0030 210 33 18 483

Qeveria thotë se regjistrimi i emigrantëve do të sjellë të drejtën e votës...

12 Janar 2016

Qeveria Rama e ka ndërlidhur zbatimin e projektit për regjistrimin e emigrantëve, me dhënien e të drejtës së votës për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë kufijve të vendit. Por deri më tani nuk janë dhënë detaje se si do të realizohet kjo e drejtë vote. Gjithsesi, kryeministri Edi Rama ka premtuar se kjo do të bëhet në zgjedhjet e vitit 2017. Pas publikimit të nismës, në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria miratoi të hënën projektligjin për krijimin e regjistrit të emigrantëve. Lajmi u bë i ditur nga pjesëtarët e qeverisë, të mandatuar për të çuar përpara këtë nismë: Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Ministri Tahiri tha se projektligji i hap rrugë votimit të emigrantëve. “Regjistri për shqiptarët që jetojnë jashtë është një hap konkret për të garantuar të drejtën e votës për ta. Ligji hedh bazat për të gjithë gamën e shërbimeve për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe hapin e parë për garantimin e së drejtës së votës”, tha ministri i Brendshëm, Tahiri. Kryediplomati Bushati nga krahu tjetër u shpreh se pr/ligji në fjalë është mundësi e mirë që qeveria t’i kthejë borxhin emigrantëve. “Prej vitesh emigrantët përpiqen të japin kontributin e tyre në vendin tonë. Politika duhet ta rikthejë këtë ndihmë përmes politikave dhe njohja me këto e emigrantëve përmes votimit është mjaft e rëndësishme në këtë drejtim. Jemi të bindur se kuvendi do ta pranojë këtë nisëm. Krijimi i regjistrave dixhital do të mundësojë konsullatat të japin shërbim për të gjithë shtetasit tanë jashtë vendit dhe kështu eliminon abuzimet”, tha Bushati. Në fakt, kjo është një kërkesë konstante e emigrantëve dhe gjithashtu një premtim i vazhdueshëm e i pambajtur prej gjithë forcave politike. Kujtojmë ndërkaq, që para zgjedhjeve të qershorit 2013, Sali Berisha propozoi votimin online, duke i sugjeruar liderit të opozitës së atëhershme, Edi Rama, që të përgatiste vetë platformën e realizimit. Mirëpo Rama e refuzoi. Si do të procedohet me regjistrimin Projekti për regjistrimin e emigrantëve u paraqit së pari në dhjetor të vitit të kaluar. Në atë prezantim, ministri i brendshëm, Saimir Tahiri, paraqiti disa detaje: Kështu, procesi do të fillojë në javët e para të vitit 2016, me regjistrimin e banesës për çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë. Ministri ka shtuar se regjistrimi do të krijojë mundësinë që emigrantëve t’u ofrohen shërbime më të shpejta e më të mira, duke u kursyer edhe para, edhe kohë. “Nuk janë të vogla e as të pakta as shpenzimet as koha e humbur dhe as rastet kur emigrantët shqiptarë detyrohen të vijnë në Shqipëri për të marrë shërbimet që iu takojnë duke filluar nga një çertifikatë, e duke mbaruar me një vulë. Shpesh në konsullatë, por jo dhe në pak raste duke ardhur në Shqipëri”, ka thënë Tahiri, duke shtuar: “Ky sistem nëpërmjet regjistrimit të emigrantëve na lejon që këtë shërbim t’ia çojmë në shtëpi. Kjo na lejon që t’u shërbejmë emigrantëve aty ku banojnë duke bërë të mundur pa lëvizur nga shtëpia dhe të marrin mbrapsht po shërbimet që u takojnë pa lëvizur nga shtëpia”. Sipas ministrit të brendshëm, ekzistojnë dy mënyra për t’u regjistruar: -Mënyra e sigurimit fizik që do të thotë që i i interesuari paraqitet në një sportel, qoftë kjo konsullata apo ambasada, qoftë ky një institucion në Shqipëri -Rruga e regjistrimit nëpërmjet internetit, pra nëpërmjet kompjuterit të shtëpisë. “Në qoftë se je emigrant që ndjek lajmet nëpër portale, madje komenton edhe në portale, merr pesë minuta kohë nga koha jote për t’u regjistruar”, ka argumentuar Tahiri. Regjistrimi do të jetë falas. Regjistrimi ka një afat që nuk është vetëm indikativ, por është detyrues që do të thotë qytetarët shqiptarë, sot emigrantë, marrin shërbime në konsullata, në ambasada apo duke ardhur këtu, edhe pa u regjistruar, por regjistrimi kërkohet domosdoshmërisht pas një afati të caktuar, do të jetë e domosdoshme regjistrimi në mënyrë që të vijë dhe shërbimi automatikisht.

Ndaje me miqte