0030 210 33 18 483

Rama komenton deklaratën e ambasadorit amerikan për luftën kundër krimit

ATSH 05 Tetor 2017

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “po punohet intensivisht në të gjithë spektrin e luftës kundër krimit dhe shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete”. Për herë të parë kryeministri Rama komentoi deklaratat e ambasadorit të SHBA-së, Donald Lu për situatën e krimit në vend, gjatë takimit të organizuar në Fier, për konsultimin e buxhetit 2018. “Falënderoj ambasadorin amerikan që u bashkua me mua, sepse në mënyrë të përsëritur sa herë kemi bërë takimet për të parë rezultatet e luftës kundër kanabisit, unë e kam thënë se duhet të hyjmë në një fazë të re kundër atyre që quhen të fortët dhe për t’i shkuar pas aseteve dhe pasurive kriminale. Përgatitja për të hyrë në fazë të re ka nisur prej kohësh dhe ne jemi në proces. Shumë mirë që e tha edhe ambasadori amerikan”, tha Rama gjatë një takimi në Fier. Kryeministri foli edhe për ngjarjen në Elbasan, një ngjarje që sipas tij, “mori goxha jehonë mediatike, e cila shërbeu edhe si një lloj katalizatori për të rritur atë intensitetin e propagandës mbi këtë çështje” . “Unë ju siguroj se çështja e Elbasanit është në ndjekje të vazhueshme. Shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete për atë çështje, sikundër shumë shpejt do të shihni një zinxhir të pandërprerë veprimesh të policisë së shtetit për të goditur organizatat kriminale, elementët kriminalë dhe të inkriminuarit brenda Policisë së Shtetit, sepse në zonat ku veprojnë këto lloj forcash ka inkriminim të Policisë së Shtetit”, tha Rama. Sipas tij, “këta elementë kriminalë nuk kanë lindur në 2013 dhe karriera e tyre në botën e krimit është goxha e konsoliduar”. “Janë figura me lidhje të njohura me opozitarët e sotëm, nëse duam të bëjmë politikë, por ky nuk është kurrë qëllimi im”, tha Rama.

Ndaje me miqte