Rama: Ndihma shtetërore në mbështetje të sektorëve prioritarë dhe punësimit
TRIBUNA
27 Tetor 2016
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, “në tre vitet e fundit ka një orientim të ri të politikave të ndihmës shtetërore drejt mbështetjes së sektorëve prioritarë dhe koordinimit të tyre me politikat fiskale dhe ato të punësimit”.
Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, në të cilën u diskutua mbi ndihmën shtetërore të vënë në dispozicion për mbështetjen ndaj biznesit, Kryeministri theksoi se “për vite me radhë ajo ka qenë tërësisht e keqadministruar, e përdorur në kundërshtim të hapur me legjislacionin e BE, si dhe në favorizim të konkurrencës së padrejtë”.
“Vlera e ndihmës shtetërore në Shqipëri gjatë viteve 2007-2012 ka qënë pothuajse sa fatura që qeveria e kaluar la si borxhe të papaguara për investime apo shërbime të marra nga të tretët. Në këtë rast 631 milion euro. Ajo që ka qënë një problem serioz në këndvështrimin tonë është se shteti shqiptar e përdorte ndihmën në kundërshtim të hapur me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe si favorizim shpesh herë për konkurrencën e padrejtë”, tha Rama.
Sipas tij “u rishikuan politikat e ndihmës shtetërore për të riorientuar mbështetjen e sektorëve prioritar dhe për të koordinuar këto ndihma me politikat fiskale dhe ato të punësimit”. “Për herë të parë ne kemi krijuar një mekanizëm që lidh ngushtë ndihmën shtetërore me punësimin, duke ndihmuar ata sektorë që garantojnë më shumë punësim për shqiptarët. Në vitin 2015 sektorët që përfituan më shumë nga ndihma shtetërore ishin bujqësia me 25 % të totalit, ujësjellës-kanalizime me 7%, transporti me 7% dhe pastaj nxitja e punësimit me 4.6%”, tha ai.
Kryeministri shpjegoi se kompanitë, të cilat duhet të aplikojnë për të përfituar nga fondi i ndihmës shtetërore kalojnë përmes një procesi ku shqyrtohet impakti i kësaj ndihme në ekonomi, në punësim, në mjedis, etj. Ai theksoi ndër të tjera se kuadri i ri ligjor i hartuar është i harmonizuar plotësisht me legjislacionin e BE-së në këtë fushë.
“Kompanitë që duhet të aplikojnë për të përfituar nga fondi i ndihmës shtetërore kalojnë përmes një procesi ku shqyrtohet impakti i kësaj ndihme në ekonomi në punësim në mjedis e me radhë. Faktikisht me ndryshimet ligjore që kemi bërë këtë vit në ligjin e ndihmës shtetërore autoriteti i konkurrencës duhet shqyrtoje rast pas rasti të gjithë aplikimet. Autoriteti ka tashmë mundësinë që të parandalojë rastet kur skema të mëdha të ndihmës mund të sjellin pasoja negative si prishje rregullash të konkurrencës, apo kur mund të gjykohet se biznesi merr përmes ndihmës më shumë se sa i takon për atë që sjell si impakt”, tha Rama.
Roli që të paktën ligjërisht ka fituar autoriteti i konkurrencës, sipas kryeministrit, është i ngjashëm në funksionin që Komisioni Europian ka për ndihmën e dhënë nga BE, pasi çdo skemë e rëndësishme kalon për miratim dhe aprovohet nga ky Komision, vetëm pasi është provuar impakti pozitiv në ekonomi dhe në fushën e konkurrencës. “Kuadri ligjor që ne kemi hartuar është natyrisht në harmoni të plotë me legjislacionin e BE i cili në fushën e konkurrencës dhe ndihmës shtetërore ka një tërësi rregullash veçanërisht rigoroze. Ne besojmë që ndryshimet e ndërmarra në fushën e ndihmës shtetërore kanë krijuar premisat për krijimin e një mekanizmi të mirëfilltë mbështetje për një ekonomi më produktive më inovatore e më të diversifikuar”, shtoi ai.
Ndaje me miqte