0030 210 33 18 483

Prokopis Pavlopulos presidenti i ri i Greqisë

18 Shkurt 2015

Parlamenti grek ka zgjedhur mbrëmjen e të mërkurës presidentin e ri të vendit. Prokopis Pavlopulos kandidati i propozuar nga kryeministri Aleksis Tsipras, ka marrë 233 vota, duke u zgjedhur kështu në postin e kryetarit të shtetit. Prokopis Pavlopulos u mbështet edhe nga Demokracia e Re, me të cilën është zgjedhur deputet në gjashtë legjislatura. 64 vjeçari Pavlopulos ka qenë ministër i brendshëm në gjithë qeveritë konservatore të Kostas Karamanlis, në periudhën 2004-2009. Kandidati i prezantuar nga dy partitë opozitare, Lumi dhe PASOK, Nikos Alivizatos, mori 30 vota, ndërsa 32 deputetë abstenuan. Nga votimi mungonin 5 nga 300 deputetët që ka Parlamenti. Vendimi i kryeministrit Tsipras për të propozuar si kandidaturë të maxhorancës për president të republikës politikanin e të djathtës, Prokopis Pavlopulos, ka befasuar shumëkënd. Kjo kandidaturë u hodh në momentin që mendohej se i preferuari i Tsirpas për postin e kreut të shtetit ishte komisioneri aktual i çështjeve të brendshme të BE, Dimitris Avramopulos, gjithashtu figurë e demokracisë së re. Kryeministri Tsipras e argumentoi kandidaturën e zotit Pavlopulos me nevojën e konsensusit të gjerë dhe tha se ai është një personalitet me sensibilitet të theksuar demokratik dhe që gëzon simpati edhe në shoqëri, edhe në parlament. Pavarësisht mbështetjes së gjerë, lajmi për kandidaturën e zotit Pavlopulos ka risjellë në skenë akuzat dhe kritikat që janë bërë më herët ndaj tij. Madje një nga figurat kryesore të Demokracisë së Re dhe zëdhënës i grupit parlamentar të kësaj partie, Kyriakos Mitsotakis, e shprehu publikisht mospajtimin e tij me kandidaturën. Dy orë para fillimit të votimit, Mitsotakis deklaroi se nuk do të merrte pjesë, pasi nuk donte që të votonte kundër. Në një dekalaratë për shtyp, Mitsotakis thekson se nuk është “bindur që Pavlopulos është kandidati më i përshtatshëm për presdident të republikës”. Pavlopulos që ishte drejtues edhe i ministrisë së rendit në dhjetor 2008, u akuzua për një qëndrim tejet pasiv në trazirat e atëhershme që pasuan vrasjen e adoleshentit Aleksandros Grigoropulos. Ndërsa bëhet përgjegjës se stimuloi mijëra emërime të paligjshme në sektorin publik, duke nxjerrë jashtë loje kriteret ligjore të meritokracisë dhe duke favorizuar vetëm përkrahës të Demokracisë së Re. 64 vjeçari Prokopis Pavlopulos ka qenë ministër i brendshëm në gjithë qeveritë konservatore të Kostas Karamanlis, në periudhën 2004-2009. I diplomuar si jurist, ai prej 35 vjetësh jep lëndën e të drejtës administrative në universitetin e Athinës, krahas veprimtarisë së tij politike, që ka filluar në fundin e viteve 1980. Eshtë zgjedhur deputet i Demokracisë së Re në gjashtë legjislatura, ndërsa në zgjedhjet e 25 janarit 2015 nuk mori pjesë, duke deklaruar se tërhiqej nga politika.

Ndaje me miqte