Rama në Paris nënshkruhet partneriteti strategjik Shqipëri Francë
ATSH
30 Mars 2017
Gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Paris, dy qeveritë kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh të cilat ngrenë kuadrin e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri - Francë në nivel strategjik.
Gjatë vizitës palët patën mundësinë të konfirmojnë marrëdhënien speciale midis Shqipërisë dhe Francës si dhe rëndësinë e bashkëveprimit afatgjatë midis dy vendeve në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe sigurisë, në rrafshin dypalësh, rajonal dhe më gjerë.
Në takimin e posaçëm me homologun francez Bernard Cazeneuve, Kryeministri Edi Rama shprehu falenderimet e qeverisë shqiptare për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit europian të vendit tonë si dhe për vëmendjen e shtuar dhe dedikimin e Francës në mbarëvajtjen e proceseve dhe projekteve rajonale.
Kryeministri Cazeneuve vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe ecurinë e reformave në fushën e sundimit të së drejtës, përpjekjet e suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri francez falenderoi gjithashtu palën shqiptare për bashkëpunimin me autoritetet franceze në fushën e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Bashkëbiseduesit veçuan rëndësinë e trefishtë të zbatimit të reformës në drejtësi si një reformë të nevojshme për të rritur besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, si dhe impaktin e saj në fushën e sigurisë dhe në përforcimin e sundimit të së drejtës në ekonomi. Pala franceze nënvizoi gjithashtu rolin e posaçëm të Shqipërisë në stabilitetin demokratik të rajonit.
Në përfundim të takimit, në praninë e dy kryeministrave, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrat francezë Fekl, Desir dhe Todeschini, nënshkruan deklaratën e partneritetit strategjik midis dy vendeve si dhe marrëveshjet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë të sigurisë.
Rama: Partneritet Strategjik Shqipëri- Francë
”Sot në Paris me kryeministrin Francez Cazeneuve ku u konfirmua marrëdhënia speciale midis Shqipërisë e Francës dhe rëndësia e bashkëveprimit afatgjatë midis dy vendeve në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe sigurisë përmes nënshkrimit të deklaratës së partneritetit strategjik midis dy qeverive”, shkruan sonte kryeministri Edi Rama në faqen e tij në Facebook.
“Franca mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE dhe vlerëson rolin e posaçëm të Shqipërisë në stabilitetin demokratik të rajonit, progresin e vendit dhe ecurinë e reformave tona në fushën e sundimit të së drejtës, si edhe përpjekjet e sukseshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. U veçua njëkohësisht rëndësia e trefishtë e zbatimit të reformës në drejtësi dhe impakti i saj në fushën e sigurisë dhe në përforcimin e sundimit të së drejtës në ekonomi”, citohet shefi i qeverise, i cili zhvilloi sot një vizite nje ditore ne Francë.
“I lartë dhe interesi i sipërmarrjeve franceze për të rritur prezencën me investime te reja në Shqipëri në një klimë të re e cila ofron më shumë lehtësira dhe një potencial edhe më të madh për t’u shfrytëzuar sidomos në energji, infrastrukturë dhe në tregjet financiare”, perfundon kryeministri Rama.
Ndaje me miqte