0030 210 33 18 483

Rama: Ligji i ri për mbetjet i domosdoshëm ka impakt pozitiv për mjedisin dhe ekonominë

ATSH 27 Shtator 2016

Miratimi nga Kuvendi i ligjit të ri “për menaxhimin e integruar të mbetjeve” e vendos Shqipërinë në përputhje me direktivën 1013, të vitit 2006 të Bashkimit Europian, mbi menaxhimin e mbetjeve të gjelbërta, ka deklaruar kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me sipërmarrës të industrisë ricikluese në vend. Duke sqaruar ligjin e ri të shumëdebatuar kryeministri theksoi se ligji i ri është një hap që sjell vetëm të mira publike dhe një energji të re për një industri që ne jemi shumë të vendosur ta zhvillojmë, dhe pa të cilën nuk mund ta përfytyrojmë një Shqipëri më të pastër. Ligji i ri, theksoi kreu i qeverisë, do të ketë impakt pozitiv në mjedis dhe ekonomi. Industria ricikluese parashikohet ta rrisë me 1 për qind prodhimin e brendshëm bruto në vend, ose e kthyer në shifra, me 150 milion euro, pohoi Rama. Duke shpjeguar perparesite e ligjit te miratuar ne seancen e fundit parlamentare, kryeministri tha se ai i njeh të drejtën të gjithë subjekteve që kanë struktura industriale riciklimi të riblejnë mbetje të gjelbëra dhe t’i importojnë ato, ky është thelbi sqaroi Rama, ndërsa gjithë të tjerat janë spekulime dhe përpjekje për të instrumentalizuar një emocion krejtësisht të natyrshëm. Para miratimit të këtij ligji, tha kryeministri, ne ishim i vetmi vend në Ballkan që nuk i njihnim fabrikave të drejtën e blerjes së lëndës bazë dhe importimin e saj. Duke sqaruar ligjin e ri të miratuar gati një javë më parë nga parlamenti, Rama tha se përmes tij, i lejohet industrisë rickluese të importojë lëndën bazë, prej letre, alumini, plastike apo mbetje drusore, të gjitha mall me vlerë në treg dhe që shitet e blihet njësoj si gjithë mallrat e tjera. E gjithë reja e zezë, shtoi Rama, që përpiqen të fryjnë ata që i kundërvihen kësaj nisme të qeverisë, pa asnjë argument, bazohet në disa premisa tërësisht spekulative. “U thuhet njerëzve se ‘Europa do shkarkojë plehra në Shqipëri’. Kjo është tërësisht gënjeshtër, pasi këtu bëhet fjalë për mbetje që nuk t’i dhuron askush. Eshtë njësoj sikur të thuash që gruri për t’u bërë miell nuk duhet të blihet jashtë”, tha kryeministri. Ai siguroi se ligji aktual është më i kualifikuari dhe i jep të drejtën kompanive tona që të blejnë në një treg të hapur dhe tërësisht të kontrolluar. Importi i mbetjeve do të kufizohet deri në tre pika doganore, tha Rama, por deri sa qeveria të nxjerrë disa akte nënligjore, fillimisht do të ketë vetëm një pikë doganore, që është Durrësi. Autorizimi për importin që u jepet rickluesve nuk është i njëanshëm, pasi importi i mbetjeve të gjelbëra kërkon edhe autorizimin e palës nga ku importohet, autorizim që nuk i jepet kujtdo, por që kalon përmes hallkave të kontrollit të çdo shteti. Duke dhënë garanci “për importin e mbetjeve”, kryeministri tha se specialistët shqiptarë prej dy vitesh po trajnohen nga Interpoli dhe Europoli, për monitorimin e lëvizjes ndërkufitare të mbetjev në kohë reale. Doganat tona, tha Rama, e kanë marrë më në fund vlerësimin nga KE (që nuk e kishin në 2013-n), për kontrollin radiometrik dhe është marrëzi të mendosh se ka qëllime “të paligjshme” për të kaluar mallrat me përbërje të rrezikshme apo radiaoktive. Industria ricikluese në Shqipëri ka investuar 273 milion euro për ngritjen e strukturave të çertifikuara nga BE. Në këtë industri punojnë 3100 punonjës të siguruar, ndërsa 30 mijë të tjerë të janë të angazhuar në mbledhjen dhe ndarjen e mbetjeve.

Ndaje me miqte