Rama: Koalicioni ka funksionuar më së miri
ATSH
02 Shkurt 2017
Kryeministri Edi Rama i pyetur në emisionin Tonight Ilva Tare për koalicionin qeverisës tha se, “koalicioni ka funksionuar më së miri”.
“Shikoj strukturën e plotë dhe nuk i lejoj vetes të humbas në detaje të papërsosura, difektoze apo në detaje të shëmtuara që mund të ketë një tablo e madhe e një pune të madhe për të bërë disa reforma që janë produkt i këtij koalicioni dhe pa këtë koalicion nuk do të ishin bërë dot kurrë siç nuk u bënë në 20 e kusur vite”, tha Rama.
I pyetur për shkarkimin e Ylli Manjanit nga Ministër i Drejtësisë, u shpreh te merkuren ne mbremje se, “Nuk mund të ekzistojë një qeveri serioze në botë nëse një Ministër nuk respekton skuadrën, rregullat dhe mbi të gjitha detyrat. Detyra e Ministrit është të bëjë të gjithë detyrat që mbulon portofoli i tij dhe jo të bëjë opinionbërësin, opoiniondhënësin apo opiniontjetërsuesin e qeverisë.Nuk ka asnjë problem ta bëjë këtë jashtë rradhëve të kabinetit qeveritar”.
“Qeveria ka një kod etik të miratuar me konsesus që përcakton saktësisht marrëdhëniet e çdo anëtari të kabinetit me kabinetin dhe publikun, Ministri ka detyrimin të flasë me publikun, pro ti shërbejë publikut si anëtar i qeverisë”, tha Rama.
I pyetur nëse Manjani po pengonte reformën në drejtësi, Kryeministri Rama tha se, “Zgjedhja e Ministrit të ri do forcojë dhe përmirësojë marrëdhënien e qeverisë me Kuvendin dhe do jetë një nxitje mjaft e nevojshme për të çuar përpara reformën në drejtësi.Me rëndësi është çfarë qeveria prodhon për të mirën publike”.
I pyetur pse nuk pranon votimin elektronik, Rama tha se, “Kemi thënë se jemi të gatshëm, por na duhet opinion i OSBE / ODHIR. Ai opinion është negativ. Nuk mund të hyjmë në një aventurë që asnjë ekspert nuk na e garanton”.
I pyetur për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, Kryeministri Rama tha se nuk do marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë që do të diskutojë për mos arrestimin e Klement Balilit.
“Nuk do marr pjesë në Këshillin e Sigurisë, nesër do jem në Kosovë. Nuk mund të jem në atë mbledhje. Nuk do bëj asnjë koment derisa e ka thirrur kryetari i Kuvendit e Presidenti”, tha Rama.
I pyetur nëse ka pasur presion për arrestimin e Balilit, Rama tha se, “Qeveria as nuk ka dhe as nuk pranon presion nga asnjë shtet. Ambasadorit ia kam thënë miqësisht. Absolutisht në shqetësimin për ta vendosur përpara drejtësisë këtë personazh kaq të përfolur dhe këtë eksponent të krimit është një shqetësim i përbashkët. Ama çdo paragjykim dhe çdo insinuatë që moskapjen e tij e lidh me mungesë vullneti nga ana e qeverisë, mungesë vendosmërie nga ana e policisë së shtetit është krejtësisht pa vend”.
Ndaje me miqte