0030 210 33 18 483

Prezantohet Udhërrëfyesi i Sipërmarrjes GrekoShqiptare

02 Shkurt 2016

Ambasada e Greqisë në Shqipëri ka prezantuar këto ditë Udhërrëfyesin e parë të Sipërmarrjes Greko-Shqiptare, “HELLENIC - ALBANIAN BUSINESS Relations INDEX”. Bëhet fjalë për regjistrimin dhe prezantimin e parë sistematik të sipërmarrjeve greke në Shqipëri, të cilat ushtrojnë aktivitetin në sektorin bankar, telekomunikacionit, teknologjisë informative, tregtisë, industrisë, shëndetësisë, arsimit, ndërtimit, materialeve të ndërtimit, etj. Në këtë kuadër, Udhërrëfyesi i Sipërmarrjeve Greko-Shqiptare do të përbëjë një vegël të vlefshme dhe dinamike për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë si edhe realizimin e investimeve të reja greke në Shqipëri, ku, tashmë, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kalojnë 1/4 e stokut total të investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Greqia, me një total të investuar kapital prej 1 miliard e 169,41 milion euro, përbën investitorin e parë në Shqipëri, duke mbështetur zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, të ardhurat tatimore, punësimin, transferimin e teknologjisë, arsimin dhe mirëqenien e qytetarëve. Pjesa e parë e Udhërrëfyesit të Sipërmarrjeve Greko - Shqiptare përfshin përshkrimin sipërmarrës, në tri gjuhë (Greqisht, Shqip, Anglisht), si edhe informacion të plotë për të dhënat e kontaktit të një numri të konsiderueshëm të sipërmarrjeve greke dhe greko-shqiptare, që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Pjesa e dytë, përmban informacion të dobishëm të interesit ekonomik, tregtar dhe sipërmarrës dhe u drejtohet sipërmarrjeve greke që dëshirojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre sipërmarrëse në Shqipëri. Në veprimtarinë prezantuese që u zhvillua në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, përshëndetën zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi dhe Ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Leonidas Rokanas. Oratori kryesor ishte Sekretari i Përgjithshëm i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ekonomike dhe Bashkëpunimit të Zhvillimit i Ministrisë së Jashtme Greke, Jorgos Tsipras, ndërsa përshëndetën Presidenti i Shoqatës së Sipërmarrjeve Greke në Shqipëri, Perikli Droukgas dhe Presidenti i Rrjetit të Përgjegjësisë Sociale Korporative (Corporate Social Responsibility Network) të Shqipërisë, Adamantios Fratzis. Pas prezantimit zyrtar, Udhërrëfyesi do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të Zyrës për ështjet Ekonomike & Tregtare të Ambasadës së Greqisë në Tiranë (www.agora.mfa.gr/al51), ndërsa po programohet edhe botimi në formë të printuar si edhe krijimi i aplikacionit për telefona celularë. (IOS dhe Android). Në hyrje të indeksit janë publikuar përshëndetjet e ministrit të jashtëm grek, Nikos Kotzias, zv/kryeministrit të Shqipërisë, Niko Peleshi dhe të Ambasadorit të Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas.

Ndaje me miqte