Qendra e Majtë të dielën zgjedhjet për kryetarin. Pse duhet të votojnë shqiptarët me nënshtetësi greke
Tribuna
09 Nentor 2017
Të dielën, më 12 nëntor forcat politike të spektrit të Qendrës së Majtë do të zgjedhin kreun e “Koalicionit Demokratik”. Bëhet fjalë për një bashkim të forcave të këtij spektri, duke filluar që nga PASOK-u, To Potami, E Majta Demokratike, KIDISO -partia e ish kryeministrit Papandreu, etj.
Kandidatët që do të votohen për postin e kryetarit janë nëntë:
1. Fofi Genimata, kryetarja aktuale e PASOK-ut, e datëlindjes 1964.
2. Stavros Theodorakis, drejtues i partisë To Potami, i datëlindjes 1963.
3. Jorgos Kaminis, kryetar i bashkisë së Athinës, i datëlindjes 1954.
4. Janis Ragusis, ish ministër i brendshëm në qeverinë e Jorgos Papandreut, personi që sanksionoi në ligj nënshtetësinë dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale për emigrantët (i njohur si “ligji Ragusi”.
5. Janis Maniatis, ish ministër i energjisë, i datëlindjes 1956.
6. Konstantinos Gatsios, pedagog në Universitetin Ekonomik, Athinë, i datëlindjes 1957.
7. Nikos Andrulakis, eurodeputet i PASOK-ut, i datëlindjes 1979.
8. Apostolos Pontas, avokat, i datëlindjes 1974.
9. Dimitris Tziotis, biznesmen, ekspert i komunikimit, i datëlindjes 1969.
Kush ka të drejtë të votojë?
Të drejtën për të votuar e ka çdo qytetar/e që është regjistruar në listën e zgjedhësve deri në nëntor 2017 dhe që pranon parimet themeltare që frymëzojnë tradicionalisht veprimtarinë e forcave demokratike dhe progresive, ku shquhen demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut dhe drejtësia sociale.
Cili është orari i votimit?
Nga ora 08,00 deri 20,00. Në Athinë, për shkak të garës së maratonës që zhvillohet po më 12 nëntor, do të ketë një shtyrje prej një ore, pra kutitë e votimit do të mbyllen në ora 21,00.
A duhet paguar ndonjë kuotë për të votuar?
Po. Secili jep një kontribut monetar, minimumi 3 euro. Shuma që do të grumbullohet nga kontributet, do të shërbejë për të mbuluar shpenzimet e procesit të votimit. Nëse do të ketë tepricë, ajo do të kalojë në llogari të Koalicionit Demokratik.
Pse duhet të votojnë shqiptarët me nënshtetësi greke
Procesi zgjedhor për Koalicionin Demokratik, është një shans i mirë që qytetarët shqiptarë të cilët kanë marrë tashmë edhe nënshtetësinë greke, të jenë prezentë në këtë ngjarje politike. Duke marrë pjesë në votime, ata do të vërtetohen edhe një herë si një pjesë vitale e shoqërisë vendase, që interesohen edhe për zhvillimet e rëndësishme politike në vend. Kuptohet, ata do të kenë një rast edhe më të mirë, atëherë kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare - por edhe pjesëmarrja në zgjedhjet e të dielës i afirmon më së miri ata.
Me këtë nuk duam t’u bëjmë thirrje që të “afishohen” si mbështetës të së majtës së qendrës - thirrja vlen vetëm për ata që e gjejnë veten të përfaqësuar në këtë hapësirë politike.
Ndaje me miqte