0030 210 33 18 483

Rajoni i Epirit promovohet në Tiranë

06 Shkurt 2016

Rajoni i Epirit që përfshin zonën e Greqisë fqinje me Shqipërinë ka organizuar një udhëtim në Ballkan me qëllim promovimin e turizmit dhe produkteve vendase. Ndalesa e parë u bë në Tiranë, ku prodhuesit e Epirit dhe hotelierët, zhvilluan takime me sipërmarrësit shqiptarë, me qëllim për të shfrytëzuar mundësitë e reja të biznesit. Gjatë dy ditëve të aktivitetit që u mbajt në Hotel Tirana u prezantuan produktet e Epirit, promovimi i markave dhe produkteve, të njohura për cilësinë e tyre në vendet fqinje. Objektivi kryesor mbetet për të rritur ndërgjegjësimin dhe interesin nga shitësit lokalë. I pranishëm në këtë aktivitet prefekti i Rajonit të Epirit, Aleksandros Kahrimanis, iu referua qëllimit të këtij programi, por edhe bashkëpunimit të rajonit të Epirit me rajonet fqinje të Shqipërisë, duke u fokusuar në iniciativa të përbashkëta të biznesit në të dy anët e kufirit. “Shqipëria dhe Greqia janë dy vende që janë të detyruara të bashkezistojnë dhe të bashkëpunojnë, për të mirën e të dy popujve. Që nga 1990 Greqia dhe posaçërisht Epiri prej nga kaloi pjesa më e madhe, mbështeti me çka kishte emigrantët ekonomikë shqiptarë, mjaft prej të cilëve sot janë pjesëtarë të komunitetit lokal. Që atëherë janë shënuar ndryshime të rëndësishme. Shumë grekë kanë krijuar biznese të mëdha në Shqipëri, ndërsa vazhdimisht është në rritje edhe numri i turistëve shqiptarë në Epir, të cilët tregojnë preferencën e tyre për produktet tona. Ky ishte një stimul më tepër për Rajonin e Epirit që të synojë dhe organizojë këtë takim për njohjen reciproke dhe shkëmbimin e pikëpamjeve”. “E ardhmja, - vazhdoi guvernatori i Epirit,- projektohet më e mirë, nëse izolohen ata që shkaktojnë problemet në marrëdhëniet e të dy vendeve. Greqia dhe Shqipëria dhe veçanërisht Epiri me rajonet fqinje shqiptare, kanë përpara tyre një fushë të gjerë bashkëpunimi në kuadër të programit të ri të bashkëpunimit ndërkufitar (Interreg). Për ne është veçanërisht i rëndësishëm aksi rrugor Kakavijë-Tiranë-Trieste, që duhet të trajtohet si një rrugë zhvillimi për të dy vendet”. I shoqëruar nga ambasadori i Greqisë në Tiranë, Leonidhas Rokanas, guvernatori Kahrimanis u prit nga ministri i bujqësisë Edmond Panariti dhe ministrja e kulturës Mirela Kumbaro, me të cilët u diskutua mbi rrugët e forcimit të bashkëpunimit në fushat e kompetencës së tyre. Epiri është i njohur si një udhëkryq për kulturën, traditën dhe bukurinë unike natyrore. Ky është një destinacion për të gjithë ata që duan eksperiencën dhe argëtimin. Epiri ofron një shans për të kombinuar llojet e ndryshme të pushimeve në një udhëtim: nga turizmi malor në ujërat blu të brigjeve të Jonit. Objektivi kryesor mbetet për të krijuar vetëdijen dhe interesin për një rajon, i cili është shumë afër për vizitorët e mundshëm të Ballkanit. Tribuna

Ndaje me miqte