qëndrimit kanë kohëzgjatje sipas tipit të tyre (zakonisht 2-5 vjet). Kostoja e kartës, pra e lejes elektronike të qëndrimit, është 16 euro dhe paguhet vetëm në mënyrë elektronike. Siç shpjeguan zyrtarët e ministrisë, kostoja përfshin gjithë procesin e prodhimit të lejes. Ndërkaq, e pandryshueshme mbetet tarifa (Parovolo) që paguhet për lejen e qëndrimit. Domethënë, një vjeçare = 150 euro, dy vjeçare = 300 euro, e kështu me radhë. Leja elektronike e qëndrimit merret nga shtetasit e vendeve të treta në zyrat e shërbimeve me një qëndrim të emigrantëve dhe shtetasve të huaj, aty ku kanë bërë kërkesën fillestare për leje qëndrimit. Siç u raportua gjatë takimit, deri në ditët e para të tetorit janë dorëzuar më shumë se 56.000 leje elektronike qëndrimi, ndërsa 43.000 leje të tjera ndodhen në stadin e miratimit nga shërbimet e emigrantëve dhe shtetasve të huaj.

Ndaje me miqte