Qeveria Rama 2 kryen betimin te Presidenti
Tribuna
14 Shtator 2017
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe anëtarët e kabinetit të qeverisë kanë bërë pasditen e së mërkurës betimin në Presidencë.
Në një njoftim nga zyra e Presidentit të Republikës bëhet e ditur se anëtarët e Këshillit të Ministrave, të dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, u betuan sot pasdite para Presidentit Meta gjatë ceremonisë solemne.
Në njoftim thuhet se “Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të formulës së betimit, anëtarët e Këshillit të Ministrave: Kryeministri Edi Rama; Zëvendëskryeministrja Senida Mesi; Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati; Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka; Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj; Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla; Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu; Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, u betuan para Presidentit të Republikës dhe firmosën dokumentin e betimit”.
Në këtë ceremoni ishin gjithashtu të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi; Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta dha edhe një mesazh në ceremoninë e betimit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, ku u shpreh se “Shqipëria dhe shqiptarët presin nga Qeveria e re, nga Parlamenti i ri, nga maxhoranca, por edhe nga opozita, përgjegjësi më të mëdha për të përballuar me sukses sfidat që kemi përpara”.
Ndaje me miqte