Qeveria greke fillon një raund tjetër negociatash me kreditorët
TRIBUNA
13 Dhjetor 2016
Në Athinë ka filluar një tjetër raund negociatash midis qeverisë greke dhe kreditorëve, në përpjekje për të finalizuar inspektimin e zbatimit të programit të shpëtimit të Greqisë.
Në Bruksel, zëdhënësja e komisionerit të financave, u shpreh optimiste se marrëveshja mund të arrihet shpejt.
“Nisur nga progresi që është shënuar, Komisioni Europian vlerëson se të gjitha palët do të kontribuojnë pozitivisht në finalizimin e shpejtë të marrëveshjes, në nivel ekspertësh”, tha zedhenesja Annika Breidthardt.
Nga ana e vet, edhe ministri grek i financave, Euklidis Tsakalotos, i deklaroi agjencisë Reuters se qeveria greke është e gatshme “t’i hedhë ujë verës” dhe të zbusë qëndrimet e veta gjatë negociatave.
Negociatat fillojnë në një atmosferë të rënduar, pasi kryeministri Aleksis Tsipras premtoi një kompensim bujar për pensionistët, gjë që shkaktoi pakënaqësi në radhët e kreditorëve.
Zëdhënësja e komisionerit europian për financat tha se premtimet e fundit të zotit Tsipras do të shqyrtohen gjatë takimeve që përfaqësuesit e kreditorëve do të kenë me drejtuesit e financave greke.
Por nuk është vetëm ky zhvillim që i bën këto negociata të vështira. Objektivat fiskal që duhet të arrijë Athina dhe reformimi i mëtejshëm i legjislacionit të punës, përbëjnë “gjembat” më të mprehta të këtij raundi të negociatave.
Analistët vërejnë se ende ekziston një hendek i madh midis palëve, gjë që e shtyn gjetjen e zgjidhjes ndoshta dhe për në shkurt të vitit të ardhshëm.
Burime nga Brukseli citohen të kenë thënë se në këto kushte, mund të nevojitet një ndërhyrje e fuqishme politike, në nivel të shefave të qeverive dhe jo thjesht të ministrave të financave.
Në këtë kuadër vendosen edhe takimet e programuara të kryeministrit Tsipras me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Francois Hollande, brenda kësaj jave.
Tsipras synon t’i bindë dy bashkëbiseduesit e vet për marrjen e një vendimi politik që do të përshpejtojë negociatat për t’u finalizuar inspektimi shumë më përpara shkurtit 2017.
Dhe kjo pse në atë muaj pritet që Banka Qendrore Europiane të vendosë për blerjen e bondeve shtetërore greke, një masë e domosdoshme, pa të cilën Greqia nuk mund të rikthehet në tregjet financiare.
Ndaje me miqte