Programi &ldquo1 miliard për rindërtim&rdquo Rama: Në Tiranë ndërtohen 20 shkolla të reja
ATSH
14 Shkurt 2017
Në kuadër të programit “1 miliard dollarë për rindërtim”, në Tiranë do të ndërtohen 20 shkolla të reja.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e projektit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e 20 shkollave të reja në kuadër të programit “1 miliard dollarë për rindërtim”. Kryeministri vlerësoi se ky është “një program që do të bëjë të mundur realizimin në një kohë shumë të shkurtër të atyre veprave që do të donin një kohë të gjatë, si pasojë e pamundësisë së arkës së shtetit për t’i financuar”.
“Ky program do të garantojë infrastrukturë arsimore, shëndetësore, rrugore, si dhe do t’ i japë një shtysë të jashtëzakonshme ekonomisë dhe punësimit. Bashkia e Tiranës po prezanton këtë projekt si dallëndyshja e parë që lajmëron një stinë të re transformimesh të mëdha infrastrukturore, ekonomike e sociale. Me të njëjtjat para që buxheti i shtetit do të investonte në 20 vitet e ardhshme për të ndërtuar në këtë rast 20 shkolla të reja, bashkia e Tiranës do t’i ndërtojë këto 20 shkolla të reja dhe në vitet e ardhshme buxheti do të financojë shlyerjen e këtij investimi”, tha Rama.
Programi “1 miliard dollarë”, sipas tij, vjen si rezultat i nevojës për të përshpejtuar ritmin e ndryshimit, rilindjes së të gjithë sektorëve dhe që fëmijët të marrin sot mësimin cilësor duke pasur një shkollë të denjë me hapësira dhe mundësi të barabarta”.
“Ky moment ka një rëndësi të madhe për të çelur kantieret e tjera. Janë 150 shkolla të reja, nga të cilat 53 do të ndërtohen të reja aty ku nuk ekzistojnë dhe 97 do të rindërtohen nga themeli në zona të tjera të vendit. Po të shtojmë edhe 20 shkollat e reja të Tiranës bëhen 170 shkolla, që me këtë program do të bëhen realitet”, tha Rama, duke shtuar se në këtë mënyrë do të bëhet realitet çlirimi nga turni i dytë dhe vijimi i aktiviteteve të shkollave si Qendër Komunitare.
Duke renditur disa nga sukseset e Bashkisë së Tiranës, Rama theksoi se “sot kjo bashki jep gjysëm milionë euro në vit për nxënësit me dhjeta, një traditë që u tret gjatë 4 viteve kur bashkia e Tiranës u kthye në një fjetore, dhe po ashtu ka rikthyer edhe çekun e bebes, që u hoq në 4 vitet e shkuara”.
Programi “1 miliard dollarë” për Tiranën, sipas Kryeministrit, “do të sjellë një impakt të madh ekonomik e social, ndërsa për Shipërinë në 2-3 vitet e ardhshme synohet dyfishimi i rritjes ekonomike”. “Nga 3.5 përqind që është sot, synohet të shkojmë në një rritje që patjetër të jetë 6 për qind, ose të paktën të kalohet niveli i rritjes 5 për qind”, tha Rama.
Në kuadër të programit “1 miliard”, kryeministri nënvizoi se do të ndërtohet edhe një spital i ri rajonal në Fier që është i domosdoshëm në rang kombëtar, por edhe vepra shumë të rëndësishme në infrastrukturë që do t’i shërbejnë turizmit, ekonomisë dhe zonave rurale.
Ndaje me miqte