0030 210 33 18 483

Punësimi në Gjermani vetëm me kontratë pune

20 Shkurt 2016

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffmann, ka konfirmuar edhe njëherë se azilkërkuesit ekonomikë nga Shqipëria nuk do të pranohen në vendin e tij. Por nga ana tjetër, Hoffmann ka bërë të qartë se autoritetet gjermane dëshirojnë t'u japin atyre një mundësi duke lehtësuar aksesin në tregun e punës dhe të kushteve për të filluar një marrdhënie pune në Gjermani. Në një intervistë dhënë korrespondenes së Deutsche Welle-s në Tiranë, Ani Ruci, ambasadori Hoffmann saktëson se “tani për të filluar një marrëdhënie pune në Gjermani nuk është i domosdoshëm një kualifikim i posaçëm profesional, por vetëm një kontratë e rregullt pune që nënkupton ndër të tjera të mos shkohet poshtë pagës minimale”. Më poshtë vijojnë pjesë nga intervista e ambasadorit gjerman: DW: Z. Ambasador, autoritetet gjermane po riatdhesojnë azilkërkuesit me motive ekonomike nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. do javë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit mbërrijnë qindra qytetarë shqiptarë që riatdhesohen. Ndërkohë, në fillim te këtij viti ka hyrë në fuqi ligji i ri gjerman i emigrimit. Si do të kontribojë ky ligj që të shmangë përpjekje të reja të mundshme të qytetarëve nga Shqipëria për të tentuar të rikërkojnë azil në Gjermani? HELLMUT HOFFMANN: Ndihem relativisht i lehtësuar, që numri i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani është në zbritje të vazhdueshme. Sipas statistikave, në janar të këtij viti ka rreth 1200 syresh, shifër kjo që mund të them se është një iluzion optik, pasi nuk bëhet fjalë për qytetarë dhe qytetare shqiptare që kanë udhëtuar drejt Gjermanisë brenda muajit janar, por për qytetarë që kanë qenë atje dhe vetëm në janar kanë arritur të bëjnë kërkesën e tyre për azil. Jam optimist, pasi shifrat e atyre që vazhdojnë të shkojnë në Gjermani për të kërkuar azil po ulen në mënyrë të ndjeshme. Shpresoj shumë që tani ta kenë kuptuar që nuk ka azil ekonomik në Gjermani. Ashtu, si përmendët në krye të kësaj interviste, çdo javë kthehen nga autoritetet gjermane me qindra azilkërkues shqiptarë, pasi kanë marrë një përgjigje negative për aplikimin e tyre për azil. Pjesa më e madhe kthehen me vullnetiin e tyre të lire, pasi kështu mund të shmangin ndalim-hyrjen në Gjermani, që në rast të kundërt do të vendosej për një periudhë disavjeçare. Por ka edhe një numër azilkërkuesish që nuk pranojnë të kthehen me dëshirën e tyre dhe për këtë qëllim ata kthehen në Shqipëri me avion përmes autoriteteve të azilkërkimit. Lidhur me ligjin e ri gjerman për emigrimin, që hyri në fuqi në fillim të vitit 2016, për mua është kënaqësi të them që ai ka të bëjë me lehtësimin e kushteve për të hyrë në tregun e punës në Gjermani jo vetëm për qytetarët e Shqipërisë por edhe për ata nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Për sa u përket shqiptarëve, tanimë dihet se ata shkuan në Gjermani jo se kërkuan realisht azil, por kërkuan mundësi për të punuar. Gjermania, në këtë rast u pozicionua duke thënë: Ne nuk japim azil për emigrantë ekonomikë, por nga ana tjetër dëshirojmë t'u japim atyre një mundësi duke lehtësuar aksesin në tregun e punës dhe të kushteve për të filluar një marrdhënie pune në Gjermani, gjë që është bërë realitet që në 1 janar 2016. Risia në këtë kontekst është që tani për të filluar një marrëdhënie pune në Gjermani nuk është i domosdoshëm një kualifikim i posaçëm profesional, por vetëm një kontratë e rregullt pune që nënkupton ndër të tjera të mos shkohet poshtë pagës minimale. Po kështu kërkohet miratimi i Zyrës Lokale të Punësimit në Gjermani. Mjaft i rëndësishëm është aplikimi për vizën përkatëse të punës duke ardhur personalisht në Ambasadën Gjermane në Tiranë. Në mënyrë të përmbledhur do të thoja: Kush dëshiron të punojë dhe të integrohet, nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor është i mirëpritur në Gjermani. Ajo që nuk pranohet është shprehimisht një emigrim në sistemet e sigurisë sociale të Gjermanisë, pra që njerëzit të vijnë në Gjermani për të kërkuar punë për një periudhë kohore dhe t'u sigurohet strehimi, ushqimi apo një sasi e vogël parash. Shpresoj shumë që këta dy elementë - rikthimi i të gjithë azilkërkuesve që kanë ardhur në Gjermani për arësye ekonomike dhe ofrimi i mundësive ligjore për të nisur një marrdhënie pune në Gjermani, të japin efektin e tyre sa më parë që të jetë mundur. DW: Z. Ambasador, çfarë masash mund të marrë Qeveria e Shqipërisë për të shmangur që qytetarët e saj të mbërrijnë në vendin e parë, anëtar të BE, dhe që andej të tentojnë të kërkojnë azil në Gjermani apo vende të tjera të BE? HELLMUT HOFFMANN: Së pari dëshiroj të shpreh vlerësimin tim pozitiv për bashkëpunimin që kemi pasur me qeverinë shqiptare, sidomos për qëndrimin dhe bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet shqiptare, që kanë të bëjnë drejtëpërsëdrejti me rastet e rikthimeve. Por çfarë duhet bërë për të parandaluar valët emigratore që mund të vijnë në të ardhmen? E rëndësishme është që problemi të bëhet temë e diskutimeve publike sa më shpesh që të jetë e mundur, pasi nuk është diçka e vogël që aq shumë njerëz të largohen nga vendi apo thjesht të mendojnë ta lënë atë një ditë. Sikurse e theksova në krye të kësaj interviste shifrat e azilkërkuesve janë në rënie. Shpresoj shumë që ky trend të vijojë edhe në të ardhmen. Por për sa kohë do të jetë një problem, mendoj që të gjithë personat përgjegjës në të gjitha nivelet të sqarojnë opninionin publik për mungesën e shpresës për të marrë azil ekonomik në Gjermani. Të sqarojnë që ajo që arrihet duke shkuar për të kërkuar azil ekonomik është thjesht vetëdëmtimi, sepse starti pas kthimit është edhe më i vështirë sesa para largimit nga vendi. Shpresoj që gjithë strukturat dhe personat relevantë, të gjitha forcat politike të bashkëpunojnë për të krijuar kushte që njerëzit të mos arrijnë deri tek mendimi i emigracionit, i largimit nga vendi, duke shfrytëzuar në mënyrë të mirë orientuar të gjitha burimet për krijimin e vendeve të punës, ku e rëndësishme është shpërndarja e ndershme dhe luajale e vendeve të punës në funksion të luftës kundër varfërisë. Shqipëria merr mbështetje të konsiderueshme nga BE, donatorë multilateralë dhe të veçantë, dhe gjithë kjo mbështetje, përfshirë edhe atë të Gjermanisë, për më shumë se 25 vjet synon që njerëzit të mos kërkojnë rrugët e mirëqënies së tyre jashtë vendit, por të shikojnë mundëitë e realizimit të tyre në Shqipëri. Nëse do të kaloja në retrospektivë, gjithë zhvillimet që ka pasur Shqipëria në 25 vitet e fundit mendoj që kanë qenë pozitive, megjithë vështirësitë në momente të caktuara. Ndjesia ime është që perceptimi i gjendjes së vendit është më i keq sesa realiteti. Natyrisht duhet punuar shumë pasi ka shumë për të përmirësuar.

Ndaje me miqte