0030 210 33 18 483

Qeveritari grek: Problemet dhe zgjidhjet me lejet e emigrantëve

04 Janar 2016

Ligji i ri për emigracionin, që u miratua në korrik të vitit të kaluar, nuk është një valë masive legalizimi. Por u jep njerëzve një shans që të rikthehen sërish në statusin e emigrantit të ligjshëm. Kështu deklaron sekretari i politikës së emigracionit në ministrinë e brendshme greke, Vasilis Papadopulos, në intervistë ekskluzive për tribuna-news. Ai sqaron se për emigrantët që nuk kanë patur kurrë leje qëndrimi, do të avancojnë vetëm aplikimet që dëshmojnë se kanë krijuar lidhje me vendin. “Nëse aplikimi nuk mbështetet me të dhëna të dëshmuara se i interesuari ka lidhje me Greqinë, nuk do të avancojë aplikimi i tij”, thekson qeveritari grek. Më tej në intervistë, zoti Papadopulos e pranon se ka problem me vonesat, qoftë në lejet e qëndrimit, qoftë për nënshtetësinë, por premton se këto vonesa do të eliminohen gjatë këtij viti. Vasilis Papadopulos gjithashtu nënvizon vendosmërinë për të realizuar gjithë angazhimet për emigracionin që ka shpallur SYRIZA me programin e zgjedhjeve të fundit, atyre të 20 shtatorit. E gjithë intervista me sekretarin e politikës së emigracionit, Vasilis Papadopulos, ka si më poshtë: TRIBUNA: Situata emergjente që po kalon vendi me refugjatët, a ka influencuar në zbatimin e procedurave që lidhen me emigrantët ekonomikë të cilët ndodhen prej vitesh në Greqi? V. PAPADOPULOS: Ne po përpiqemi që procesi të mos influencohet. Sigurisht, shqetësimi më i madh sot është përballimi i krizës së refugjatëve. Por mbetet gjithashtu preokupimi që mos të mbetet i paligjshëm asnjë prej emigrantëve ekonomikë që jetojnë në Greqi. TRIBUNA: Si paraqitet aktualisht situata në qendrat e shërbimit të emigrantëve në gjithë Greqinë? A kanë kapacitetet e nevojshme shërbimet tuaja nga pikëpamja e infrastrukturës dhe personelit, që t’i përgjigjen siç duhet emigrantëve? V. PAPADOPULOS: Pati sivjet një ndryshim të ligjit, edhe për nënshtetësinë, edhe për emigracionin. Problemet në shërbimet tona gjithmonë ekzistojnë. U bë një përpjekje që të shtohet personeli në këto shërbime, aq sa mundeshim. Për momentin nuk ka probleme të mëdha në shërbimet e emigracionit. Sa i përket nënshtetësisë ka një vonesë në zbatimin masiv të ligjit, d.m.th., ligji i ri ka nisur të zbatohet, por në pak raste, pse shumica ka të bëjë me menaxhimin e aplikimeve që ishin bërë që nga viti 2010. Ka një problem më të madh, të cilin as ne nuk e kishim vlerësuar dhe që lidhet me aplikimet për leje për arsye të jashtëzakonshme që bëhen në shërbimet e ministrisë së brendshme në Pire. Ndërsa prisnim që numri më i madh i aplikimeve të bëhej në periferitë, për çudi, vërejmë një fluks shumë herë më të madh në Pire. TRIBUNA: A parashikohet të bëhet diçka për këtë? Sepse nga ankesat që na kanë shprehur lexuesit, janë jashtëzakonisht të shumta rastet që janë bërë aplikimet që nga 2014-a dhe ende ndodhen në “fazën e shqyrtimit”... V. PAPADOPULOS: Vonesat në lejet për arsye të jashtëzakonshme ishin gjithmonë të mëdha, për fat të keq. Problemi është se që nga viti i kaluar deri më tani, po bëhet shumë shpejt shqyrtimi-verifikimi i aplikimeve të emigrantëve që kishin disa vite qëndrim të ligjshëm në Greqi. Kështu që kishim një shqyrtim “me dy shpejtësi”. Domethënë, shqyrtohen shumë shpejt aplikimet e atyre që kishin leje qëndrimi në 5 nga 10 vitet e fundit, ndërsa pjesa tjetër, (ata që nuk kishin kurrë leje qëndrimi), do të shqyrtohen sipas radhës së tyre. Tani, po mendojmë që kategorinë e këtyre dosjeve “të lehta” ta kalojmë në periferi. Sigurisht, kemi akoma dosje të mbetura pezull, por ka mbaruar shqyrtimi i shumicës prej atyre që aplikuan deri në qershor, pse që nga korriku të gjithë prisnin ligjin e ri. Dhe tashmë do të mbetet vetëm stoku i aplikimeve për leje të jashtëzakonshme, të cilat në këto momente kanë një vonesë prej një viti e gjysmë. Ky është realiteti në këto momente. Duam të shikojmë pas kompletimit të këtij ndryshimi, të shohim sa aplikime kemi, ritmin me të cilin ato shqyrtohen, kështu që të përpiqemi të shtojmë më shumë personel, me qëllim që të avancojë më shpejt procedura e shqyrtimit. Eshtë e qartë se e kemi në konsideratë këtë problem. Shikoni, kjo që ndryshoi sivjet, ndryshimi kryesor që ende nuk është kuptuar nga emigrantët është se: japim një shans tjetër për gjithë njerëzit që kishin patur dikur leje qëndrimi, që të përfshihen sërish në procesin e legalizimit. Kjo realizohet nga administrata e decentralizuar, nga shërbimet me një qëndrim. Udhëzimi im ndaj gjithë punonjësve që merren me këtë proces është që të jenë shumë më elastikë. Por në këto momente është krijuar një mendim se ka një proces legalizimi për gjithë ata që ndodhen pa letra që prej 7 vjetësh në Greqi. Nuk mjafton vetëm kjo. Ne u japim njerëzve një shans që të përfshihen sërish në procesin e legalizimit, të rikthehen sërish në statusin e emigrantit të ligjshëm. Ndërsa për emigrantët që nuk kanë patur kurrë leje qëndrimi, duhet të theksoj se do të avancojnë vetëm ato që dëshmojnë se kanë krijuar lidhje me vendin. Nëse aplikimi nuk mbështetet me të dhëna të dëshmuara se i interesuari ka lidhje me Greqinë, nuk do të avancojë aplikimi i tij. TRIBUNA: Meqenëse ndodheni nën të njëjtën “ombrellë” me ministrinë e mbrojtjes së qytetarit, a ka një marrëveshje që policia të mos i trazojë emigrantët që aplikojnë për leje të jashtëzakonshme, por por nuk marrin menjëherë vërtetimin blu? V. PAPADOPULOS: Nga 21 tetori që ka ndryshuar sistemi kompjuterik i ministrisë së brendshme, bëhet automatikisht një shënim tek vërtetimi që i jepet aplikuesit. Nëse vërtetimi shkruan që “pengon marrjen e vendimit për deportim nga vendi”, ky emigrant nuk ka problem nga policia. Nëse, në të kundërt, vërtetimi shkruan që “nuk pengon marrjen e vendimit për deportim nga vendi”, atëherë policia mund ta ndërmaRrë largimin e tij, sepse për fat të keq, aplikimi ka problem. Tani, sa u përket aplikimeve të mëparshme, ajo që është bërë nga ana jonë, është se i kemi kërkuar nga Policia Greke që në kuadrin e tolerancës dhe të faktit se shumica e aplikimeve që janë paraqitur - më shumë se 70%- janë pranuar; i kemi kërkuar pra, policisë, që të mos marrin masa kundër këtyre emigrantëve. Por kjo është kompetencë e Policisë Greke. Ne atë që mund të bënim, e bëmë. D.m.th., kërkuam që të mos marrin masa ndaj atyre që kanë aplikuar dhe që shqyrtimi i kërkesës së tyre po vonohet. TRIBUNA: A disponon ministria juaj të dhëna lidhur me numrin e emigrantëve që do të përfitojnë nga dispozitat për nënshtetësinë? V. PAPADOPULOS: Ne vlerësime bëjmë. Vlerësimi fillestar ishte se do të paraqitej një numër shumë i madh. Tani për tani, duket se gjithë ai fluks që parashikonim, nuk është paraqitur në shërbimet tona. Domethënë, prisnim një fluks edhe më të madh nga ky ekzistuesi. Gjithsesi, vlerësimet tona flasin se do të jenë disa dhjetra mijëra ata që përfitojnë. TRIBUNA: Kam në kujtesë një deklaratë tuajën të mëhershme lidhur me emigrantët shqiptarë, se ky grupim përbën një prioritet për ju. Mund ta zhvilloni pak më gjerë këtë mendim? V. PAPADOPULOS: Nuk është se bëjmë një trajtim të diferencuar, posaçërisht për emigrantët shqiptarë. Thjesht, emigrantët shqiptarë përbëjnë akoma shumicën e emigrantëve të ligjshëm në Greqi. Kjo dihet. Shqipëria është një vend që ndodhet në procesin e anëtarësimit në BE, ka favore të tjera. E përsëris, nuk ka një trajtim specifik për shqiptarët. Thjesht, është e kuptueshme, tashmë ka kaluar edhe në shoqërinë greke, që emigranti shqiptar është dikush që ka ardhur prej vitesh e jeton e punon në Greqi, është fqinji i secilit prej nesh. Kaq. TRIBUNA: Nga programi qeveritar i SYRIZA-s (për zgjedhjet e 20 shtatorit 2015), që vazhdon të jetë i publikuar në faqen e internetit të partisë, shkëpus disa angazhime: -Rinovim të lejes së qëndrimit, me kusht të vetëm ekzistencën e një kontrate aktive pune apo me regjistrimin e të interesuaroit më listat e OAED-it. Në çdo rast, numri i ensimave që mund të kërkohet, nuk duhet të jetë më i madh nga sa nevojitet për librezën e shëndetit (50 ensima). -Ndarje të së drejtës për bashkim familjar nga dëshimi i një të ardhure të caktuar. Të parashikohet mundësia e bashkimit familjar të emigrantëve me prindërit e tyre të moshuar e të pamundur, me të njëjtat kushte që bëhet bashkimi familjar për bashkëshorten/en dhe fëmijtë. -Ulje të tarifës (paravolos) dhe përshtatja e saj në koston reale të nxjerrjes së lejes së qëndrimit. I njëjti rregullim të vlejë edhe për rezidentët afatgjatë. Pyetja ime është kjo: Si mendon qeveria juaj t’i realizojë këto angazhime dhe në çfarë hapësirash kohore? V. PAPADOPULOS: Faktikisht është thënë se disa nga këto angazhime do të bëhen realitet. Fakti se dikush mund të dëshmojë se ka punë, kemi thënë se përbën një element që të marrë leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. Për çështjet e tjera që përmendët, edhe ulja e tarifave është në konsideratën tonë. Por në këto momente me paravolat po përballohen edhe vrimat financiare në trajtimin e çështjes së emigrantëve, edhe për lejet e qëndrimit, edhe për nënshtetësinë. Por gjithsesi, do të përpiqemi të konkretizojmë angazhimet tona. Në mos tërësinë e angazhimeve, të paktën gjithë ato që ne vlerësojmë se duhen bërë. Intervistoi: Robert Goro

Ndaje me miqte