Rama: Opozita nuk do zgjedhje sepse nuk do drejtësi
ATSH
14 Prill 2017
“Shqipëria që kemi nuk është Shqipëria që duam, por Shqipëria që kishim është Shqipëria që nuk duam e pikërisht se nuk duam të kthehemi pas, nuk duam të ndalemi, sepse duam të vazhdojmë të bëjmë shtet në çdo sektor”.
Kështu deklaroi kryeministri, njëherësh kreu i PS-së Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë takimit me të rinjtë e Tiranës të cilët votojnë për herë të parë. Në takimin e mbajtur në sheshin “Skënderbej”, Rama tha se demokratët fitojnë vetëm nëse e majta është e ndarë.
“E vërteta është se ata nuk kanë fituar kurrë përveçse kur ne kemi qenë të ndarë. Deri tani kanë fituar nga ndarja jonë. Kanë përçarë e kanë sunduar por ajo kohë ka ikur”, tha Rama.
Sakaq, kreu i PS ka sulmuar kreun e PD-së, Lulzim Basha, duke u shprehur se ky i fundit e ka çdo detyrë në PD dhe qeverisje të dhuruar.
“Bashkinë që nuk fitoi, por e mori dhuratë nga ata që e grabitën për të. Para se të vinte në bashki mori dhuratë Ministrinë e Jashtme, dhe u bëri dhuratë fqinjëve tanë 300 km katrorë det të Shqipërisë. Pastaj kur ishte në Ministrinë e Brendshme la 4 të vrarë aty ku ka ngritur çadrën.Nuk duhet t’u vini faj që janë ngujuar në çadër, se para se të mendojnë për të ardhmen tuaj, ata mendojnë për të ardhmen e tyre”, tha Rama.
Gjithashtu, kryeministri tha se sot të gjithë gjykatësit e prokurorët e korruptuar duhet të përgjigjen para drejtësisë për atë që u kanë bërë shqiptarëve. “Ata e kanë frikë drejtësinë, dhe këtë e ka kuptuar çdo peshk në liqenin artificial të drejtësisë së Tiranës. Ndaj ata kanë frikë të ballafaqohen me popullin në zgjedhje”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se opozita është në çadër dhe nuk do zgjedhje sepse nuk do drejtësi.
“Aty janë ngujuar në atë çadër nga frika e drejtësisë. Frika e drejtësisë i ka demaskuar sa nuk ka mbetur asnjë peshk në liqenin artificial të Tiranës që nuk e kupton që ata nuk duan zgjedhje se nuk duan drejtësi. Kanë frikë të ballafaqohen në zgjedhje. I madh e i vogël e kanë marrë vesh që Shqipëria që duam është ajo që kemi në zemër, është ajo për të cilën u flijuan të gjithë ata nga rilindësit dhe Shqipëria që u kemi borxh dhe atyre që janë më të vegjël”, tha kreu i PS-së.
Më tej kryeministri shtoi se “duam të punojmë me të njëjtin pasion dhe për të bërë drejtësi dhe për rritur ekonominë, sepse duam që mirëqenia të mos jetë një privilegj që dhurohet por një mundësi që fitohet”.
“Ata ngrihen më këmbë në mëngjes dhe tallen me shqiptarët. Ndërsa ne ngrihemi në mëngjes për të ndërtuar rrugën e Shqipërisë që duam. Ne edhe ata që janë në çadër kemi të njëjtin flamur, të njëjtën shqiponjë, të njëjtat ngjyra por kemi një ndryshim të madh: ata e duan Shqipërinë për vete ne e duam për të gjithë shqiptarët”, tha Rama.
Ndaje me miqte