0030 210 33 18 483

Rama: Votimi i emigrantëve do të realizohet në zgjedhjet 2017

22 Gusht 2015

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se emigrantët shqiptarë do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme legjislative, të parapara për në vitin 2017. Në një intervistë me gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, Rama ka deklaruar shprehimisht se “ajo që duhet të bëjmë për zgjedhjet e ardhshme është t’iu japim mundësi emigrantëve shqiptarë, që jetojnë jashtë, të votojnë pa pasur domosdoshmërisht nevojë të jenë këtu në Shqipëri”. Sipas Ramës, “ky është një angazhim programor i PS, edhe i LSI. Eshtë një detyrim, që kjo aleancë ua ka të gjithë emigrantëve shqiptarë, që nuk kanë mundësi të vijnë në Shqipëri për të votuar dhe duan të marrin pjesë në vendimmarrjen e rëndësishme të jetës politike të vendit”. Rama ka theksuar se “do të bëjmë çmos, që ta realizojmë për vitin 2017, edhe pse nuk mund ta themi këtë me 100 për qind siguri, sepse është një proces jo i lehtë teknikisht”. E gjithë intervista e kryeministrit ka si më poshtë: - Zoti Kryeministër, le ta nisim këtë intervistë me Konferencën e vendeve ballkanike, që do të mbahet më 27 gusht në Vjenë. Cilat janë pritshmëritë tuaja? Edi Rama: Samiti i Vjenës është vazhdimi i një procesi të nisur në Berlin një vit më parë. Ka ardhur koha për të bërë një bilanc dhe për të shtyrë përpara një projekt të madh kompleks të transformimit të paqes, në një hapësirë bashkëpunimi rajonal dhe ndërveprimi mes vendeve për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, duke përfituar nga mbështetja e Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare për të zhvilluar infrastrukturën, për të zhvilluar projekte të përbashkëta në fushën e energjisë, për të zhvilluar kanalet e këmbimeve të përbashkëta në të gjithë sektorët e tjerë. - Investimet në infrastrukturë janë kryefjala e kësaj konference. A besoni se Bashkimi Europian do t’i mbështesë financiarisht këto projekte? Rama: Së pari, ne kemi arritur të bindim palën tjetër, që “Korridori Blu” - prioriteti ynë dhe i programit tonë qeverisës, - të vendoset si prioritet i parë në projektet e infrastrukturës, pasi është një korridor, i cili lidh përfundimisht jugun e Kroacisë, Malin e Zi dhe Shqipërinë me Unazën Mesdhetare, si dhe e përfshin Shqipërinë në hartën turistike të Mesdheut edhe përmes tokës. - Në Vjenë do të jeni në një panel televiziv me homologun tuaj Vuçiç. Mund të na thoni diçka më shumë? Rama: Eshtë një panel i organizuar për të pasur një debat mbi të sotmen dhe të nesërmen, ashtu siç e shohim bashkërisht. E kam pranuar këtë me kënaqësi, pasi është një tjetër mundësi për të komunikuar jo vetëm me njëri-tjetrin, në kuptimin me opinionet publike të vendeve tona dhe të vendeve të rajonit ku kjo - le të themi, - përballje miqësore televizive do të transmetohet, por edhe me audiencën europiane. - Zoti Kryeministër. Janë rreth 150 milionë dollarë, që i mungojnë buxhetit të shtetit nga mosrealizimi i planit prej Tatimeve e Doganave. Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë mosrealizim? Rama: E vërteta është se, në këtë rast, “djalli” nuk është aq i zi sa duket kur thonë, sepse një analizë e detajuar, që ne kemi bërë me ekspertizën e Qendrës për Zhvillimin Ndërkombëtar të Harvardit dhe me ekspertizën e FMN-së, na ka dhënë një sërë të dhënash shumë interesante mbi një situatë, ku ndryshe nga çfarë pretendohet, nuk bëhet fjalë për parà të humbura apo aq më pak të vjedhura, sikundër propagandon dëshpërimisht opozita, por bëhet fjalë për simptomat e qarta të ndryshimit të modelit tonë ekonomik. Le të marrim, fjala vjen, energjinë. Ndërkohë që ishte planifikuar të importohej energji dhe nga importi të përfitohej një sasi të ardhurash në buxhetin e shtetit, është importuar shumë më pak energji, sepse është administruar shumë më mirë sistemi, dhe kjo është një e mirë për ekonominë. Nga ana tjetër, kemi pasojat e rënies së çmimit të naftës dhe të mineraleve, që ne nuk mund ta parashikonim qysh në shtatorin e kaluar, që ka ndikuar, por paralelisht kemi një rritje të konsiderueshme të prodhimit të naftës së përpunuar në Shqipëri dhe kjo është një gjë e mirë për ekonominë. Gjithashtu, në këtë aspekt ka ndikuar edhe ndryshimi i normës së interesave, që përsëri është një gjë e mirë për ekonominë, por ka shënuar një rënie të të ardhurave sikundër edhe inflacioni i mbajtur në nivele të ulëta, që është një gjë e mirë për ekonominë. Kanë shënuar rënie të të ardhurave edhe incentivat fiskale, që ne kemi bërë. Fjala vjen, importi i makinerive shënon sot shifra rekord, por për shkak se ne kemi hequr TVSH-në, pra kemi hequr nga buxheti i shtetit një pjesë për t’ia kaluar në formë incentivi sipërmarrjes, kemi rënie të të ardhurave. Kështu, janë një sërë të dhënash të tjera, pasi ajo çka do të ishte vërtet shqetësuese, do të ishte nëse rënia e të ardhurave do të lidhej me rënien ekonomike, por ndërkohë kemi një rritje ekonomike përtej parashikimit, të bërë së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që ishte 2.7% në tremujorin e parë, duke shkuar në 2.88%. Besojmë se, edhe tremujori i dytë do të jetë i tillë, nuk kemi asnjë dyshim për të tretin. Pra, ka një sërë aspektesh, që e bëjnë këtë masë të parë kështu në bllok, në pamjen e parë, një tregues të shumë aspekteve të tjera brenda saj. Ka një problem me cigaren. Rritja e akcizës solli që, në periudhën deri në zbardhjen e plotë të vendimit, kompanitë të krijojnë një stok shumë të madh për t’i shpëtuar akcizës së re, gjë që solli edhe një rënie të importit. Por, nga ana tjetër, kemi një dukuri të aktivitetit informal me duhanin, për të cilin ne kemi marrë të gjitha masat për ta përballur në muajt në vijim. Në total nuk bëhet fjalë për një gropë të shkaktuar nga keqadministrimi, por bëhet fjalë për një situatë tranzitore, të përkohshme, që lidhet me transformimin e modelit tonë ekonomik. - Një e treta e bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare janë të paregjistruara ose nuk kanë fare kasa fiskale. Kështu deklaroi ministri Ahmetaj. Sipas jush, zoti Kryeministër, kjo situatë ka ardhur si pasojë e korrupsionit në Tatime, apo paaftësi në vjeljen e detyrimeve tatimore? Rama: Së pari, çështja e informalitetit në ekonomi është një çështje e trashëguar prej 20 vitesh dhe e rënduar në 20 vite. Së dyti, ne kemi shënuar progres të konsiderueshëm në formalizimin e ekonomisë dhe në formalizimin e punës. Pra, mjafton të kujtojmë se kemi nxjerrë nga puna në të zezë, nga skllavëria, me mijëra e mijëra njerëz, që sot janë të formalizuar. Ashtu sikundër po të shikojmë sasinë e kuponëve të mbledhur, është e pakrahasueshme me dy vite më parë, si volum përfitimi i vlerës së shtuar që përmban kuponi. Por, nga ana tjetër, sigurisht që shifrat vazhdojnë të jenë alarmante. Për këtë arsye, ne sot ndihemi plotësisht të përgatitur për të ndërmarrë një operacion rrënjësor kundër informalitetit në ekonomi, për t’i dhënë fund një epoke, ku ia kemi hedhur njëri-tjetrit dhe kemi vjedhur njeri-tjetrin. Por edhe për t’u bërë bashkë me konsumatorin, në radhë të parë, dhe në partneritet me biznesin e ndershëm që paguan taksat, në mënyrë që të mbrojmë konsumatorin dhe të mos lejojmë cënimin e biznesit të ndershëm nga konkurrenca e pandershme. Gjë që do të thotë se, ne e shikojmë këtë operacion jo si një luftë kundër biznesit, por si një bashkërendim të përpjekjeve shoqërore për të bërë të mundur, që të gjitha ato të ardhura që u vidhen njerëzve, që i vidhen përmes konkurrencës së pandershme biznesit të ndershëm, që i vidhen shtetit, të kthehen në më pak taksa, rroga më të larta dhe më shumë investime. - Ky aksion kundër evazionit fiskal, a do të shoqërohet edhe me ndryshime ligjore? Rama: Po. Kemi një paketë, e cila besoj do t’i dorëzohet Kuvendit deri në fund të muajit shtator dhe do të kemi një rëndim të konsiderueshëm të masave ndëshkuese për evazionin fiskal, por dhe për të gjitha format e veprimtarisë së paligjshme ekonomike dhe tregtare. - Kompania britanike “Crown Agents”, e cila u kontraktua nga qeveria juaj për të asistuar doganat, nuk dha rezultatet që ju prisnit. Si e shpjegoni këtë zoti Kryeministër, duke pasur parasysh faktin, që “Crown Agents” në Rumani dhe në Bullgari pati rezultate? Rama: Nuk mund ta themi kështu. Ne besojmë që kemi pasur një ndryshim të konsiderueshëm në administrimin tatimor dhe doganor, sidomos në momentin dramatik, kur gjithçka e gjetëm të shpartalluar, dhe kjo s’duhet harruar, ku ka ndikuar sigurisht edhe asistenca e “Crown Agents”. Ndërkohë që e përsëris, nuk duhet t’i referohemi mungesës së shumës, së parashikuar për t’u mbledhur si të ardhura gjatë këtij viti, si një mungesë në administrim, sepse nuk është e tillë. - Në konferencën për shtyp me Kancelaren Merkel u angazhuat për të mbaruar këtë reformë brenda kësaj vjeshte. Mendoni se mund të arrihet ky afat, zoti Kryeministër? Rama: Jam i bindur. Eshtë një angazhim i marrë nga shumica qeverisëse dhe është një angazhim që përputh, nga njëra anë, përpjekjen tonë për të reformuar drejtësinë dhe, nga ana tjetër, domosdoshmërinë për të kryer detyrën e rëndësishme të shtëpisë, në raport me procesin tonë të integrimit, që është reforma në drejtësi. - Ndryshimet kushtetuese, që kërkon kjo reformë, kërkojnë 93 vota në Parlament, të cilat mazhoranca juaj nuk i ka. Natyrshëm lind pyetja, ku do t’i gjeni 93 vota? Rama: Unë nuk jam një llogaritar i mirë dhe një llogaritës i mirë votash, por unë ju siguroj se reforma në drejtësi do të kalojë. - Në pamundësi për ta miratuar reformën në drejtësi në Parlament, a keni në plan t’i drejtoheni popullit nëpërmjet një referendumi për ta miratuar atë? Rama: Kjo është një çështje, që i takon një diskutimi brenda Aleancës për Shqipërinë Europiane, por jo si një domosdoshmëri për të kaluar reformën. Reforma, jam i bindur, do të kalojë në Parlament. - Por e keni apo jo si mundësi? Rama: Eshtë gjithmonë një mundësi, por reforma do të kalojë në Parlament besoj. - Ndërkohë që ju thoni se reformën do ta bëjnë ekspertët, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka deklaruar - në një intervistë me kolegen Elja Zotka, - se reforma në drejtësi është lënë në dorën e militantëve ekstremistë politikë. Kujt duhet t’i besojmë, Ju apo Presidentit të Republikës? Rama: Besoj se, nuk mund të biem në një mendje, që ekspertët e Komisionit të Venecias, ekspertët e Këshillit të Europës, ekspertët e Bashkimit Europian, ekspertët e OPDAT-it - misionit amerikan për të asistuar drejtësinë në Shqipëri, - dhe gjithë ekspertët e tjerë të mbledhur në procesin më intensiv dhe gjithëpërfshirës që ka njohur ky vend, pas procesit të Kushtetutës së re, janë militantë partiakë. - Jemi dy vite larg nga zgjedhjet e përgjithshme të 2017-s. A ka në plan mazhoranca juaj, zoti Kryeministër, për të ndërmarrë një reformë zgjedhore? Rama: Kjo është një çështje e konsensusit parlamentar dhe sigurisht, që neve do të na duhet të ndërhyjmë në Kodin Zgjedhor, sepse jemi angazhuar që të reflektojmë pikë për pikë rekomandimet e dala, kur të dalin, nga raporti i misionit të ODIHR-it. - Opozita ka lënë të kuptohet se, nëse do të kemi një reformë zgjedhore, atëherë opozita është e gatshme të pranojë sistemin me prim. A jeni dakord, që në zgjedhjet e 2017-s të kemi zgjedhje me këtë sistem, pra me prim? Rama: Ky është një teknikalitet, që nuk ka asnjë lidhje me çfarë na duhet të bëjmë në raport me reformën zgjedhore, sepse ajo që na duhet të bëjmë në raport me reformën zgjedhore është të zbatojmë rekomandimet e ODIHR-it dhe ajo që duhet të bëjmë për zgjedhjet e ardhshme është t’iu japim mundësi emigrantëve shqiptarë, që jetojnë jashtë, të votojnë pa pasur domosdoshmërisht nevojë të jenë këtu në Shqipëri. Ky është një angazhim programor i PS, edhe i LSI. Eshtë një detyrim, që kjo aleancë ua ka të gjithë emigrantëve shqiptarë, që nuk kanë mundësi të vijnë në Shqipëri për të votuar dhe duan të marrin pjesë në vendimmarrjen e rëndësishme të jetës politike të vendit, që është konstituimi i Parlamentit dhe i Qeverisë së re. Ndaj dhe do të bëjmë çmos, që ta realizojmë për vitin 2017, edhe pse nuk mund ta themi këtë me 100 për qind siguri, sepse është një proces jo i lehtë teknikisht. - Zoti Kryeministër, a keni ju një dialog të vazhdueshëm me aleatin tuaj, Ilir Meta, përsa i përket problemeve që lindin natyrshëm, kur dy forca politike bashkëqeverisin? Rama: Sigurisht që kemi dhe nuk e kuptoj nevojën e kësaj pyetjeje. Ne sapo kemi kaluar një test të rëndësishëm, ku kemi konfirmuar një milion votat e mbështetjes për këtë koalicion. Dhe i kemi rikonfirmuar pas një periudhe jashtëzakonisht të vështirë sfidash qeverisëse dhe reformash të dhimbshme, duke marrë nga populli shqiptar as më shumë dhe as më pak, por besimin e rinovuar për të shkuar më tutje në rrugën e reformave. Kështu që, nuk e kuptoj ku është problemi. - Përpara zgjedhjeve vendore iu kemi parë çdo të mërkurë, ora 9, të shkoni në selinë e Kryesisë së Kuvendit, madje punonjësit e Kuvendit thonë “u mblodh Rambujeja e së mërkurës”, duke takuar zotin Meta. Do të vijoni këtë praktikë, zoti Kryeministër? Rama: Kur të fillojë sesioni i ri parlamentar, patjetër. - Koalicioni qeverisës ka marrë një milion vota më 23 qershor, jo vetëm për të kryer reformat që Ju keni nisur, por edhe për t’iu dhënë përgjigje disa çështjeve, si për shembull, ndëshkimi i të korruptuarve në qeverisjen e shkuar tetëvjeçare, për të cilët Ju, kur ishit në opozitë, keni folur fort madje. Keni premtuar për t’i dhënë një përgjigje çështjes së Gërdecit, po ashtu dhe për 4 të vrarët e 21 Janarit. Keni thuajse dy vite, që jeni në pushtet zoti Kryeministër, dhe këto çështje kanë mbetur pa përgjigje. Cila është përgjigjja juaj përballë shqiptarëve për këto çështje? Rama: Unë e kam thënë që në krye të herës dhe besoj se ju mund ta verifikoni nga regjistrimet e kryera lidhur me këto çështje, që detyra jonë në radhë të parë është të krijojmë kushtet që drejtësia të funksionojë. Ne kemi një drejtësi të kapur nga një bandë gjykatësish të korruptuar, që e kanë kthyer sistemin tonë të drejtësisë në një koorporatë dhe që, me një të rënë të çekiçit, marrin vendime skandaloze. Jo vetëm denigruese deri në fund për shumë viktima të padrejtësisë, por edhe me kosto të jashtëzakonshme financiare për këtë vend, duke mos iu bërë syri “tërr”, por duke bërë marrëveshje me grabitësit e këtij vendi. Në momentin kur reforma në drejtësi do të kalojë, si një platformë e re veprimi dhe ndërveprimi në sistemin e drejtësisë, besoj që do të krijohen hapësira për të shkuar më tutje, edhe në trajtimin e çështjeve konkrete. Ne nuk do t’i ndahemi këtyre çështjeve. Por, mos të harrojmë se, ne nuk jemi të zgjedhur për të dhënë dënime dhe për të bërë ekzekutime. Lavdi Zotit, ajo kohë ka vdekur 25 vite më parë. Por jemi zgjedhur për të krijuar kushtet, që drejtësia të funksionojë. E këtë detyrë do ta kryejmë me pasion dhe me besnikërinë më të lartë ndaj popullit shqiptar. - Le ta mbyllim këtë intervistë me një çështje kulture, zoti Kryeministër. Këngëtarja me famë botërore, Anastacia, do të zhvillojë një koncert në Shqipëri më 25 gusht. ?farë ju shtyu ta mbështesni këtë koncert? Rama: Së pari, bëhet fjalë për një personazh shumë interesant, jo vetëm për faktin e asaj që ka bërë dhe bën në skenë, por edhe të jetës së saj. Një grua, që ka mundur tumorin dhe ka avokuar vijimësisht për rolin dhe të drejtat e grave, në një vend ku po bëhet një përpjekje kolosale në këtë drejtim, të paktën përsa i përket përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe në jetën publike përmes politikës. Nga ana tjetër, unë besoj se, ne i kemi mundësitë që edhe Shqipëria të jetë një stacion, ku të këndohet përpara të rinjve, të rejave, por edhe gjeneratave të tjera, ashtu siç këndohet në vendet e tjera përreth, apo në vendet e Europës. Ky koncert është fillimi i një plani për ta përfshirë Shqipërinë në një hartë koncertesh, të cilat Europa i ka me shumicë. - Kryeministër, faleminderit për të gjitha përgjigjet. Rama: Faleminderit juve për këtë intervistë të parë të sezonit të ri.

Ndaje me miqte