Qeveria greke: Greqia nuk po përgatitet për falimentim
14 Prill 2015
Greqia, do t’i zhgënjejmë edhe një herë tjetër, nuk përgatitet për asnjë falimentim; e njëjta vlen edhe për kreditorët, nënvizojnë burime qeveritare në përgjigje të një shkrimi të gazetës Financial Times.
Gazeta britanike, duke iu referuar qarqeve pranë qeverisë greke citonte se Greqia po përgatitet të avancojë në një hap dramatik dhe të shpallë falimentimin, nëse nuk do të mundet të kyçë marrëveshjen me kreditorët e vet deri në fund të prillit.
Sipas Financial Times, qeveria greke po përgatitet të mos paguajë një këst prej 2,5 miliardë euro ndaj FMN-së, që duhet shlyer në maj dhe në qershor, nëse nuk arrihet marrëveshja.
“Mbërritëm në fundin e rrugës... Nëse europianët nuk çlirojnë likuiditete nga programi i shpëtimit, nuk ekziston alternativë”, citon gazeta britanike një zyrtar të qeverisë greke.
Sipas Financial Times, Gjermania dhe partnerë të tjerë të Greqisë, pretendojnë se janë të sigurt se Eurozona është mjaft e fuqishme që të përballojë pasojat e një falimentimi të Greqisë, mirëpo disda zyrtarë e pranojnë se do të jetë një “zhytje tek e panjohura”.
Burime qeveritare greke e kanë përgënjshtruar shkrimin e gazetës britanike, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë falimentim. “Qeveria nuk po përgatitet për falimentimin e vendit dhe gjithë sa pretendojnë një gjë të tillë do të zhgënjehen”. Burimet vënë në dukje se negociatat po vazhdojnë me ritme intensive me synimin të gjendet një zgjidhje me dobi reciproke dhe “24 prilli do të dëshmohet një tjetër datë që nuk do të ndodhë “fundi i botës”, pohojnë të njëjtat burime, duke nënvizuar se ka “paraprirë data e zgjedhjeve, 25 janari, 28 shkurti, data e skadimit të marrëveshjes së qeverisë së mëparshme dhe 9 prilli, data kur Greqia duhej të shlyente këstin ndaj FMN-së”.
“Ajo që duket se shqetëson është se qeveria greke është e vendosur t’i japë fund politikës së shtrëngesave, duke ngritur lart në axhendën europiane çështjen e zhvillimit”, vënë në dukje burimet qeveritare greke, duke përfunduar se presin me shumë interesim artikullin e Financial Times më 25 prill.
Ndaje me miqte