0030 210 33 18 483

Rama: "Shqipëria nuk do të importojë plehra për groposje dhe djegie"

TRIBUNA 30 Shtator 2016

Kryeministri Edi Rama rithekson se Shqipëria nuk do të importojë plehra për groposje dhe djegie. I ftuar në emisionin “Opinion” te enjten në mbrëmje dhe i pyetur për ligjin e mbetjeve, Kreu i Ekzekutivit sqaroi se ligji i vitit 2011 në kohën e qeverisë “Berisha”, ndryshon shumë nga ligji që është miratuar së fundmi në Kuvend. “Mbetje të rrezikshme në këtë ligj nuk ka. Ligji i vjetër ndryshon nga ligji i ri. Eshtë diferencë si nata me ditën. Importi i plehrave e kishte rrugën e hapur me ligjin që ne anuluam, sepse nuk kishte asnjë formë të qartë në lidhje me ligjin. Ndërsa në ligjin e ri, thuhet qartë se nuk lejohet importi në djegie apo groposje”, deklaroi shefi i qeverisë. Rama tha se tashmë Shqipëria i ka kushtet për të përballuar riciklimin e mbetjeve, ose siç quhen ndryshe, lëndë e parë dytësore. “Kemi qenë të vetëdijshëm që bllokimi total i çdo lloj importi, përfshirë dhe mbetjet, do të krijonte ngërç tek kompanitë e riciklimit. Ne duhet të merrnim masat që sot janë masa aktive në kontrollin që ne ushtrojmë në doganë. Sot doganat tona kanë skanera që detektojnë çdo lloj lënde të rrezikshme”, tha Rama. I pyetur për mbajtjen e një referendumi, kërkuar sot edhe nga opozita pas një kërkese të dorëzuar në Kuvend, Rama tha se “është e papranueshme të çojmë në referendum popullor të drejtën e kompanive tona për të blerë lëndë të parë për import të mbetjeve në Kosovë, Maqedoni, Sllovaki”. Sipas tij, referendum për të drejtën e kompanive për të blerë lëndë të parë jashtë nuk bëhet, sepse është një çmenduri. “Ata që e nisën ta bëjnë referendumin le ta bëjnë. Këto të gjitha janë lëndë që shiten në bursë. Këto janë lëndë të para si gruri, kafja sheqeri”, sqaroi kryeministri.

Ndaje me miqte