Prishtina nuk lejon hyrjen e trenit serb në Kosovë
Zeri i Amerikes
15 Janar 2017
Autoritetet në Kosovë thanë se nuk kanë lejuar hyrjen në territorin e Kosovës të një treni që ishte nisur nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës i dekoruar me flamuj serbë, me mbishkrimin Kosova është Serbi në 20 gjuhë dhe ikonografi mesjetare.
Treni ishte nisur me gjithë protestën e Prishtinës e cila e vlerësoi synimin për hyrjen e tij në Kosovë si provokim dhe shkelje të sovranitetit të saj.
Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008 ndërsa është vënë në përpjekje për të shtrirë sovranitetin e saj edhe në veriun e banuar me shumicë serbe që është nën ndikimin e Beogradit.
Institucionet e Kosovës nuk i kontrollojnë hekurudhat në veri të vendit.
Nisja e sotme e trenit, sipas autoriteteve të Beogradit ishte një sprovë me synimin për vendosjen ne linjës së rregullt Beograd - Mitrovicë.
Treni sipas autoriteteve serbe është ndaluar në Rashkë një komunë në Serbinë jugperëndimore.
Në orët e mbrëmjes kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se për në Mitrovicë ishte nisur një tren dhe jo një tank.
"Vendimi im ishte, dhe krenohem me të, që ta ndaloj trenin në Rashkë me qëllim të ruajtjes së lirisë së njerëzve tanë dhe të ruaj paqen e të shmang konfliktet”, tha kryeministri serb pas një takimi emergjent me shërbimet serbe të sigurimit.
Ai akuzoi Prishtinë për provokim ndërsa theksoi se është ankuar tek shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini dhe se do të njoftojë Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara për siç tha, faktin se Prishtina po luan "lojëra lufte".
“U bëj thirrje serbëve që të ruajnë qetësinë dhe vërejtja ime e fundit për shqiptarët dhe edhe lutja për ta në Kosovë është që të mos tentojnë t’i sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë".
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në orët e mbrëmjes së të shtunës se ndalimi i hyrjes së trenit ishte vendimi i duhur.
“Unë mendoj se kthimi prapa i këtij treni është veprim i duhur dhe hyrja e trenit në territorin e Republikës së pavarur të Kosovës nuk do të lejohej ose nëse rast se do të hynte, do të përballej në përputhje me ligjet e Kosovës. Jemi të përkushtuar që të mundësojmë lëvizjen e lirë, por nuk do të lejojmë provokime të tilla. Me këtë rast, më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe kryeparlamentarin, të angazhohemi për të mbrojtur sovranitetin e vendit”, tha kryeministri Mustafa në një konferencë me gazetarë.
“Nuk do të lejojmë provokime të tilla që kanë për qëllim kthimin e Kosovës dhe rajonit në vite të errëta dhe me pasoja të paparashikueshme", tha mes tjerash ai duke nënvizuar se për të gjitha veprimet e sotme institucionet e Kosovës janë këshilluar edhe me misionet diplomatike në Kosovë.
Më herët gjatë ditës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se autoritetet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të trenit.
“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme. Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi”, ka shkruar presidenti Thaçi.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, shprehu të shtunën shqetësimin lidhur me zhvillimet rreth trenit.
“I brengosur për çështjen e trenit. Bëj thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët. Kemi nevojë për normalizim, e jo për konfrontim”, ka shkruar ambasadori Delawie në rrjetin social Twitter.
Ndaje me miqte