Rama në Himarë premton zgjidhje për çështjen e pronave &ldquopavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme&rdquo
15 Qershor 2015
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë të dielën në mitingun përmbyllës të kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane (ASHE) në Himarë, Jorgo Goro. Rama ka premtuar se do të bëhet drejtësi në çështjen e pronave. “Ne jemi zotuar përpara jush, dy vjet më parë, se ne do të bëjmë drejtësi lidhur me këtë fakt rrëqethës që e ka penguar gjithë këtë territor të zhvillohet dhe të lulëzojë Ne do ta mbajmë këtë zotim, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme dhe maleve me dosjet e korrupsionit dhe të krimeve me pronat, që duhet të kapërcejmë”, ka theksuar shefi i qeverisë shqiptare.
Më poshtë vijon një përmbledhje e fjalimit të kryeministrit Rama në mitingun e Himatës.
Faleminderit për këtë mikpritje të jashtëzakonshme dhe mirënjohje për mbështetjen e madhe, por të merituar që ju i jepni Gjergj Goros.
Janë shumë gjëra që më vijnë në mend, këtu përpara jush, sepse Himara është shumë gjëra që sëbashku. Por besoj se ne kemi të drejtën që të jemi sot krenarë, për faktin se përmes një reforme historike të riorganizimit të shtetit shqiptar, reformës territoriale-administrative, ne e kthyem Himarën në kufijtë e historisë së saj. Dhe bëmë drejtësi për një territor, i cili i ka dhënë shumë Shqipërisë, i ka dhënë shumë shqiptarizmës dhe i cili meriton shumë më tepër seç ka marrë, sidomos seç ka marrë në gjithë këtë periudhë të tranzicionit që ishte shumë e rëndë për Himarën dhe për himarjotët. Një periudhë shumë e errët për pronën dhe për liritë e të drejtat e njerëzve të kësaj toke, të cilët u lanë qëllimisht në një harresë të turpshme nga pushteti në Tiranë dhe të cilët, sot e gjithë ditën janë pa titujt e merituar të pronësisë në duart e tyre.
Ne jemi zotuar përpara jush, dy vjet më parë, se ne do të bëjmë drejtësi lidhur me këtë fakt rrëqethës që e ka penguar gjithë këtë territor të zhvillohet dhe të lulëzojë, që e ka penguar këtë zonë të bekuar nga Zoti apo natyra, për ata që nuk besojnë, që të jetë një zonë ku çdo familje të ndërtojë jetën dhe mirëqenin e vet. Ne do ta mbajmë këtë zotim, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme dhe maleve me dosjet e korrupsionit dhe të krimeve me pronat, që duhet të kapërcejmë. Ne do t’i kapërcejmë ato male dhe pa as më të voglin dyshim do të bëjmë për të gjithë ju, atë që jo vetëm ju, por edhe të gjithë të parët e këtij vendi meritojnë, si shprehje të respektit për kontributet e tyre të jashtëzakonshme patriotike.
Askund ndoshta më shumë se sa në këtë bashki të re nuk duken kështu, siç duken këtu, plagët e tmerrshme të keqqeverisjes dhe të barbarisë mbi mrekullitë e natyrës. Askund ndoshta më shumë se në këtë bashki të re, nuk duken vuajtjet e jashtëzakonshme dhe të pamerituara të një tranzicioni skandaloz.
Askund më shumë se në këtë bashki të re nuk duket se sa e pamerituar është varfëria e njerëzve dhe se sa e pamerituar është papunësia në një territor ku Zoti ka qenë kaq bujar dhe ku i ka dhënë njerëzve gjithçka që ju duhet për të jetuar ashtu siç duhet.
Unë e di shumë mirë miqtë e mi, që sot ka ende jo pak, por shumë njerëz që janë viktimë e një trajtimi të patolerueshëm edhe nga administrata, që janë viktimë e zvarritjeve të patolerueshme në kanalet e zeza të korrupsionit.
Unë i di mirë të gjithë këto. Të jeni të sigurtë që i ndjej njësoj siç i ndjen secili prej jush, secili prej atyre që përballet më këto probleme sesa të këqija i krijojnë shpirtit të njeriut dhe jetës së familjes këto probleme. Por nga ana tjetër unë jam i bindur se kam të gjithë mirëkuptimin tuaj dhe të gjithë atyre që kanë dy fije mend në kokë, se në 18 muajt e bilancit tonë të parë, ne nuk mund të mbyllnim të tëra plagët që u hapën, thelluan dhe u infektuan në 20 e kusur vite. Në 18 kuaj ne nuk mund ti vinim përfundimisht fre varfërisë apo nuk mund ta zmbrapsim përfundimisht papunësinë. Mirëpo në 18 muaj jam plotësisht i sigurtë se ne ju kemi dhënë një provë të padiskutueshme të faktit se ne jemi ata që mundet të bëjmë që po bëjmë dhe që do të bëjmë një shtet të denje për shqiptarët.
Në 18 muaj ne ju kemi dhënë një provë të padiskutueshme se ne jemi fuqia që mund ta kthejë Shqipërinë dhe Himarën në drejtimin e duhur. Pa as më të voglin dyshim ne do ta çojmë Himarën e re në drejtimin e duhur dhe në këtë drejtim të duhur do të gjejmë zgjidhjet e duhura për problemet dhe hallet e familjeve të Himarës.
Përpara se të vinim këtu pamë një projekt që kemi bërë së bashku, në Qeparo. Eshtë vetëm fillimi i një projekti të madh transformues, që duke filluar nga shtatori do të prekë edhe Himarën. Pasi të kemi përfunduar unazën jashtë, edhe vijën bregdetare të Himarës na bie detyra ta transformojmë në një nga copëzat më të bukura të Mesdheut dhe të jeni të sigurt që do ta bëjmë. Do ta bëjmë sepse jua kemi detyrim të parëve tanë, jua kemi detyrim familjeve sot, jua kemi detyrim fëmijëve që lindin në Himarë, që rriten në Himarë dhe që meritojnë të shikojnë një të ardhme në Himarë.
Po ashtu do të zgjidhim një herë e mirë problemin e ujit të pijshëm për gjithë bashkinë e re të Himarës. Eshtë një turp i madh i gjithë këtyre viteve, që një vend kaq i pasur në ujë si Shqipëria, i dyti më i pasuri në Europë për burime ujore, vuan për ujin për të pirë. Për herë të parë mbas 20 e kusur vitesh, mbase edhe më përpara, do të vejë uji 24 orë poshtë në Dhërmi. Ky është vetëm fillimi, sepse ne do ta çojmë ujin 24 orë në çdo shtëpi të familjeve himarjote, në katër vitet e ardhshme. Gjergji ka projektin, ne do t’i japim mbështetjen dhe ky projekt do të bëhet realitet.
Po ashtu do të investojmë shumë për t’i dhënë fund edhe historisë së kanaleve të ujërave të zeza dhe të derdhjes së tyre kuturu. Kanalet e ujërave të zeza që derdhen kuturu janë kartëvizita e Saliut, që ka mbetur rrugëve nëpër gjithë Shqipërinë. Ne kemi filluar të merremi me këtë çështje dhe në katër vite, unë po ju siguroj që të paktën në bashkinë e re të Himarës, ky do të jetë një problem që do t’i përkasë të shkuarës.
Ne do të vazhdojmë me vendosmëri të bëjmë transparencën e plotë, siç e kemi filluar me një komision të posaçëm, të ngritur nga qeveria qysh në ditët e para, për të gjitha grabitjet që i janë bërë tokave dhe pronave të himarjotëve në gjithë vijën dhe për të gjitha ato aspekte të këtij problemi të madh që duhet të marrin zgjidhje. Pas këtyre zgjedhjeve, bashkitë e reja do të kenë përgjegjësinë, por edhe kompetencën që të merren drejtpërdrejt me titujt e pronësisë në fshat. Gjithë historitë pafund, që e di shumë mirë që nuk kanë përfunduar, por që vazhdojnë për shumë njerëz nëpër zyrat e hipotekave, do të marrin fund në katër vitet e ardhshme.
Të gjitha këto nuk janë fantazi, por janë të shkruara në programin e Gjergjit dhe programi i Gjergjit ka të gjithë mbështetjen tonë.
Ndaje me miqte